Fotoja që ka postuar presidenti Ilir Meta në faqen e tij zyrtare në Facebook për të njoftuar dhënien e shtetësisë shqiptare Kryepeshkopit të Shqipërisë Janullatosit, po bën xhiron e rrjetit.
Shumë pak persona mund ta kenë kuptuar se Meta për të shprehur harmoninë fetare me anë të fotos, ka bërë zgjedhjen e gabuar.
Detaji që bie në sy është se i vetmi që është ende gjallë në foto është vetë Janullatos.
Ish-kreu i përfaqësuesve bektashinj Reshat Bardhi, ish-kreu i besimit katolik shqiptar Rrok Mirdita dhe ish-kreu i myslimanëve Selim Muça, janë ndarë nga jeta.
Meta shkruan në statusin e tij:
Të dashur miq,
Në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos.
Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë.
Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë.
Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve!