Dy incidente të fundit kanë përforcuar qëndrimin e administratës Trump kundër sistemit aktual të emigracionit në SHBA të bazuar tek lidhjet familjare, sistem të cilin Presidenti Trump e konsideron një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Tyler Houlton, sekretar shtypi në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, tha dje se agjencia e tij “konfirmon se i dyshuari për sulmin terrorist në Harrisburg të Pensilvanisë, si dhe një e dyshuar tjetër e arrestuar për pastrim parash me qëllim terrorizmin, patën përfituar nga emigrimi nëpërmjet të afërmve të tyre”.
Zoti Houlton tha se të dyja incidentet “nxjerrin në pah shqetësimin e administratës Trump për emigracionin zinxhir përmes lidhjeve të gjera familjare”.
Dje një person i armatosur në Harrisburg, i ardhur si emigrant nga Egjipti, qëlloi me armë ndaj oficerëve të policisë dhe patrullave në disa vendndodhje, përpara se të vritej.
Ahmed Aminamin El-Mofty qëlloi një oficere të patrullës, por zyrtarët thonë se gjendja e saj shëndetësore pritet të përmirësohet.
Një i afërm i të dyshuarit tha se familja është e shtangur nga veprimet e tij. Ahmed Soweilam i tha mediave se motra e tij ka qenë e martuar me të dyshuarin El-Mofty, por se janë ndarë gjashtë vite më parë. Ai tha se ish-kunati i tij pati punuar për disa kohë si roje sigurie dhe se më vonë kishte shkuar në Egjipt, për t’u rikthyer në SHBA vetëm disa muaj më parë. “Ai nuk është njeri perfekt, por nuk është agresiv”, tha zoti Soweilam.
Zëdhënësi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tyler Houlton, informoi se “një zinxhir i gjatë emigracioni” pati mundësuar “pranimin e të dyshuarit në Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kërkesës së një të afërmi të largët të bërë vite më parë”.
Gjatë një tjetër incidenti, një grua pakistaneze që hyri në SHBA nëpërmjet sistemit të emigracionit të bazuar tek lidhjet familjare, është akuzuar për pastrim parash nëpërmjet monedhës virtuale Bitcoin, si dhe për transferta parash drejt xhihadistëve të Shtetit Islamik. Avokati i të akuzuarës Zoobia Shahnaz deklaroi se klientja e tij po përpiqej të ndihmonte refugjatë sirianë.
Zoti Houlton tha se emigrimi nëpërmjet të afërmve “është shfrytëzuar nga terroristët për të sulmuar vendin tonë” dhe se sistemi i emigracionit të bazuar tek familja “e vështirëson ndalimin e hyrjes së personave të rrezikshëm në Shtetet e Bashkuara dhe mbrojtjen e sigurisë së çdo amerikani”. Ai shtoi se një sistem emigracioni i bazuar tek meritat “përdoret nga pothuajse të gjitha vendet e tjera”.
Mbështetësit e një sistemi emigracioni të bazuar tek meritat thonë sistemi aktual ul nivelin e rrogave dhe çinkurajon asimilimin.
Ata thonë se një sistem i bazuar tek meritat do të ulte nivelin e emigracionit dhe do të mundësonte që emigrantët që vijnë në SHBA të kenë aftësi të larta dhe të mos kenë nevojë për mbështetje nga fondet publike.
Presidenti Trump ishte shprehur më herët se “për dekada të tëra, Shtetet e Bashkuara kanë patur një sistem emigrantësh me aftësi të ulëta, duke u dhënë një numër rekord kartash jeshile emigrantëve me paga të ulëta. Ky sistem emigracioni ka ushtruar presion të konsiderueshëm ndaj punëtorëve amerikanë, taksapaguesve dhe burimeve të komunitetit”.
Por, kritikët thonë se ekonomia amerikane ka nevojë edhe për punëtorë me aftësi të ulëta, dhe se një sistem i bazuar tek merita do të dëmtonte industritë që mbështeten nga këta punëtorë.
Një sistem i bazuar tek merita gjithashtu do t’i kushtonte më shumë qeverisë, pasi do të shqyrtoheshin aplikime dhe do të paguheshin fonde për rivendosjen e të ardhurve, shpenzime të cilat aktualisht përballohen nga familjarët e tyre.
Kritikët gjithashtu e shikojnë një sistem të bazuar tek merita si jo-amerikan.
Udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u shpreh se një sistem i bazuar tek meritat “do të braktiste respektimin thelbësor për familjen, thelbin e asaj që ne besojmë dhe asaj që përfaqësojmë si amerikanë”.