Në mbledhjen e orës 17:00 të Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, është paraqitur harta e përditësuar e rrezikut nga përmbytje të IGJEUM për sot dhe nesër.
Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit: të gjitha qarqet përveç Korçës, janë ngjyrosur me të verdhë. Ç’ka do të thotë se mundësia për përmbytje është e ulët.
Ndërsa në Korçë nuk parashikohet rrezik për përmbytje.
“Në mëngjesin e ditës së nesërme, sipas parashikimit të Gjeoshkencave nuk do kemi dalje të ujërave nga argjinaturat e lumenjve për të pasur shtim prezence uji në tokat e përmbytura”, tha Shemsi Prenci, kreu i Emergjencave Civile.
Situata vijon të jetë problematike
Megjithatë, situata vijon të jetë problematike në disa zona të vendit.
“Janë përmbytur 3193 banesa dhe 40 biznese, ndërsa sipërfaqja nën ujë është 7874 ha, tha Sandër Llleshi”, këshilltari i kryeministrit Rama.
Ndërkohë, problematike mbeten prurjet në lumin Vjosë. Uji i lumit vijon të dalë nga shtati dhe të vërshojë në toka.
“Problemi kryesor mbetet prurja ne Vjosë, ende është mbi vlerën kritike. Vlera kritike është rreth 120 m2/sec, ndërkohë tani jemi te 2.000 m2/sec, dhe pritet që në datën 4 të shkojë në nivelin kritik, duke iu afruar nga lart nivelit, pastaj të zbresë nën nivelin kritik. Kjo është pritshmëria”, tha Llleshi.
Në kaskadën e Drinit, Fierza është nën nivelin kritik, por afër, ndërsa Komani dhe Vau i Dejës janë në këtë nivel dhe bëhen shkarkimet, shtoi ai.