Loading...

Cfarë thonë arkivat Angleze për Zogun? Sa flori thuhet se vodhi nga shqipëria

Historiania dhe studiuesja e njohur angleze Miranda Vickers, mbështetur në arkivat britanike, por edhe në ato italiane dhe serbe, jep një tablo befasuese se si u përgatit terreni për pushtimin e Shqipërisë në 1939 nga Italia fashiste e Musolinit. Po ashtu ajo shkruan se Ahmet Zogu, mbreti i parë i Shqiptarëve para se të ikte nga Shqipëria mori me vete arka me napoleona.

Miranda Vickers shkruan: Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigande në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napoleona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Forin Ofisit britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira

Më 31 janar 1925 u shfuqizua Regjenca prej katër anëtarësh dhe Ahmet Zogu u zgjodh president i republikës së sapo shpallur shqiptare, ndërsa Tirana u njoh si kryeqytet i përhershëm i vendit.

Kushtetuta që u miratua u ndërtua në mënyrë të tillë që të rriste pushtetin e Zogut, i cili kishte të drejtë të caktonte dhe të shkarkonte ministrat sipas dëshirës së tij.

Zogu menjëherë iu përvesh punës për konsolidimin e pushtetit të tij, duke likuiduar apo detyruar të arratiseshin ish-kundërshtarët e tij më të rrezikshëm. Luigj Gurakuqi u vra një kafene në Bari; vrasësi i tij shumë shpejt u shpall i pafajshëm. Bajram Curri u ndoq këmba këmbës dhe kufoma e tij u gjet në një shpellë pranë Dragobisë.

Pavarësisht se në Tiranë e morën vesh të gjithë se Curri vdiq në duart e agjentëve të Zogut, vendasit këmbëngulnin se ai vrau veten. Shumë udhëheqës të tjerë kosovarë, si fjala vjen Zija Dibra, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit nga policia, pësuan të njëjtin fund të parakohshëm.

Mandej Zogu kurdisi lëvizje për të ndërprerë aktivitetet e Komitetit të Kosovës, i cili përbënte një rrezik për marrëdhëniet e tij të mira me Jugosllavinë. Trupat që kishin qenë besnike të Nolit u çarmatosën dhe u shpërbënë. Megjithëse jugosllavët kishin mbështetur kthimin e tij në Shqipëri, ata nuk ishin në gjendje t’i jepnin Zogut ndihmë financiare, për të cilën ai kishte shpresuar dhe kishte aq nevojë për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.

Prandaj dhe ai u detyrua të miratonte një politikë bashkëpunimi me Italinë. Ndërkohë, një territor që kishte mbetur i diskutueshëm, parandalonte përcaktimin përfundimtar të Shqipërisë. Zona e njohur tashmë si Shën Naum në brigjet e liqenit të Ohrit, vazhdonte të ishte e pushtuar nga trupat jugosllave. Jugosllavët pretendonin se Zogu ua kishte premtuar këtë territor si shpërblim për mbështetjen që ata i kishin atij për rikthimin në Shqipëri në dhjetorin e kaluar.

Gjithsesi, Zogu e mohoi këtë dhe çështja iu përcoll Konferencës së Ambasadorëve. Problemi u zgjidh përfundimisht duke i dhënë Jugosllavisë Shën Naumin dhe zonat përreth malit të Vermoshit, ndërkohë që Shqipëria mori qytetin fqinj të Peshkopisë dhe disa fshatra të tjerë të vegjël.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com