Pak muaj më parë, ajo u bë pjesë e lajmeve për shkak të tentativës së saj të vetëvrasjes në Kishën e Shna Ndout në Laç. Ardita Grabocka në shtator të këtij viti preu damarët në vendin e shenjtë dhe për t’u kërkuar publikisht falje familjarëve të saj, ajo u paraqit në studion e rubrikës ‘Me zemër të hapur” në “E diela shqiptare” ku kishte ftuar nënën e saj.
“Njoha një djalë në Facebook para shtatë vitesh. Unë banoja në Korçë, ai ishte nga Laçi. U lidhëm bashkë dhe pas 4 viteve lidhje, vendosëm të bashkëjetonim dhe shkuam në Vlorë ku ai bënte shkollën. Bashkëjetuam për 3 vite. Ishim shumë mirë deri para një viti. Ftohja filloi kur nisa dhe unë punë pasi nuk komunikonim më dhe nuk kishim më kohë për njëri-tjetrin. Pasi mbaroi shkollën, ai më tha të lija punën, por unë vazhdova me kokëfortësinë time.”-tregoi Ardita, duke rrëfyer më pas se ata ishin ndarë si pasojë e situatës së rënduar.
“Vendosa të shkoja ta takoja se e kisha të pamundur të largohesha nga ai. Doja t’i shprehja dashurinë që kisha kohë që nuk ia shprehja. U takuan dhe familjet tona për të vendosur se çfarë do të bënim. Unë nuk fola asnjë fjalë, vetëm dëgjova dhe më pas u largova.”-rrëfeu vajza në emision, për të treguar më pas, sesi tentoi t’i jepte fund jetës.
“Shkova në Kishën e Laçit. Pasi preva damarët, mora familjarët për t’u thënë ku isha që të më gjenin më pas. Më gjetën kalimtarët dhe më çuan në spital e në polici. Shkova në shtëpi por nuk kemi folur dhe as ata nuk më kanë ngacmuar. Kam thirrur mamin këtu që t’ kërkoj falje për veprimin tim sepse edhe më pas, unë i thosha që do ta përsërisja. Ia thoja dhe Taulantit që do ta bëja prap. Jo për ta kërcënuar, por për t’i thënë që unë jepja dhe jetën për të. Në spital më pyeti pse e bëra. I thashë që s’mund të jetoja pa të. Më tha vetëm që të mundohesha të ecja përpara dhe të bëhesha e fortë.”- u shpreh e prekur Ardita.
Pasi e ëma mbërriti në studio, e përlotur ajo i kërkoi asaj dhe fmailjarëve falje për veprimin, si dhe i premtoi se do ta mbante fjalën dhe do të qëndronte në Tiranë, ashtu siç e ëma i kërkoi.