Loading...

Lirim Nezha – Forcat partizane u sollen si kanibale ne Dukat ! 10 Ermat e burrave qe u vrane ne 1 Dhjetor 1943.

Nga Lirim Nezha

Nëse përgjatë shtatëdhjetë e katër viteve të shkuara është folur gjithmonë dhe janë nderuar përms ceremonish të vecanta të gjithe ata që u quajtën Dëshmorët e Atdheut(Disa prej të cilëve ishin vërtetë të tillë),unë sot kam zgjedhur që përmes këtyre radhëve të bëj një homazh për disa nga ata që edhe pse u vranë në të njëjtat rrethana,jo vetëm që nuk u quajtën dëshmorë,por u baltosën me etiketime nga më të ndryshmet dhe më të qelbëtat që prodhonte makineria e diktaturës komuniste.

Saktësisht kam zgjedhur të shkruaj dicka për tetë shqiptarë të mirë,dukatas të ndershëm e patriotë të cilët humbën jetën në një përplasje tragjike mes shqiptarësh në një kohë lufte,madje në kulmin e intensitetit të saj,në 30 Nentor 1943,në atë që më vonë mori emrin “Lufta e Dukatit” e që nuk u njoh kurrë si krenari e komunizmit dhe komunistëve,por si një njollë e errët e LANC-it.

Në atë përballje të inskenuar me kujdes nga komunistët që drejtonin luftën u përpoq të vihej në jetë strategjia e Dushanëve dhe Miladinëve për të vënë përfund cilindo fshat apo krahinë rebele që kishte zgjedhur tjetër rreshtim për të luftuar pushtuesin.E gjitha kishte të bënte me veshtrimin e tyre të largët për të mos e ndarë pushtetin e pasluftës me askënd.Marrëveshja e Mukjes tashmë kishte rënë,ishte tradhëtuar nga komunistët dhë po luftohëj ngado në Shqipëri për të eleminuar të gjitha alternativat e tjera duke I etiketuar si tradhëtarë dhe kolaboracionistë.

Atë fund nëntori të vitit ’43 ishte radha e fshatit Dukat,burrat e të cilit ishin rreshtuar më së shumti me Ballin Kombetar edhe pse veprimtaria e tyre ishte sporadike.Dukati ishte thuajse nën ndikimin e plotë të Hysni Lepenices dhe Skënder Mucos.Ata ishin të interesuar që të mbronin mallin dhe gjënë.Ishin të interesuar që të mos u cënohej jeta e fëmijëve dhe familjeve të tyre.Ishte kjo arsyeja që refuzuan marshimin e brigadave partizane mespërmes fshatit.Inteligjenca e tyre natyrale ishte e mjaftë për të kuptuar se qëllimi I Brigadave Partizane ishte që të bënin reprezalje ndër krerët e fshatit e të krahinës dhe ta quanin paskëtaj zonë të cliruar edhe Dukatin.Por dukatasit e dinin mirë se cdo të thoshte barbari komuniste pas të cilës ndoshta do të duhej të ndesheshin edhe me barbarinë naziste.Ndaj refuzuan të pranonin marshimin partizan,por ndërkohë e dinin mirë se do të ndesheshin me pabesinë e tyre dhe për këtë u përgatitën fort.U betuan t’i prisnin ashtu si e meritonin.

Mbrëmjen e 30 Nëntorit duke u gdhire 1 Dhjetori 1943 disa prej burrave të Dukatit u pozicionuan në roje të fshatit të tyre.Intuita nuk I kishte gënjyer.Nuk vonoi dhe nisi sulmi partizan mbi fshatin pa paralajmërim,duke e ditur se aty kishte vetëm dukatas,burra ,gra e femijë.Dy brigada partizane,e para dhe e pesta,nën drejtimin e Mehmet Shehut,Hysni Kapos,Muhamet Prodanit,Shefqet Pecit e të tjerë po sulmonin natën dhe në befasi një fshat të tërë vetëm e vetëm për të venë prëfund krenarinë e tyre.U ndez një luftë e ashpër mes shqiptarësh,luftë fatkeqe vëllavrasëse pa asnjë motiv por vetëm për tekat e krerëve të kuq të Partisë Komuniste.Ata kishin në kokë qëllimin ogurzi për të pushkatuar disa prej krerëve të fshatit e për të ushtruar terror tek pjesa tjetër.Beteja u ndez e ashpër dhe u vranë shumë njerëz atë natë,shumë shqiptarë të cilët ishin në të njëjtën llogore sa I perket luftës kunder pushtuesit,por në llogore të ndryshme sa I takon pushtetit të pasluftës.

“S’jam fashist,por I dukat!”

Një ndër dukatasit që u vra në atë përpjekje fatkeqe ishte Murat Bodo.Po e nis me të këte memori sepse perballja e tij me partizanin Myrto Sadiku nga Tërbaci ishte fatale për të dy dhe u shëndërrua në emblemën e kësaj beteje përmes vargjeve të poetit popullor: “Hidh armët fashist I ndyrë,/S’jam fashist por I dukat,/Po I thonë taksirat,/Që vjen e të gjen në prag.”Murat Bodo ishte nje bari dhe burrë i ndershëm dukatas I cili me dyfekun që e kishte cdo shtëpi j’u përgjigj kushtrimit dhe doli edhe ai në mbrojtje të fshatit që po sulmohej.U ndeshën ballë përballë me Myto Sadikun dhe u vranë me të shtënat e njëri tjetrit,flakë për flakë.Po aq shpejt u krijuan edhe vargjet e mësipërme që janë edhe sot simbolika e vëllavrasjes.

“Korba na u vranë djemtë!”

“Korba na u vranë djemtë,/Ca ketu e ca në cetë,/Ca ketu ca në Parti,/Haj me det o Shyqyri.”Këto janë të tjera vargje që u thurën fill pas Luftës së Dukatit dhe kanë në qendër të gjithë te vrarët e Dukatit,përfshi edhe ata që u vranë në radhët e cetave partizane e që më vonë u shpallën dëshmorë.Emri I përmendur më lartë lidhet me Shyqyri Nezhën I vrarë edhe ai në këtë betejë të përgjakshme.

Emra të tjerë dukatasish që humbën jetën në këtë luftë janë,Muharrem Beqiri,Beqir Elmazi,Salo Mehilli,Bino Dero,Selim Dero,Musa Alicka.

Ja vlen të ndalem pak tek barbaria e pashoqe,sjellja kanibaleske e forcave partizane të cilët,në tërheqje e sipër,të thyer keqazi nga perballja me Dukatin dhe dukatasit,në dalje të fshatit u kthyen në një shtëpi të vetmuar ku gjetën një nënë dhe dy djemtë e saj fare të rinj,Bino e Selim Dero.Pershendetjes së tyre “Vdekje Fashizmit!” djelmoshat j’u përgjigjën :”Shqipëri e shqiptarëve!”Kjo përgjigje I tërboi edhe me keq dhe I tërhoqën zvarrë dy djemtë në sy të nënës së moshuar dhe I pushkatuan diku me tej.Njërin prej tyre e ndanin vetëm pak ditë nga dita e martesës që nuk u bë kurrë.

Këto ishin vetëm pak episode të një episodi gjigand e tragjik të ndodhur 73 vjet më parë në Dukat të Vlorës.Ajo ditë do të mbahet mend si një ditë fatkeqe për këtë fshat trim dhe bujar,sepse e renditi ndër fshatrat kundërshtare të regjimit që u instalua vetëm një vit më vonë.Është pikërisht ajo ditë që shkaktoi humbje të medha nga të dyja krahët e të njëjtit trup e beri qe ngado nëpër Shqipëri dukatasit të thirreshin me etiketen “Ballist Dukati”.Sot kjo fjalë mbase mban edhe një farë krenarie për të paret tane nacionalistë,por asokohe ishte një mallkim që na ndiqte ngado e që na mbyllte te gjitha shtigjet e jetes.

Tetë burrat dukatas që humbën jetën në atë përballje nuk u përmendën kurrë përgjatë periudhës së diktaturës.Familjarët e tyre u anatemuan e u denigruan.Vetëm në vitin 2008,në 65 vjetorin e kësaj lufte,u nderuan nga Presidenti I Republikes me titullin “Martirë të Luftës së Dytë botërore.”

Është për t’u theksuar se vrasësit e tyre që humbën jetën në të njëjtën përballje ishin dhe janë dëshmorë të Atdheut edhe pse nuk u vranë aspak në përballje me armikun që na kishte pushtuar.Për mendimin tim asnjë prej të vrarëve në Luftën e Dukatit nuk meritonte të ishte dëshmor.Ata ishin të gjithë viktima të etjes për pushtet të një klani gjakpirësish që uzurpoi Shqipërinë.

Dukat,30.11.2017

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com