Shqiptarët therin gjelin e detit, pastrojnë shtëpinë dhe përgatisim bakllavanë; këto janë disa prej traditave të vitit të ri në vendin tonë. Po sikur t’ju themi që ka vende, ku nuk mund të festohet Viti i Ri pa ngrënë 12 vakte bashkë në mbrëmjen e ndërrimit të viteve?
Shfletoni për të parë 20 ritet e Viti të Ri në 20 vende të botës!
Nëse keni një shpirt aventurier, Kolumbia është vendi i duhur për ju. Për Vit të Ri, banorët ecin nëpër lagje duke tërhequr pas një valixhe bosh, si një rit për të ndjellë një vit të ri plot aventura!
Peru
Banorët e provincës së Chumbivilcas-it në Peru, marrin pjesë në atë që quhet ‘Takanakuy’, një ndeshje me grushte mes fqinjësh. Njerëzit ndeshen fizikisht për të nxjerrë inatet e vitit që po mbaron gjatë një festivali që zgjat gjithë ditën e 25 dhjetorit, për t’a nisur vitin e ri, pa mllefe!
Zvicër
Qytetarët zviceranë e mirëpresin vitin e ri duke hedhur në tokë një kaush me akullore. Por ky nuk është një shpërdorim; është një zakon që thuhet se sjell begati në vitin që sapo ka nisur.
Bolivi
Ngjyra e të brendshmeve është paracaktuese e fatit që ju pret në vitin e ri, të paktën kështu është në Bolivi. Një palë të brendshme të kuqe thuhet se ju sjellin dashuri, ndërsa një palë në ngjyrë floriri ju sjellin mirëqenie dhe pasuri për 12 vitet e ardhshme. Mos guxoni të vishni të zeza!
Skoci
Në Skoci, personi i parë që kalon pragun e derës së një skocezi paracakton fatin që do të ketë ai në vitin e ardhshëm. Ndaj, vizitorët e parë në shtëpinë e skocezëve sjellin me vete dhurata, kryesisht, uiski.
Rumani
Mund të keni dëgjuar për ‘leximin e gjetheve të çajit’. Po për atë të qepëve? Disa njerëz në Rumani qërojnë lëvozhgat e qepës më 31 dhjetor, dhe më pas përpiqen të lexojnë në to atë çfarë u është parashkruar për vitin pasardhës.
Përsëri, Rumani
Një tjetër traditë rumune për vitin e ri është ‘Kërcimi i Arinjve’. Kjo festë mbahet në disa fshatra të Rumanisë, por mos u trembni; ata arinjtë e vegjël që do të shihni, janë vetëm njerëz që janë maskuar për të trembur shpirtrat e këqij, që ata të mos vijnë gjatë vitit që vjen.
Danimarkë
Sa më shumë qelqe të thyera të gjesh tek pragu i derës, aq më shumë të duan, në Danimarkë. Për të festuar Vitin e Ri, banorët thyejnë pjata dhe gota në pragjet e dyerve e miqve apo të afërmve që u pëlqejnë më shumë.
Kili
Nëse dëshiron një vit të begatë në Kili, atëherë bën mirë të gatuash thjerrëza për darkë. Kilianët hanë të paktën një lugë nga gjella me thjerrëza në mesnatë, për të ndjellë një vit të ri me sa më shumë punë. Po, punë. Sepse puna nënkupton para.
Finlandë
Finlandezët e festojnë vitin e ri duke hedhur teneqe të shkrirë në ujë. Forma që do të marrë ajo thuhet se mund të rrëfejë atë që duhet të presin nga viti i ardhshëm.
Estoni
Sa më shumë të hash në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, aq më i bollshëm do të jetë Viti i Ri në Estoni. Le të themi që në këtë vend nuk ngelet asgjë për t’u ngrënë në mëngjesin e 1 janarit. Pak e çuditshme.
Brazil
Në Brazil, festuesit vishen me të bardha për të mirëpritur vitin e ri. Dihet se e bardha përfaqëson mbarësi dhe mendohet se largon shpirtrat e errësirës.
Ekuador
Nisja e një viti të ri presupozon të ndryshuarit të gjërave në të cilat ke gabuar gjatë vitit të shkuar. Në Ekuador, banorët djegin në prag të ndërrimit të viteve foton e diçkaje që ata nuk duan ta kenë më gjatë vitit të ri. Gjithashtu mund të digjen dordolecët si rit për largimin e shpirtrave djallëzorë.
Irlandë
Irlandezët e festojnë Vitin e Ri duke goditur murin me simitet e bukës; një lëvizje që besohet se largon shpirtrat e ligë.
Argjentinë
Mos guxo të të zërë gjumi në natën e ndërrimit të viteve në Argjentinë! Sepse, nëse befas zgjohesh kur ora të jetë 12 dhe nga përgjumja e bën hapin e parë me këmbën e majtë, do të jetë një vit i tmerrshëm! Në mesnatë, argjentinasit bëjnë kujdes që hapi i parë që hedhin në vitin e ri, të jetë me këmbën e djathtë.
Bjellorusi
Harrojini buqetat me lule: Në Bjellorusi, ai që e di mirë se kush do të martohet në vitin e ri, është gjeli. Femrat ulen në formë rrethi me nga një kalli misri në dorë. Zonjusha që ka misrin fatlum, i cili do të jetë i përzgjedhuri i gjelit për t’u ngrënë, është e përkëdhelura e fatit për t’u martuar!
Spanjë
Në Spanjë është e zakonshme që për vit të ri, njerëzit të hanë 12 kokrra rrushi në mesnatën e ndërrimit të viteve. Besohet se 12 kokrrat e rrushit sjellin 12 muaj të mirë gjatë vitit që sapo ka hyrë.
Belgjikë
T’u urosh vitin e ri miqve dhe të afërmve, nuk do të thotë gjë, nëse je në Belgjikë. Atje duhet t’u japësh bekimet edhe qenieve të tjera të gjalla, mbi të gjitha bagëtive. Arsyeja? E thjeshtë. Nuk do të donit të kishit një lopë të pamotivuar për të bërë qumësht! Ky zakon besohet të sjellë begati dhe mirëqenie.
Afrika e Jugut
Jashtë e vjetra, të rrojë e reja! Në Johannesburg, Afrikë e Jugut, njerëzit e festojnë vitin e ri duke hedhur gjërat e vjetra që nuk u hyjnë më në punë, si televizorët, karriget apo pajisje të tjera. Por bëni kujdes kur të jeni duke kaluar ndanë një pallati; zakoni e do që ato të hidhen nga dritarja!
Filipine
Në Filipine, tavolinat mbushen me fruta të rrumbullakëta në vigjiljen e vitit të ri. Forma e tyre e rrumbullakët simbolizon monedhat. Sa më shumë të tilla të kesh mbi tavolinë, aq më i begatë thuhet se do të jetë viti i ardhshëm.