Mesditën e sotme, i mbuluar me flamurin shqiptar, erdhi në atdhe trupi i pajetë i shkodranit 23-vjeçar Florenc Beqiraj.
Beqiraj erdhi i pajetë nga Franca, pasi u dërgua në spital pa shenja jete nga qendra ku ishte ndalur si azilkërkues. Vdekja e Florencit vijon të jetë mister.
Sakaq burime mediatike thonë se trupi i pajetë pritet t’i nënshtrohet edhe një ekspertize mjeko-ligjore në Shqipëri në funksion të zbardhjes së shkaqeve të vdekjes.
Ai do të përcillet drejt banesës së fundit në Shkodër, ku familja Beqiraj ka hapur dyert e mortit prej ditës që mësoi vdekjen e të birit.
Kurse të gjitha shpenzimet janë marrë përsipër nga qeveria shqiptare, që sic bëri të ditur ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë vizitës në familjen Beqiraj po bashkëpunon ngushtë me autoritetet franceze për të zbardhur të vertetën e ngjarjes.
Vdekja në rrethana ende të mistershme, që po hetohet nga autoritetet franceze ngjalli reagime të forta dhe protesta në vendin tonë.