Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Kristian Panuçi dëshiron që në rradhët e “kuqezinjëve” të afrojë talentin 19-vjeçar, Mërgim Berisha. Futbollisti me origjinë nga Kosova është në pronësi të skuadrës së njohur austriake të Red Bull Salzburg, ndërsa aktualisht në formë huazimi po luan me fanellën e LASK Linz.
Ai në gjithsej 15 ndeshje kampionale që është aktivizuar me këtë skuadër ka realizuar 3 gola, ndërsa gjithashtu ka realizuar edhe një gol tjetër në tre ndeshjet e tij të zhvilluara në kuadër të Kupës së Austrisë.
Futbollisti konsiderohet si një nga talentët e së ardhmes, ndërsa për një gjë të të tillë janë të vetëdijshëm edhe krerët e Federatës shqiptare të futbollit, të cilët veçmë thuhet se kanë bërë kontaktet e para me këtë talent.
Panuçi dëshiron që të ketë atë në skuadër dhe ti jep mundësinë për ndeshjen miqësore të marsit kundër Norvegjisë. Ftesa është bërë, ndërsa tani pritet edhe përgjigja zyrtare e futbollistit, nëse do të pranojë që të veshë fanellën kuqezi apo jo.