Avokat Spartak Ngjela i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ të Denis Mingës në Report Tv ka komentuar vendimin e Presidentit Ilir Meta për dhënien e shtetësisë për Kryepeshkopin Janullatos. Ngjela thotë se Janullatosi e ka dëmtuar autoqefalin e kishës, ndërsa Presidenti u nxitua për dhënien e shtetësisë sepse do të vijë reforma në drejtësi dhe deri në mars do të ketë shumë zhvillime. “Kisha Autoqefale është përpjekje e njerëzve të mëdhenj.
Kisha greke ka bërë luftë kundër gjuhës shqipe dhe ka vrarë 3 ose 4 priftërinj dhe pas gjithë kësaj beteje kundër gjuhës shqipe, të heqësh autoqefalin dhe që Fan Noli e konsideron një nga veprat e mëdha… Çështja është që në këtë histori që këta nuk e njohin, të heqësh autoqefalin është njëlloj sikur ti japësh rrugë asaj që ata i thonë ‘Vorio Epir’. Janullatosi e ka dëmtuar autoqefalin e kishës. Meshat nga Janullatos bëhen greqisht.
Po përse i duhet një peshkopi grek shtetësia shqiptare? Nuk i duhet një shtetësi e re. Por ai e do sepse doktrina e autoqefalisë dhe statusi nuk e pranon një njeri që nuk është nënshtetas. Ai ka 27 vite këtu sepse politika shqiptare ka qenë e korruptuar nga fqinjët. Ai e do shtetësinë që të qëndrojë vetë atje. Meta u nxitua se reforma në drejtësi do të vijë dhe marsi nuk i gjen këta. Do të ketë flukse patriotësh që nuk do i lejonin dhe ky shpejt e shpejt ia dha. Presidenti gaboi se nuk njeh historinë, plus interesit me fqinjët. Këta janë të lidhur se i ka trembur Reforma në Drejtësi, po më kot lodhen”.