Detaje të tjera kanë dalë në dritë disa orë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Vlorës, ku flakët e zjarrit i morën jetën dy personave.
Nënë e bir, Selkie dhe Novruz Hoxhallari, përkatësisht 73 dhe 43 vjeç, u shkrumbuan teksa ishin në gjumë në banesën e tyre në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar.
Mësohet se familja Hoxhallari prej vitesh kishin ardhur nga Maliqi i Korçës, dhe jetonin në Vlorë. Pas ngjarjes së rëndë, një i afër i viktimave ka treguar momentet e para pas shpërthimit të gazit, çka ka qenë edhe shkaku i ngjarjes së rëndë.
“I gjetëm dy trupat e karbonizuar, në trupin e Novruzit u gjet edhe një cigare. Ai që kishte pësuar më shumë dëmtime ishte djali, ndërsa nëna disi më pak. Tragjedia mund të kishte përmasa më të mëdha, nëse familjarët e tjerë nuk do kishin shkuar për të fjetur në ambientet e tjera të shtëpisë”, ka rrëfyer ai.
Nga dyshimet e para thuhet se banesa u përfshi nga flakët për shkak të kontaktit të rënë nga rrjedhja e bombolës së gazit, me sobën me dru.