Loading...

Shkodrani rrëfen tmerrin për 5 mijë euro

Flasin familjarët e familjes në Dobraç të Shkodres e cila u terrorizua 2 ditë më parë nga grabitës të armatosur që i sulmuan sapo dy djemtë dolën nga shtëpia.

Alban dhe Armend Selimi ishin duke shkuar në punë kur personat e maskuar hynë në banesë dhe kërcënuan fillimisht nënën e tyre.

Më pas ata kanë hynë brenda banesës dhe nën presionin e armës kërcënuan dy vajzat e martuara, që kishin ardhur për vizitë dhe fëmijët e tyre të mitur.

Zonja e shtëpisë ndonëse kishte përballë personin e armatosur, ka marrë në telefon  djalin e saj, por grabitësit kanë arritur të arratisen pasi morën 5 mijë euro.

I zoti i shtëpisë Anton Selimi ka treguar për “Panoramën” momentet e tmerrit që familja përjetoi:

Si ndodhi grabitja?

Ngjarja ka ndodhur në mëngjes. Sapo kanë dalë dy djemtë, grabitësit kanë qenë duke na ruajtur me një makinë tek dera e komshisë. Djemtë kanë kaluar dhe kanë shkuar për të pirë një kafe afër punës. Në atë moment brenda banesës kemi qenë vetëm unë, dy vajzat që kanë ardhur për vizitë, sepse janë të martuara, fëmijët e vajzave dhe gruaja ime. Janë futur në oborr me një “Alfa Romeo” ngjyrë gri. Të gjithë të armatosur dhe të maskuar. Gruas sime i kanë vënë automatikun në kokë dhe e kanë shtrirë për tokë duke e goditur. Janë futur brenda banesës. Kanë goditur edhe vajzën time, njërën me qytën e armës dhe më pas kanë pyetur se ku janë lekët. Vajza i ka treguar, dhe shumë mirë që i ka treguar. Kanë shpërthyer raftin dhe kanë marrë rreth 5 mijë euro. Më pas janë larguar. Njëri prej djemve është lajmëruar nga gruaja ime dhe ai është nisur me shpejtësi drejt shtëpisë. Mirë që nuk bëri aksident, sepse rruga është e ngushtë dhe e paasfaltuar e po ashtu në atë orar ka pasur trafik për shkak të makinave që çonin fëmijët në shkollë. Brenda një viti kanë ndodhur edhe 5 raste të tjera grabitjesh në këtë zonë, por nuk e di nëse kanë bërë denoncime. Të gjitha këto vjedhje janë bërë ditën, thuajse në të njëjtin orar.

Ju kërcënuan me jetë autorët?

Gruas sime i kanë rënë kokës, e kanë shtrirë për tokë dhe nën kërcënimin e armës i kanë thënë mos lëviz se t’i hedhim trutë në tokë. Më pas kanë hyrë brenda ku ka pasur një fëmijë 2 muajsh, tjetri 2 vjeç, djali tjetër 4 vjeç. Si dhe dy vajzat e mia.

Si kanë vepruar brenda në shtëpi pasi janë futur?

Fillimisht, kanë kontrolluar vetë, por shumë pak më pas kanë bërtitur kur kanë parë vajzën time: “ku janë lekët, ku janë lekët?”. Ajo, e terrorizuar dhe nga frika se mos qëllojnë ndonjë prej nesh apo fëmijët, u ka treguar se janë në raft. Njëri prej tyre me levë ka hapur raftin, sepse ka qenë me çelës dhe ka marrë 5 mijë eurot. Ka pasur edhe lekë shqiptare, por nuk i kanë parë dhe kanë marrë veç eurot.

Sa persona ishin?

Ishin 4 vetë. Të gjithë të armatosur dhe të maskuar. Tre kanë hyrë në banesë dhe një ka ruajtur jashtë. Kur këta tre kanë hyrë brenda, gruaja ime ka pasur telefonin dhe ashtu si ka qenë ka njoftuar njërin prej djemve. Ka rrezikuar shumë, por është tip me karakter të fortë dhe e ka bërë veten të vdekur me idenë për të shpëtuar vajzat dhe fëmijët që ndodheshin në banesë. I ka thënë djalit: “hajde shpejt se po na grabisin dhe është duke u bërë nami i zi”. Pastaj djali është çuar menjëherë nga kafja është nisur me shpejtësi dhe pas tij edhe djali tjetër. Djali im është ndërruar me ta me makina, por grabitësit janë futur në rreshtin e makinave të tjera dhe djali nuk ka mundur ta kuptojë se cilët janë dhe ka menduar se do i gjejë në banesë. Ka ardhur tek banesa djali, por ata kishin ikur dhe më pas ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Ka qenë një terror total për ne, kryesisht për fëmijët. Shyqyr që nuk kishte dëme në njerëz, ndonjë të plagosur, larg qoftë, a diçka e tillë.

Ka ardhur Policia për të kryer veprimet?

Po djali e ka njoftuar. Ka marrë 129-ën për të njoftuar në telefon. Tri herë i ka rënë dhe ata në Polici nuk besonin, sepse kujtonin se djali ishte duke luajtur. Një herë nuk e kanë çuar fare telefonin. Më pas, për 10 minuta, erdhi policia.

Grabitësit ishin në moshë të re?

Po, rreth 30 vjeç kanë qenë. Flisnin dialektin shkodran. Unë mendoj se janë grupe kriminale të strukturuara mirë, sepse nuk kanë qëndruar më shumë se 5 minuta në banesë dhe kanë vepruar me saktësi duke arritur objektivin e tyre. Po jetojmë me shumë frikë tashmë. S’ke garanci për asgjë. Kështu është situata në Shqipëri, s’ka garanci për asgjë në botë. Në tri banesa të tjera kanë hyrë hajdutët kur s’ka qenë askush brenda dhe në disa raste kur kanë qenë në banesa.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com