Aspak të shëndetshme
Teksa kërkoja në internet për çokokremin, u terrorizova. Përbërësit më të shumtë të saj, ishin vaji i palmës dhe sheqeri i bardhë, ndërkohë që kakao dhe lajthitë zinin një vend minimal.
Pra im bir ishte dendur në sheqer e vaj palme. Kështu vendosa ta bëj vetë në shtëpi, duke qenë se përbërësit janë tepër të thjeshtë e gjenden gjithkund.
Pas shumë tentativave që më çalonin kryesisht te copëtimi i bajameve arrita të bëj çokokremin perfekt.
E nëse juve keni të njëjtin problem, po ju tregoj mënyrën si bëhet një çokokrem i shëndetshëm. Kryesisht masën e përbërësve e përzgjedh me sy, por si për fillim duhet kjo recetë.
Përbërësit:
80 gram lajthi
100 ml qumesht
60 gram sheqer ngjyrë e kaftë
100 gram çokollatë e zezë
2 lugë gjalpë
Në fillim pjek lajthitë për 10 minuta në furrë të paranxehur, ndërsa në një tenxhere shkrij çokollatën me qumështin. Më pas lajthitë e pjekura i fus në mikser.
Duan pak punë për t’u copëtuar se shpesh ngelin thërrime-thërrime dhe fëmijët nuk e pëlqejnë. Për t’i dhënë pak ndihmë në mikser shtoj edhe sheqerin e kuq (apo ndryshe sheqerin kaf) e më pas 2 lugë gjalp.
Vazhdoj t’i përzjej për disa minuta. Më pas i shtoj çokollatën e shkrirë në qumësht duke mos ndalur së përzjeri.
Pasi të gjithë përbërësit shkrihen me njëri tjetrin, i fus në enën e çokokremit të supermarketit, të cilën e ruaj sepse maskoj çokokremin e bërë në shtëpi.
Im bir është ende i vogël dhe duhet të vazhdojë të besojë se të gjitha ushqimet që sheh në market apo TV janë të mira.
Pasi ftohet për dy-tri orë, e le po kaq kohë edhe në frigorifer dhe është gati për përdorim. Ndërkaq edhe për akulloret përdor sërish çokokremin tim dhe është mjaft e lehtë.
Në mikser fus gjysëm kavanozi çokokrem, i shtoj qumësht dhe një paketë vanilje. Pasi i miksoj, mbush format e gatshme dhe i vendos në akull.
Kështu të paktën dy kërkesat më të zakonshme të fëmijës tim i zgjidh në mënyrën më të shëndetshme për të.
Jo vetëm çokokrem
Të njëjtën gjë kam nisur të bëj edhe me patatinat. Në këtë rast përdor patate të freskët të prerë hollë me renden thikë, të cilat i kripos, i hedh një pikë vaj ulliri dhe i pjek në furrë me 200 gradë deri sa të zverdhen e të bëhen krokante.
Mos harroni që maskimi i paketimit është i nevojshëm edhe në këtë rast, sepse fëmija është më inteligjent sa ne e mendojmë.