Seanca dëgjimore e Saimir Tahirit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ditën e sotme, është shoqëruar me momente tensioni nga ana e ish-ministrit të Brendshëm.
Përpara gjyqtares Liliana Baku, Tahiri ka kërkuar heqjen e masës së bllokimit të pasaportës, duke deklaruar se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.
Ish-ministri i Brendshëm ka lënë të habitur gjyqtaren Baku duke deklaruar se mund ta mbajë në burg, por se ai lufton për “principe”.
Sipas dëshmitarëve brenda sallës, mësohet se Tahiri u vetëmbrojt duke thënë se:
Nuk e kam problemin tek masa, mund të më mbani edhe në burg, por problemin e kam te principi. S’keni prova te reja, këto prova i keni pasur që në datë 20 tetor, por pse e keni kërkuar një muaj e disa dite me vonesë këtë bllokim? S’ka asnjë provë të re. Kam qene në dijeni të këtyre provave që atëherë”.
Ndërkohë, sapo mbaroi seanca,ish-ministri foli shkurt për gazetarët, duke deklaruar se do të fliste së shpejti, duke lënë të kuptohej se nuk ishte i përgatitur për të folur gjatë.