Policia dhe prokuroria mbyllin hetimet duke lënë të lirë çiftin e bashkëshortëve italian të cilët dispononin pajisjen elektronike që u bllokua në pikën kufitare të portit të Durrësit e cila mesohet se shërben për matjen e cilësisë së ujit.
Në këtë konkluzion ka dalë laboratori shkencor, i cili zhvilloi ekzaminimin fizik të pajisjes elektronike që u dyshua se shërbente për përgjimin e telefonave.
Për disa orë u ndaluan Giambattista Intrini dhe gruaja e tij Ana Maria Tevertini, të cilët kishin ardhur para disa ditësh ne Durrës dhe do të ktheheshin mbrëmjen e se dielës në Itali me tragetin e linjës Durrës -Bari.
Sipas ekspertëve, manualin e përdorimit pajisja cilësohet si një kalibrues mikroprocesorësh dhe se nuk ka lidhje me përgjimet. Prokuroria e Durrësit ka kërkuar një akt ekspertizë të pajisjes por nga ekzaminimi paraprak ajo ka rezultuar se nuk ka aftësi përgjuese dhe përdorej nga Intrini i cili rezulton se është me profesion inxhinier.