Dalin ne drite të tjera detaje nga ngjarja që tronditi fshatin Babunjë në Divjakë, ku një djalë i ri ka qëlluar me automatik në drejtim të një vajze 14-vjeçare.
‘BalkanWeb’ mëson se 22-vjeçari Bajram Krasniqi prej kohësh ngacmonte bashkëfshataren e tij të mitur, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur. Ndonëse ishte në pritje të një sinjali dhe një përgjigjeje pozitive nga ajo, i riu mësohet të ketë marrë lajmin e ‘hidhur’, pasi prindërit e saj kishin vendosur ta fejonin me dikë tjetër.
‘BalkanWeb’ raporton se Krasniqi në inat e sipër, pas lajmit, ka siguruar një armë zjarri automatik, ndërsa ka vendosur të marrë ‘hak’ ndaj vajzës që dashuronte, pasi kjo e fundit refuzoi dashurinë e tij.
EMRI/ Arrestohet 22-vjeçari në Divjakë, qëlloi me armë kundër të miturës
Një 22-vjeçar në Divjakë është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të Vrasë një vajzë 14-vjeçare.
Sipas njoftimit të policisë ai ka qëlluar me armë në drejtim të vajzës.
Njoftimi i policisë
Qëllon me armë zjarri në drejtim të një vajze 14 vjeçare, Policia e Divjakës kap në kohë rekord autorin e ngjarjes.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Bajram Krasniqi, 22 vjeç, banues në Babunjë, Divjakë.
Në datën 10.01.2018, në fshatin Babunjë, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një shtetaseje 14 vjeçe e cila nuk ka pësuar dëmtime.
Në vendngjarje në cilësinë e provës materiale u gjetën e sekuestruan 3 gëzhoja arme zjarri automatik model 56.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga Nenet 79/a/22 dhe 278 të Kodit Penal.