Deputeti i PD-së nga qarku i Vlorës Agron Shehaj pasi votoi “PRO” projektligjit për Aeroportin e Vlorës, në Komisionin e Ekonomisë bën një deklaratë kontradiktore në Facebook. Ai shkruan se, pavarësisht votës pro është totalisht kundër mënyrës sesi do ndërtohet.
Postimi i plotë i tij:
KËTA DO VAZHDOJNË TË VJEDHIN ASHTU SI KANË VJEDHUR DERI TANI!
Këta do vazhdojnë të vjedhin ashtu si kanë vjedhur deri tani. Të paktën nuk do bëhen milionera me gjëra të panevojshme si checkup-i, por do ndërtojnë një aeroport për të cilin turizmi në jugun e Shqipërisë ka nevojë të jashtëzakonshme.
Pavarësisht se votova pro, jam totalisht kundër mënyrës sesi do ndërtohet sepse është qartësisht e lidhur me synimin e kësaj qeverie për të vjedhur në kurriz të qytetarëve.
Një aeroport që iu përgjigjet nevojave të këtyre përmasave, nuk e kalon shifrën 20-25 milionë euro. Qeveria ka planifikuar ta ndërtojë me 100 milionë euro për të cilat do paguajnë shqiptarët nëpërmjet tarifave të larta që do ketë aeroporti.
Por, dëmi më i madh nuk është ky! Nuk janë 75 milionë eurot, sepse me këtë jemi mësuar. Por, penalizimi që vjen nga fakti që aeroporti nuk do jetë në pronësi të shtetit. Qeveria nuk do mund t’i përdorë tarifat aeroportuale për të tërhequr turistë.
Shumë vende turistike që kanë në pronësi aeroporte, i ulin tarifat deri në zero dhe bëjnë presion mbi kompanitë ajrore low-cost për të futur linja ajrore. Këto aeroporte heqin dorë nga fitimi prej 10-20 euro/pasagjer në këmbim të harxhimeve prej mesatarisht 100 euro/ për person që bëjnë turistët në ekonominë lokale (hotel, restorant, transport etj.)
Pra, nëse aeroporti do të bëhej me koston reale, pa vjedhje, e financuar me buxhetin e shtetit, qeveria do mund ta përdorte për të ndihmuar realisht turizmin dhe ekonominë vendase. Nëse pyesni veten, si është e munduar që Shqipëria me një pasuri natyrore të këtij lloji, është kaq larg mirëqenies të vendeve si Greqia dhe Italia, kjo është arsyeja.
Sepse ne gjërat i bëjmë në interes të Ahmetajt, Gjiknurit e oligarkëve miq të Edi Ramës si Sinan Idrizi, e jo në interes të shqiptarëve.