Masat e marra nga Policia Vlorë për garantimin e rendit e qetësisë publike për festat e fundvitit.
Policia Vlorë ka marrë masa shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe të jashtëzakonshme, rritjen e sigurisë në komunitet dhe në akset rrugore, bashkëpunimin me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për krijimin e kushteve të zhvillimit normal të aktiviteteve që do të zhvillohen në territorin e qarkut Vlorë përgjatë këtyre ditëve. Ne komunikim me median kreu i policise Gentjan Shehaj tha se :
Masat e marra:
》Do të ketë një shtim të shërbimeve të Policisë Rrugore në linjat ndërqytetëse dhe ato të trafikut, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, disiplinimin e mbajtjen nën kontroll të trafikut rrugor, si dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rast të ndodhjes së ngjarjeve automobilistike.
》Sigurimin e qarkullimit rrugor normal, parandalimin e trafikut të rënduar të automjeteve në rrugët kryesore dhe dytësore brenda qyteteve dhe veçanërisht në qendrat kryesore ku do të ketë aktivitete festive.
》Do të zhvillohen kontrolle në të gjithë teritorin e qarkut për respektimin e rregullave të magazinimit, shitjes së lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, me qëllim shmangien e ngjarjeve aksidentale e me pasoja për qytetarët.
》Do të ketë shtim të numrit të patrullave policore me qëllim kontrollin e teritorit, rritjen e prezencës policore, kontrollin e zonave të nxehta, forcimin e masave për ruajtjen e sigurimin e objekteve të rëndësishme duke ngritur pika kontrolli, për kontrollin e elementeve me precedent e atyre që mbajnë armë pa leje.
》Do të ushtrohen kontrolle në ambientet që dyshohet se frekuentohen nga personat me precedent kriminal e penal, si edhe kontrollin e automjeteve që kanë në përdorim.
》Strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante, apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj.
》Janë evidentuar dhe organizuar shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale të lojërave të licencuara të fatit dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale.
Këshillohen prindërit të kenë nën kujdes fëmijët e tyre gjatë përdorimit pakriter të fishekzjarrëve me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale me pasoja.
Lidhur sa më sipër kërkohet mirkuptimi, ndihma dhe bashkëpunimi i qytetarëve.
Të kontaktohet me Policinë për çdo problem, shqetësim apo informacion në numrat e kontaktit : 129, 0694110242, 0694118392.