Më në fund ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri po shkon drejt lirimit prej akuzave të ngritura nga prokuroria e krimeve të rënda. Burimet tregojnë se pas ekstradimit drejt Italisë të Nezar Seitaj, si gur i themelit në këtë dosje kriminale droge, nuk mund të nxjerrin gjë hetimet ndaj ish-ministrit. Largimi i “financierit të grupit Habilaj” në mënyrë të papritur dhe pa njoftuar më parë ka sjellë pështjellim në organin e akuzës te krimet te krimeve e rënda në Tiranë.
Informacionet thonë, nga brenda prokurorisë, se Saimir Tahirit po shkon drejt lirisë nga të gjitha akuzat publike dhe të prokurorisë ndaj tij. Edhe sot në mesditë kryeministri Rama, si për ta zyrtarizuar faktin se Tahiri po shkon drejt lirisë nga akuzat shkoi sot te Fondacioni “Qemal Stafa” në kryeqytet, fondacion themeluar nga Saimir Tahiri kur PS ishte në opozitë.
Ekstradimi drejt Italisë i Nezar Seitaj, i konsideruar si “financieri” i bandës së narko-trafikut të Habilajve, në rastin më të mirë, është dëshmi e dështimit të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Ai është ndaluar në 19 Tetor 2017, në bazë të një urdhër-ndalimi të Prokurorisë për Krime të Rënda. Seitaj dyshohet se është një prej personave kyç në grupin e Moisi Habilajt, kushëri me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Një ditë më pas, në 20 Tetor 2017, Policia Gjyqësore i arrestoi atë formalisht në ambjentet e paraburgimit të Tiranës, në kuadër të një urdhër-arresti ndërkombëtar, nxjerrë nga Prokuroria e Katanias. Ndaj tij, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Emri i tij gjendet në të njëjtin hetim me ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri, për të cilin Parlamenti refuzoi t’i jepte Prokurorisë autorizimin për arrestimin e tij.
Në një proces paralel, Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, në bazë të kërkesës për ekstradim të autoriteteve italiane. Ndërkohë që Prokuroria për Krime të Rënda vijon hetimin ndaj Seitajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, përfshirë Saimir Tahirin, gjykata e Tiranës përfundoi procesin për ekstradimin e tij. Me vendimin e datës 05.12.2017, gjykata ka lejuar ekstradimin e tij drejt Italisë. Gjatë kësaj kohe, Nezar Seitaj ka qëndruar në ambjentet e paraburgimit të burgut 313 në Tiranë dhe, në dosjen e tij pranë personelit të burgut janë dy vendimet për masën “arrest në burg”.
Prokuroria për Krime të Rënda po vijonte hetimet kur, Policia e Shtetit njoftoi në datë 24.01.2018 është ekstraduar drejt Italisë Nezar Seitaj. Ky njoftim shkaktoi përplasje institucionale për mënyrën se si është realizuar ekstradimi i tij. Kjo, për faktin se, pavarësisht se ishte lejuar ekstradimi i tij, Nezar Seitaj nuk mund të shkonte drejt Italisë, pasi ndaj tij kishte një masë tjetër arresti, ajo e vendosur nga Gjykata për Krime të Rënda.
Pra edhe dëshmitarin e vetëm që ndodhej në Shqipëri nga “grupi Habilaj” që hetohej se kishte lidhje me Saimir Tahirin, e larguan me vrap nga hetimi në Shqipëri. Me ardhjen e kryeprokurores Arta Marku duket se po vijnë ditë të qeta për ish-ministrin e brendshëm.
Mësohet se kryeministri Rama ka bërë gati kthimin në kupolën drejtuese të ish-ministrit Tahiri, sapo dosja të mbyllet dhe të shpallet i pafajshëm për akuzat. Saimir Tahiri do kthehet në drejtimin e PS-së së Tiranës, në detyrën e kordinatorit kombëtar të PS. Rama shkoi dhe foli te Fondacioni “Qemal Stafa”, themeluar nga Saimir Tahiri, duke dhënë mesazhin kuptimplotë për prokurorinë se nuk ka më sulme dhe akuza ndaj ish-ministrit Tahiri.