Ish-studenti shqiptar në Bursa të Turqisë Gerti Pashja, ka rrëfyer në një intervistë nga burgu i Fushë-Krujës të gjithë dinamikën e ngjarjeve që e çuan atë pas hekurave të qelisë.
I konsideruar nga organet e drejtësisë si njeriu i dytë më i rëndësishëm i grupit prej besimtarësh të dënuar për terrorizëm, ai shprehet se nuk ka pasur asnjë lidhje me personat e tjerë duke argumentuar se ndëshkimi i tij ka ardhur veç si pasojë e qëndrimeve anti-sistemit demokratik.
Sipas Pashjas, demokracia dhe islami bien ndesh me njëra-tjetrën ku nënvizon se nuk mund të quhet mysliman një person që bën thirrje për votime pasi kërkon të zgjedhë një “zot” tjetër për pos Allahut.
Ndërkohë, sa i përket luftimeve të përgjakshme në Siri, i dënuari gjykon se çdo mysliman do të shkonte atje për të shërbyer duke mos përjashtuar as veten.
Sipas dosjes, gjatë procesit hetimor Prokuroria e Krimeve të Rënda ka gjetur fakte kundër ku Pashja rezulton i përfshirë në rekrutimin e xhihadistëve shqiptarë në konfliktin me militantët e ISIS. Referuar të njëjtit dokument, Pashja u tregonte atyre rrugën se si të shkonin deri në frontin e luftës.
“TemA” hyri në burg për të mësuar të vërtetën e pretenduar prej tij për të cilën tregon se nuk përfillet nga organet përkatëse.
Pashja, me sa vite jeni dënuar? Cilat ishin akuzat kryesore që ju çuan pas hekurave?
Unë jam dënuar me 17 vite burg por ndëshkimi ju siguroj se s’ka lidhje me realitetin. Akuzat e Prokurorisë për thirrje terroriste dhe rekrutim personash nuk u provuan kurrë. Argumentimi kryesor prej tyre ishte se ne jemi kundra Amerikës apo dikush kundër Stalinit. Këto gjenden edhe në dokumente zyrtare.
Atëherë çfarë ju solli këtu?
Ajo që mendoj se ka sjellë dënimin tim është fakti se kam bërë thirrje në rrjetet sociale që myslimanët të mos marrin pjesë në votime. Duhet të dini se sistemi demokratik bie ndesh me islamin. Pjesëmarrja në votime është zgjedhja e një tjetër zoti tjetër përpos Allahut. Kur njeriu zgjedh deputetët për t’i udhëhequr praktikisht sjell tjetër zot. Ndërkohë ligjvënia në konceptin islam i takon vetëm Allahut. Mendoj se njerëzit apo partitë që thërrasin për votime nuk janë myslimanë.
Çfarë bënit në momentin e arrestimit?
Pas shkollimit për degën “punë sociale” në Elbasan, unë shkova në Turqi për të ndjekur universitetin. Forcat turke më ndaluan me urdhër ndërkombëtar të lëshuar nga Tirana dhe kam ardhur deri në aeroport pa pranga. Autoritetet atje nuk kishin asnjë problem me mua edhe pse unë jetoja në vendin e tyre.
Dua të them se para zhvendosjes sime në Turqi, kam jetuar në qytetin e Cërrikut. Pretendimi i organeve të drejtësisë ka lidhje me aktivitetin tim në këtë qytet ku më kanë akuzuar sikur ne kishim një ambient që faleshim jashtë vendeve të përcaktuara. Pretendohet nga ta se unë kam dërguar njerëz nga Cërriku në Siri, por siç ju thashë për këtë nuk ka asnjë fakt.
Cila është lidhja juaj me grupin e dënuar për terrorizëm dhe konkretisht Genci Ballën dhe Bujar Hysën?
Kam jetuar në Turqi gjatë periudhës që nisi konflikti në Siri pasi kryeja studimet për teologji. Nuk kam pasur asnjë kontakt me këta persona pavarësisht se ata njihen si hoxhallarë.
Shqipëria është e vogël dhe njerëzit njihen si fytyra. Nuk i akuzoj dhe as i paragjykoj për ndonjë gjë.
Unë kam qenë në Leshnicë dhe Zargoçan të Pogradecit ku jam njohur gjerësisht me ngjarjet në lidhje me terrorizmin. Ju e njihni personalisht ish-imamin Almir Daci që dërgoi video kërcenuese për shqiptarët?
Unë e njoh pasi ai vinte vazhdimisht në qytetin e Peqinit dhe jam prezantuar në vitin 2008 si besimtar. Për herë të fundit u takuam në vitin 2012 dhe më pas nuk kam pasur asnjë kontakt me të.
Cili është gjykimi juaj mbi shqiptarët që kanë zgjedhur të shkojnë në Siri për t’u bërë pjesë e luftës së përgjakshme?
Ata kanë shkuar atje me vullnetin e tyre të lirë ashtu si edhe forca të tjera ruse apo amerikane bëhen pjesë e luftës pro Bashar Al-Assad apo interesave të Amerikës. Ky grup njerëzish ka shkuar me një mision tjetër dhe mendoj se është një luftë që ka vazhduar dhe do të vazhdojë. Një mysliman e zgjedh këtë rrugë. Personalisht nuk shoh ndonjë problem se ata kanë depërtuar në Siri për të luftuar. Dikush do që të mbajë një sistem islam, dikush do që të mbajë regjimin e diktatorit.
Ju i keni bërë thirrje për të shkuar? Mu përgjigjni me “po” ose “jo”?
Unë kam qenë në Turqi dhe nuk ka pasur asnjë thirrje nga ana ime. Njerëzit shkojnë në Siri për diçka individuale ku ju kujtoj se islami e pranon xhihadin. Nga njëra anë shumë ushtarë zgjedhin të mbrojtur demokracinë, dhe nga ana tjetër myslimanët e shohin si obligim fetar për të shkuar dhe për të luftuar krah Allahut. Ne besojnë se kur vritesh për Allahun shkojmë në xhenet. Sot është një luftë e hapur mes perëndimit dhe islamit. Besimtarët e kanë ndjerë obligim dhe do shkojnë sot, nesër. Rekrutuesi më i madh i myslimanëve për të shkuar në luftë është Kurani. Aq më tëpr kur vetë ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje në atë kohë për të shkuar atje. Atëherë çfarë doni më?
Ju kujtoj se Islami zyrtar në botë është distancuar nga lufta e përgjakshme në Siri…
Islami zyrtar nuk është islam. Nuk konsiderohen myslimanë. Janë thjesht institucione që janë vendosur në luftë përballë islamit. Për besimin tonë nuk kanë të drejtë që të flasë institucioni pasi burimet tona janë Kurani, tradita profetike e profetit, dhe konsensusi i gjithë myslimanëve.
Pra ju nuk i njihni?
Natyrisht që nuk i njoh. Një institucion që lufton për të mbajtur demokracinë në këmbë, nuk mund të quhet kurrsesi islam. Demokracia dhe islami janë dy koncepte që nuk mund të qëndrojnë bashkë pasi janë përjashtuese e njëra-tjetrës. Ligjvënia nuk i takon njeriut por i takon Zotit.
Pajtoheni me faktin se në Francë, Belgjikë, Gjermani dhe vende të tjera janë bërë sulme terroriste ndaj njerëzve të pafajshëm? Në këto hapësira publike mund të gjendeshin edhe të afërmit e tu apo të mi…
Të vrarë civilë që ka ekzekutuar ISIS janë 2%, ndërsa të tjerët janë ushtarakë. Nuk shkoi ISIS në Evropë por erdhi Evropa në Siri. S’mund të krahasohen 100.000 veta që janë vrarë në një qytet sirian, me 1000 veta që ka vrarë ISIS në Evropë. Andrea, kemi dy qytete Raka dhe Mosuli që sot janë zero. Kur perëndimorët vrasin civilë legjetimohem, kur myslimanët ekzekutojnë civile quhen akte terroriste. Parimisht myslimanit nuk i lejohet të vrasë civilë, por ka raste të veçante kuedhe profeti Muhamed ka vrarë. Sulmet që ata kanë bërë janë vetëmbrojtëse.
Kur do marrë fund kjo përplasje e përgjakshme sipas jush nëse vijohet me këtë “gjuhë”?
Të jeni të sigurtë se edhe nëse zhduket “Shteti Islamik”, edhe sikur të ngrihet e gjithë bota me bombardime, nuk mbyllet kjo punë. U vra Osama bin Laden dhe s’u mbyll.
Ju vetë, a do të shkonit që të luftonit në Siri krah xhihadistëve?
Çdo mysliman shkon kur shikon se si vriten fëmijë, gra, luftohet islami dhe përdhoset feja. Nuk ka ndonjë problem dhe s’shoh ndonjë gjë të keqe. Është njëlloj si çdo demokrat kur shkon të luftojë për demokraci. Nëse do më kërkohet mua, do të shkoj. S’ka asgjë të keqe këtu.
A keni pasur ëndërr të bëheni imam? Çfarë aspironit për të ardhmën?
Profeti Muhamed i ka këshilluar besimtarët që të mos e kërkojnë postin. Të bëhesh imam nuk është e thjeshtë. Synimi im nuk ka qenë ky.
Ca mendoni të bëni pasi të dilni nga burgu?
Qëllimi i myslimanit është bota e përtejme. Sa më shumë do të predikoj fenë e Zotit dhe ta jetoj veten. Pastaj se si do marrë jeta, këtë e di veç Allahu.