Loading...

Treshja e famshme e Dukatit, një pirosti e përkryer njerëzore ! Te tre tokë, te tre shokë, te tre kokë me kokë !

Për treshen e famshme të Dukatit; Leko Gjoleka, Bego Vangjeli e Sulo Bozhani

Do nisnin të bënin emër qysh kur ishin njëzet vjeçare, atë kohë kur në FFK të Lezhës, andej nga viti ’66 i shekullit të kaluar, do këndonin këngën që hyri e mbeti gjatë në histori : “Pesqind vjet kanë kaluar, Kapedan o Skënderbe…”, me tekst të rapsodit që më von do njësohej me vet grupin e Dukatit, Dule Havari.

Në fakt në skenë, jashtë fshatit e Vlorës, ishin ngjitur dy vite më parë, më 1964 kur në Elbasan do organizohej një koncert i madh për shkollën shqipe.

Këto ishin dy daljet e para për tre djemtë e rinj dukatas në skena kënge, dy dalje që i prinë daljes së madhe të vitit 1968, në Kalanë e Argjirosë, aty ku nisi FFK i Gjirokastrës dhe që, prej at’here, edhe dukatasit e këngës nuk do të ktheheshin më pas.

Në Festivalin e parë të Gjirokastrës u ngjitën me këngë, valle e cyla dyjare, ndërkohë që pesë vite më pas, në 1973 me të rrallën Pika Gjoleka do të trondisnin mjediset polifoni-dashëse me të pa përsëritshmen plot pathos e ritme si erë Llogarai ” O trima flini të qetë…”.

E veçanta e grupit historik të Dukatit, veç këngës e valles plot shpirt e dufe, mbetet një Treshe karakteristike që ka lindur atyre anëve, është lëvruar e përsosur po aty e tjetër kund as mund të kopjohet e as mundesh ti afrohesh.Deri sot e pa ngjizur në tjetër derë.Kjo këngë, ky lloj të kënduari, pa as më të voglin dyshim djepin e ka në Dukat.

Dhe ka mbi gjysëm shekulli që zot autentikë ka tre burra. Të tre të pa ndarë, të tre tok, të tre shok, të tre kokë më kok. Leko Gjoleka, Bego Vangjeli e Sulo Bozhani – tre burrat e këngës monumentale, gati proverbiale…Një pirosti e përkryer njerëzore si e prerë për këtë mënyrë të kënduari.Tre burra që të vetëm e pa asnjë tjetër e pa u kuptuar fare, ashtu me bërrylin e dorës mbështetur mbi njerën këmbë e pëllëmbën diku nën vesh e mbi faqe, harmonizojnë katër e më shumë zëra bashkë.

Edhe ja marrin, edhe ja kthejnë, edhe ja hedhin e mbajnë iso por…seç nxjerrin edhe ndonjë avaz tjetër që vetëm ata mund ta realizojnë.Treshja me famë e Dukatit shënon një rekord pjesëmarrje kur mëson se është deklamuar në 8 Festivale Kombëtare Folklori nga ku në të gjitha është shpallur laureant.E kush sa ka dëgjuar ” O Dervish Aliu dole” apo “Ranë kartërat në Vlorë” apo lirikën e kadifenjtë ” Atje te lisi në brinjë, Moj Maro, moj Marinë…”.

Në vitin 1989, në përbërje të Ansamblit ” Labëria” të Vlorës, treshja e famshme e Dukatit do befasonte artëdashësit francezë, ndërsa vite më pas me mrekullinë e tyre do çudisnin nga skenat e Italisë, Moldavisë e Hollandës, këtë herë në përbërje të Grupit Folklorik ” Bilbili” të Vlorës, duke treguar jo vetëm fuqinë integruese të kulturës së brezave por mbi të gjitha nevojën që ka çdo kohë e çdo shoqëri për artin e vërtetë. Për këngën që vjen nga rrënjët e nga shpirti i popullit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com