Bisedimet që po zhvillohen aktualisht me Greqinë mund të sjellin një zhvillim të shumëpritur për pothuajse 700 mijë emigrantë shqiptarë në shtetin fqinj.
Në intervistën e tij në “Opinion”, ditën e djeshme, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati midis të tjerash tha edhe se është pranë nënshkrimit marrëveshja për njohjen e kontributeve shoqërore.
Një deklaratë e tillë kaloi pa shumë vëmendje, midis çështjeve politike që u biseduan në emision.
Por, nëse me të vërtetë nënshkruhet kjo marrëveshje, emigrantët shqiptarë do të përfitojnë nga njehsimi automatik i kontributeve të tyre.
Kjo do të thotë se vitet e tyre të punës, si dhe kontributet në Shqipëri do të llogariten në funksion të përfitimit të një pensioni grek dhe anasjelltas.
Shqipëria gjithashtu do t’u njohë këtë të drejtë shtetasve grekë, por për arsye të kuptueshme, një marrëveshje e tillë do të favorizojë ndjeshëm Shqipërinë.