Një regjim ushqimor i larmishëm dhe i pasur nga arrat mund të parandalojë një sërë sëmundjesh.
Arrat janë të afta të frenojnë shumë komplikacione shëndetësore siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe diabeti, thotë një studim ndërkombëtar mbi rolin e arrave.
Shkëncëtarët dhe profesionistët e fushës së Ushqyerjes, Sëmundjeve Kardiovaskulare, Alzheimerit dhe Diabetit janë të bindur se arrat luajnë një rol domethënës në parandalimin e sëmundjeve dhe mirëmbajtjen e shëndetit.
Qytetarët shqiptarë përballen me një sërë sëmundjesh siç janë hipertensioni, diabeti, sëmundjet koronare e shumë të tjera.
Njerëzit duhet të rrisin konsumin e frutave, perimeve, bishtajoreve, drithërave dhe arrorëve.
Këto të fundit janë një burim i pasur i acideve yndyrore mono-të-pangopura.
Fuqi natyrale për zemrën dhe trurin
Ndërkohë që arrat në veçanti përmbajnë sasi të mëdha të acideve yndyrore omega-3 të cilat e mbajnë zemrën të shëndetshme.
Për më tepër, arrat dhe arrorët në përgjithësi janë të dobishëm në përmirësimin e funksioneve të trurit.
Ato pakësojnë rrezikun e sëmundjeve të trurit, sklerozës dhe Alzheimerit.
Në rastin më të keq, këto ushqime vonojnë ose ngadalësojnë progresin e këtyre sëmundjeve të rrezikshme, thonë shkencëtarët.
Arrat janë të vetmet që përmbajnë sasi domethënëse të omega-3 me bazë bimore, dhe acidit alfa linolenik, për të cilat trupi ka kaq shumë nevojë.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org rekomandohet ngrënia e një grushti me arra rregullisht.
Kjo, sepse një sasi e tillë ofron 4 gramë proteinë, dy gramë fibër dhe magnez të bollshëm.
Arrorët përmbajnë shumë ushqyes të rëndësishëm
Profili i tyre ushqimor i bën ato lehtësisht të kombinueshme me një sërë produktesh të stinës.
Shkencëtarët ndërkombëtarë kanë kryer plot 180 studime mbi vlerat e arrave dhe rolin e tyre në parandalimin e sëmundjeve kronike.
Nëpërmjet këtyre studimeve, shkencëtarët kanë përcaktuar më mirë regjimin e duhur ushqimor.
Ashtu si dhe stilin e duhur të jetesës që një njeri duhet të ndjekë që të ketë shëndet të mirë.