Forca të Armatosura te Kosovës, pas 10 vitesh, kanë rreth 5000 pjesëtarë aktiv dhe 3000 rezervë. Por, edhe pas kësaj kjo do të mbetet forca më me pak pjesëtar krahasuar me vendet e rajonit. Ndërkaq në aspektin e pagave, FSK-ja llogaritet të jetë e para, sepse paga më e ulët është më e lartë se e ushtrisë shqiptare dhe asaj serbe.
Ministria e Forcës së Sigurisë në një përgjigje për Indeksonline, ka dhënë detaje të pagave të pjesëtarëve të saj varësisht nga grada ushtarake.
“Paga mujore e një ushtari është 405.90€ bruto ndërsa e oficerit më të lartë (gjeneral-lejtënant) është 1,602.15€ bruto pa përfshirë përvojën e punës e cila llogaritet: 1 vit shërbim me 0.5% të pagës bazë”, thuhet në përgjigje MNFSK-së.
Ndërkaq, sipas raportit të pagave të ushtrisë shqiptare, pagesa mujore e ushtarakëve nis nga 44.870 leke ose 358.05 euro.
Sa i përket pagave në një nivel më të ulët gjendet ushtria serbe. Sipas një artikulli të botuar nga Novosti.rs, paga e një ushtari profesionist nis nga 31.000 dinarë ose konvertuar i bie 261.94 euro. Kjo sipas tyre tregon arsyet më të shpeshta të braktisjes së shërbimin ushtarak profesionist.
Në vitet e fundit, nga uniforma e Forcave të Armatosura të Serbisë kanë hequr dorë 800 ushtarë si dhe dhjetra oficerë.
Arsyeja më e shpeshta për ndërprerjen e kontratës është statusi i dobët i të punësuarve në sistemin mbrojtës.