Ish ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka komentuar mbrëmë në emisioni Repolitix në Report Tv shkaqet e vërteta, të përmbytjeve masive që po ndodhin këto ditë. Ai ka shpjeguar edhe arsyen e vërtetë, se përse kryeministri nuk shpall gjendjen e emergjencës. Sipas Panaritit, Rama nuk e bën këtë vetëm për çështje faturash.
“E gjithë Shqipëria është nën ujë. Nëse shpallet gjendja e emergjencës të derivojnë edhe angazhimet që ka qeveria. Kjo ka të bëjë edhe me fondet. Mund të mbyllësh edhe sytë dhe të mos e shpallësh. Nuk shpallet, pasi bëhen llogari faturash, pasi mendohet se po e shpalla ka edhe faturë, ka edhe përgjegjësi për t’u përgjigjur. Por nëse e shpall mund t’i dërgosh një faturë edhe Brukselit, mund të ndihmojnë edhe donatorët”, tha Panariti.
Ndër shkaqet kryesore të situatës që po kalon vendi, sipas ish-ministrit të Bujqësisë në qeverinë “Rama I” janë edhe shfrytëzimi i shtretërve të lumenjve për inerte pa kriter, si dhe menaxhimi i keq i kanaleve kulluese.
“Unë kam firmosur urdhër për ndalimin e shfrytëzimit të lumenjve, por nuk u zbatuan. Edhe në Vjosë ka firma që shfrytëzojnë…Ju luta Ramës, i thash mos e decentralizoni sistemin, pasi një kanal kullues kalon në dy apo tre bashkie, ato janë artere kombëtare dhe ato ia lënë përgjegjësinë njëri tjetrit”, vuri gishtin Panariti te disa nga shkaqet kryesore që ndikojnë direkt, që vendi ynë të përmbytet në këtë gjendje, si ditët e fundit.