Kungulleshkat janë ndër perimet më fantastike të pasura me vlera ushqyese, të cilat padyshim janë të shijshme në të gjitha mënyrat e gatimit.
Kjo perime është e pasur me antioksidantë, vitaminë A dhe C si dhe ka pak kalori. Kungulleshkat janë një zëvëndësues i mirë për ushqimet e pasura me kalori. Për më tepër, kombinimi i fibrës dhe ujit (95%) që gjenden tek kungujt e njomë mbajnë nën kontroll oreksin tuaj, ju ndihmojnë të digjni kalori dhe ju japin shumë energji.
Të njoma dhe të freskëta kungulleshkat janë një mrekulli për shijen e gjithashtu për shëndetin sidomos kur përgatiten në formën e supës.
Një recetë e vjetër, e përgatitur nga nënat dhe gjyshet shqiptare për një vakt të lehtë dreke apo edhe darke.
Supa me kungulleshka përgatitet krejt lehtë dhe është fantastike për t’u shoqëruar me sallata të freskëta të stinës, bukë të thekur, e sidomos me byrekë të ndryshëm shtëpie.
Më poshtë një recetë fantastike të përgatitur nga amvisat shqiptare mbi supën krem me kungulleshka, një mënyrë fantastike për të servirur për familjen një vakt të shijshëm e të shëndetshëm gjithashtu.
Përgatitja e Supës Krem me Kungulleshka
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
4 kungulleshka
1 kokërr patate
1 karrotë
Lëng pule ose lëng perimesh
Vaj Ulliri
Kripë
Piper
Dy thelpinj hudhra
Përgatitja
Si fillim kungulleshkat pastrohen me ujë të rrjedhshëm. U hiqet bishti dhe pjesa e kokës dhe priten në kubikë të vegjël.
Qerohet patatja dhe karrota dhe priten gjithashtu në kubikë të vegjël.
Në një tenxhere shtojmë vajin e ullirit.
Hedhim karrotat dhe patatet, i kavërdisim disa sekonda dhe më pas shtojmë edhe kungulleshkat, vijojmë i kavërdisim për pak dhe më pas shtojmë kripën dhe lëngun e pulës ose lëngun e perimeve.
Pasi kanë zjerë të gjitha bashkë i heqim nga zjarri, i kalojmë në mikser derisa masa të bëhet kremoze.
Kur shërbehet sipër i shtohen hudhra të shtypura, piper i zi dhe sipas preferencës supa krem mund të spërkatet edhe më një lugë kos sipër.