Një histori e denjë për telenovela ajo e Blerinës, vajzës e cila është detyruar të prostituojë nga ish-bashkëshorti dhe është braktisur nga e ëma.
Ajo u fejua në moshën 13-vjeçare pasi sipas zakoneve familja vendosi ta martonte me dikë që nuk e njihte.
Ndonëse i ati i saj, Ganiu dëshironte që e bija të ndahej nga i fejuari i saj që dukej se nuk ishte një njeri i denjë, atëherë vetëm një adoleshente, Blerina vendosi të martohej me Adriatikun për shkak të opinionit në fshat.
Pas martese ajo solli në jetë dy djem, por aty nisën edhe problemet me Adriatikun , i cili e dhunonte dhe nuk e linte të dilte nga dera e shtëpisë.
Jo vetëm kaq, por shumë shpejt ai filloi ta trafikonte si prostitutë duke e detyruar të shkonte me meshkuj për të fituar para. Blerina “punoi” për rreth 4 muaj, derisa një person e ndihmoi për ta denoncuar bashkëshortin. Ajo i la një vendtakim atij për t’i vërtetuar policisë gjendjen e saj, por Adriatiku e kuptoi dhe u largua. Pas 6 muajsh policia arriti ta arrestonte dhe e dënoi me 19 vite burg, por Blerina duke menduar për fëmijët e saj e fali dhe u kthye me të. Adriatiku vazhdoi ta dhunonte dhe prostituonte, ndaj ajo vendosi që të largohej dhe shkoi sëbashku me fëmijët tek e ëma. Kështu Adriatiku u fut përsëri në burg ku është akoma, ndërsa Blerina vazhdoi jetën e saj ku u njoh me një burrë tjetër, me të cilin lindi edhe një djalë. Ajo ishte e detyruar të punonte në një lokal nate për 3 vite si valltare për të fituar para që të mund të mbijetonte e të rriste djemtë e saj.
Por sipas saj edhe ai sillej përsëri keq tregoi ajo në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”.
Ajo u shpreh:
Rashë nga shiu në breshër. Edhe ai sillej keq pasi linda djalin. Para një muaji, kur më dhunoi shumë keq, mora fëmijët dhe ika. Tani nuk jam më me të.
Blerina rrëfehet se i ati i saj, Ganiu nisi të pinte shumë alkool kur mësoi se çfarë i kishte ndodhur të bijës nga bashkëshorti i parë, pasi e përjetoi shumë keq.
Ajo tha:
I thoja çdo natë, edhe mbrëmë i thashë: ‘Ba, mos pi, rri i qetë sepse çdo problem unë e kam kaluar dhe unë do t’i kaloj. Ti mos e vrit mendjen sepse kur i kam kaluar disa gjëra edhe më të vështira në jetë, do t’i kaloj edhe këto!”
Ajo tregon se e do shumë njerkën e saj, Vjollcën sepse ajo e ka mbështetur dhe e ka pranuar në shtëpi, ndryshe nga e ëma që e dëboi kur kishte më shumë nevojë për të. Ndaj Blerina premton se do ta respektojë sa të jetë gjallë.
Blerina tregoi:
Nëna më dëboi nga shtëpia kur u ndava nga bashkëshorti sepse ishte nusja e djalit në shtëpi. Nëna tha: Nesër, pasnesër ti martohesh, ikën e sheh jetën tënde, unë prapë ngel me djalin. Më mirë ti ik nga shtëpia, unë mbaj djalin. Kam marrë dy fëmijët e vegjël dhe kam fjetur poshtë urës 2 ditë e 2 netë. Babi, unë jam sot këtu vetëm për ty dhe Vjollcën. Ti për mua ke bërë gjithçka. Një kërkesë kam për ty, vetëm alkoolin mos ta përdorësh sepse ty po të shkatërron gjithçka. Kurse Vjollcës i them që e dua shumë dhe ka zëvendësuar vendin e nënës. Unë asnjëherë nuk kam për t’ju lënë. Të flasë kush të dojë, le të flasin pas kurrizit, por unë jam kjo. Kur ta them fjalën që jam me ty, unë jam me ju dhe kam për të qenë sa të jem gjallë.”