Dibra është tronditur mbrëmjen e djeshme nga një shpërthim me lëndë plasëse në një automjet.
Rreth orës 20:15 në sallën operative të policisë ka mbërritur një
telefonatë se në fshatin Pjeçë është dëgjuar një shpërthim.
Efektivët e Policisë mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes dhe
konstatuan se në këtë fshat, që i përket njësisë Administrative Melan,
brenda rrethimit të banesës së shtetasit me inicialet Z.S., është
vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse.
“Si pasojë e këtij shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar, por vetëm dëme të
vogla materiale ku është dëmtuar pjesërisht automjeti tip “BMW X5”,
në pronësi të shtetasit Y.T”, thanë zyrtarë të Policisë Peshkopi.
Sakaq hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë pasi nuk është ende
e qartë nëse autorët kanë pasur si objektiv banesën e shtetasit Z.S.,
apo automjetin e mikut të tij Y.T. Ky i fundit, sipas Policisë, kishte
shkuar si mik në banesën ku ndodhi ngjarja, por makina e tij “BMW
X5” pësoi dëmtime.
Sasia e lëndës plasëse, e cila dyshohet të ketë qenë tritol, nuk ka qenë e
madhe, çka dyshohet se autorët kanë pasur qëllim të japin një
mesazh. Por blutë janë ende të paqartë nëse objektivi ka qenë i zoti i
shtëpisë apo pronari i makinës, pasi ky i fundit ndodhej si mik në
fshat.
Ndërkohë nuk konfirmohet që asnjëri prej tyre të ketë konflikte apo
probleme me ligjin, çka ia ka vështirësuar punën grupit të hetimit.
Mësohet se janë marrë në pyetje të dy personat, por ata kanë ngritur
supet dhe nuk kanë dhënë një emër konkret si të dyshuar, për faktin
se sipas tyre ata nuk kanë asnjë konflikt me persona të tjerë.
paraprakisht blutë shoqëruan disa të dyshuar, të rinj në zonë, por
pasi janë marrë në pyetje, ata u lanë të lirë.