Loading...

Gjenerali nga Tragjasi, kush ishte luani qe u mbyll ne hekura ! Si e identifikoi e shoqja trupin e tij !

Gjeneral Abaz Fejzo është njëri ndër ata ushtarakë të lartë që u burgosën në vitet e diktaturës me akuzën se po përgatisnin një puç ushtarak ndaj regjimit të asaj kohe.

Ai ka qenë një ndër ushtarakët më të aftë të ushtrisë shqiptare. I lauruar me medalje ari në “Akademinë Ushtarake Frunze “në ish Bashkimin Sovjetik,emri i tij edhe sot e kësaj dite gjendet i gdhendur ndërmjet studentëve më të mirë të cilët kanë studiuar në këtë akademi.

Që në moshë fare të re mori pjesë me armë dorë në lëvizjen Nacional Çlirimtare. Që në ato vite ai pati deklaruar se Dushan Mugosha dhe jugosllavët nuk kanë punë në partinë tonë.

Pas çlirimit të atdheut Abaz Fejzo kreu shumë detyra të larta në hierarkinë ushtarake shqiptare. Ai ka meritën e krijimit të forcës me mjete të koracuara ose të blinduara të kësaj ushtrie dhe për këtë arsye u quajt Guderiani shqipatar .

Dhe kur ndodhej në kulmin e karrierës ushtarake erdhi edhe arrestimi dhe dënimi i tij së bashku me “puçistë të tjerë “.Ai dhe familja e tij kaluan kalvarin e mundimeve në burgje dhe internime.

Trajtimi në burgun e Burrelit ka qenë çnjerëzor por gjeneral Abaz Fejzo mbajti qëndrim dinjitoz,tregojnë bashkëvuajtësit e tij.

Dhe pikërisht në këtë burg vdiq në moshën 62 vjecare.Pas vendosjes së demokracisë familja mundi të gjejë eshtrat e tij në një fshat të Burrelit.Ishin banorët e zonës ata që kishin vënë shenjë pranë varrit të gjeneralit gjë që ndihmoi në gjetjen eshtrave të tij.

Koloneli në pension Shpend Topollaj është autori i një monografie për jetën dhe veprën e gjeneral Abaz Fejzos.

Ai rrëfen se Abaz Fejzo ka qenë një ushtarak i zoti dhe me kulturë të gjerë. Këtë ai e tregoi në shkollë,në punë por edhe kur shteti e dërgoi me detyrë në ambasadën tonë në Romë.

-Tashmë njihet si prodhimtaria jote e bollshme dhe shumëplanëshe letrare, ashtu dhe trajtimi që i bën shumë prej figurave që u përndoqën, u dënuan, u burgosën dhe u pushkatuan nga diktatura, pa harruar edhe shkatërrimin e familjeve të tyre.

Por unë desha të ndalem te libri yt “Luani i kafazit” që i kushtohet jetës, veprës dhe fatit tragjik të gjeneral Abaz Fejzos, njërit nga drejtuesit më të kulturuar dhe mjaft energjik të ushtrisë shqiptare të asaj kohe. Së pari, si të lindi ideja për t`u marrë me këtë personazh sa interesant, aq edhe përfaqësues, të cilin e quan Luan?

Luan, nuk e kam quajtur unë, por është një rastësi që ky burrë dhe ushtarak i jashtëzakonshëm, krenar dhe me karakter të pathyeshëm, mbante atë emër, i cili në arabisht do të thotë luan dhe që mesa duket rrjedh nga shahu i Persisë Abasi i Madh që sundoi nga fundi i shekullit të XVI dhe fillimi i shekullit pasues.

Ka qenë pastaj edhe xhaxhai i Muhametit dhe një Abaz Ali, i cili pasi iku nga Olimpi, erdhi në Tomorrin tonë ku qëndroi pesë ditë mes besimtarëve dhe ku në vitin 1620 u ngrit ajo tyrbja bektashiane, dhe që festohet çdo vit nga data 20 – 25 gusht.

Personalisht, vetëm një herë jam takuar me të, kur ai, si Drejtor i Mjeteve të Binduara në M. e Mbrojtjes erdhi për inspektim në batalionin e Shënavlashit të Durrësit, ku unë isha komandant. Qëndroi me kënaqësi në drekën që ne oficerët kishim përgatitur dhe kuptova se zotëronte një kulturë të rrallë.

Fliste për piktorë të mëdhenj, kompozitorë, shkrimtarë dhe çuditërisht i njihte veprat e tyre si të ishte kritik arti a letërsie. Edhe aq sa ndenjëm, me atë shqisën e padukshme që ka njeriu, krijuam një simpati reciproke, por që mbeti aty, pasi nisën ato plenumet nerotike të Enver Hoxhës të cilat i dhanë një grusht sa dërrmues aq dhe absurd, drejtuesve kryesorë të ushtrisë, heronjve të popullit, komandantëve sypatrembur të formacioneve partizane.

Abazi kishte vdekur në moshën 62 vjeçare në burgun emërkeq të Burrelit, ku kryente dënimin prej njëzet vjetësh, ndaj e ndjeva si detyrë të thosha disa fjalë për të, kur ai u përkujtua në Tiranë, tani në demokraci. Gruaja e tij, Filloreta e cila dikur ka qenë edhe drejtoreshë e Teatrit “A. Moisiu” në Durrës, si duket, që aty më kishte përzgjedhur si më të mundshmin për të shkruar një monografi për Abazin.

Kuptohet se ngurrova shumë, pse aq qe dhe shkalla ime e njohjes për të dhe veprimtarinë e tij, por profesori im i Shkollës “Skënderbej”, i mrekullueshmi Ismet Bellova që ishte i pranishëm kur e shoqja më bëri propozimin, më bindi duke më thënë se jo vetëm që Abazi e meritonte, por kështu nderoheshin edhe gjeneralët e tjerë, pasi ai ishte përfaqësuesi më dinjitoz i gjithë atyre që e pësuan nga Enver Hoxha, i cili nga ana e tij, kishte kopjuar fije për pe atë që kishte bërë Stalini me të ashtuquajturin komplot të M. N. Tukaçevskit që e pushkatuan kur ishte 44 vjeç. Për më tepër, prof. Bellova i cili e njeh mirë krijimtarinë time, më sugjeroi ta shkruaja si roman.

Ashtu bëra, duke pasur ndihmën e bashkëfshatarit të Abaz Fejzos, ish oficerin e lartë Medi Ramohiton, pasi unë as atë fshat, për të cilin gjatë kalimit të tij në 1810 Lord Bajroni kishte thënë se “Këtë fshat e ka dashur shumë Perëndia… sa kujton se je në parajsë”, dhe që kishte tradita të shquara patriotike, që kishte shumë djem e vajza dëshmorë të Atdheut, dhe që gjatë luftës qe bërë shkrumb e hi, nuk e kisha parë ndonjëherë.

-Sa të ndihmoi fakti që duke qenë vetë oficer, i ke përjetuar ato ngjarje, sot të pabesueshme, dhe e ke pësuar edhe vetë, madje familjarisht nga çmenduria e asaj kohe?

Pa tjetër shumë. Por le të mos flasim për këtë përvojë timen, pasi sot, biseda jo vetëm po përqendrohet te një personazh me vlera dhe kontribute të mëdha, por edhe pse unë peripecitë që kam kaluar, i kam përshkruar hollësisht te romani kushtuar tim ati “Zhgënjimi i partizanit të Gramozit”, për të cilin është folur e shkruar shumë. Romanin për Abaz Fejzon nuk e kam ndërtuar si një requiem për të, por sipas porosisë së Ciceronit që thosh se “Nuk duhet vajtuar vdekja që pavdekësia e ndjek pas.” Se fundja, nuk thoshin kot romakët e vjetër “Pësimet – mësime.”

Cila ka qenë rinia e tij ?
Djalë i thjeshtë që vinte nga një familje e varfër fshatare ishte Abazi, kur u lidh me lëvizjen nacional – çlirimtare. Fillimisht në Korçë ku studionte dhe ku u njoh e ndikua nga Jakov Xoxe e Vaskë Gjino me të cilin do t`i bashkonte jeta dhe burgu, etj. Merr pjesë në demonstratën e bukës dhe pranohet në Parti.

E dërgojnë në vendlindje dhe menjëherë përfshihet në çetën e parë me komandant Vangjon (Neki Imerin) dhe komisar Divin (Qazim Çakërrin) që dihet si e pësuan më pas.

Në Tragjas, janë zhvilluar shumë luftime dhe është vrarë koloneli italian Klementi. I ri ishte Abazi, por situatat i kuptonte fare mirë. Jo vetëm nuk i pëlqente goditjet e shokëve pas shpine , si ata të “Fraksionit të Vlorës”, por ashtu siç pohon në kujtimet e tij gjenerali tjetër tragjasiot, Halim Ramohito, ai njëherë i kishte thënë se nuk mund të ishte dakord që serbi Dushan Mugosha të fusi hundët në punët e partisë tonë.

Kur u krijua Brigada e parë, dhjetë luftëtarë të çetës “Hodo Zeqiri”, mes tyre dhe Abazi, u dërguan në Brigadën e Parë S. që po krijohej dhe ku ai u caktua komandant kompanie.

Merr pjesë dhe dallohet në të gjitha luftimet deri në çlirimin e Tiranës, ku qenë vendosur nja 3.000 gjermanë, si pjesë e Divizionit 297.

-Si vijoi karriera e mëtejshme e Abaz Fejzos ?

Në vitin 1945 emërohet Komisar i kësaj Brigade të lavdishme dhe si kuadër me mjaft perspektivë dërgohet me studime në Akademinë “Frunze” në Moskë, të cilën nuk e përfundon, pasi e kërkonte detyra, ngaqë grekët kishin nisur provokacionet e Gushtit.

Kishte qenë trim në luftë dhe tani në kohë paqeje, duke parë aftësitë dhe zgjuarsinë e tij dhe faktin se zotëronte katër gjuhë të huaja, e emërojnë me detyrë në ambasadën tonë në Romë. I çuditi të gjithë diplomatët dhe politikanët që takonte, duke u folur për historinë, artin dhe mitologjinë e atij vendi.

Fliste për Danten, Petrarkën, Leonardon, Mikelanxhelon, Rafaelon, Borominin, Xhan Lorenco Berninin, Mediçët, Kanovën, Xhovani Françesko Albanin, Papa i 244 e ku di unë, sikur t`i kishte studiuar me rrënjë e degë.

Kur kthehet në atdhe, shkon përsëri në Korçë e pastaj në Burrel, si Komandant i Brigadës, ku asqë mund ta shkonte ndërmend se ai vend do bëhej më pas varri i tij. Sërish çohet në ish B. S. ku i përfundon me rezultate të shkëlqyera studimet. Në diplomën e tij, të firmosur nga gjeneral armate Galickij etj. të cilën unë e kam botuar, është shkruar “Otliçijem” pra “E shkëlqyer”. Emri i tij edhe sot e kësaj dite ndodhet në pllakën e artë të kësaj Akademie.

Pasi shërben për ca kohë në Vlorë, e caktojnë Komandant Brigade në Durrës, Njësi me një shtrirje të madhe dhe ku ai u gradua dhe gjeneral. Edhe pas kaq viteve ai kujtohet me shumë respekt, për taktin e tij, burrërinë dhe kulturën e gjerë.

Ishte aq autoritar, sa edhe kur e kërkonte në takim në telefon sekretari i parë i rrethit, i thoshte “Ti që ke punë, mund të vish këtu.” Pastaj e caktojnë Komandant të Brigades së tankeve, pa qenë fare tankist, por që me vullnet e këmbëngulje të pashembullt ua kaloi edhe atyre.

-Dhe këtu e quajtën Guderiani shqiptar, që ishte organizatori themelues i forcave tankiste të Rajhut të Tretë?

Dhe që ka shkruar ata tre librat e famshëm “Kini mendjen, tanket”, “Tanket përpara” dhe në mos gaboj, “Kujtimet e ushtarit”. Por se ku ia vunë atë epitet Abazit, s`di ta them. Se atëherë s`ishte e lehtë ta përmendje Heinc Guderianin, komandantin e Armatës së Parë tankiste të Hitlerit.

Ajo që dihet është se për rezultate të larta, së fundi Abaz Fejzos i besohet detyra shumë e rëndësishme e Drejtorit të Mjeteve të Blinduara të të gjithë ushtrisë. Për atë që bëri, duke u përpjekur dhe bërë realitet, që ajo ushtri të kishte mbi njëmijë e njëqind tanke, ndofta nën zë e quajtën Guderian.

-Para se të vemi te ato plenumet që ti me të drejtë i quajte nerotike, a mund të më thuash diçka për familjen e Abazit?

Po. Siç ta thashë, grua kishte Filloretën, vajzë nga Grapshi i Devollit e cila që trembëdhjetë vjeçe qe bashkuar me forcat partizane dhe me të cilën pati tri vajza. Njëra më e bukur se tjera dhe njëra më e mirë se tjetra. Eliza është mjeke në Tiranë, Pranvera ndodhet në Amerikë, kurse Tamara ndërroi jetë fare e re, duke shkaktuar një hidhërim të pariparueshëm te të gjithë. Kuptohet që ato ndoqën fatin e keq të Abazit dhe vuajtën për vite të tëra pasojat e internimit në Gramsh dhe burgosjes së tij nga 23 shtatori i vitit 1982.

-Çfarë i ndodhi gjeneral Abazit, pas atyre plenumeve për ushtrinë që u pasuan nga e pamëshirshnja “Fshesë e hekurt”?

Asgjë më shumë se ajo që u ndodhi thuajse të gjithë gjeneralëve, tani pa grada, të ushtrisë shqiptare. Komunizmi, siç e ka përcaktuar Ë. Çërçilli është çnjerëzor. Me gjak e nisi e me gjak e mbylli sundimin e tij. Nuk do t`ia dijë as për kundërshtarë dhe as për ata që i besuan dhe e ndoqën me besnikëri, falë idealeve të ndershme e përparimtare.

Po citoj një pasazh nga libri im, teksa Abazi është mbyllur në qelinë hetimore dhe mendon: “A nuk kishte thënë vetë Enveri në Plenumin e VI – të, se historia e njerëzimit, që në kohët më të lashta e deri më sot… nuk ka njohur një gjyq tradhtarësh si ky që po u bëhet këtyre puçistëve.

Drejt ” Fillimisht e liruan nga ushtria dhe e kthyen në kandidat partie. E çuan majë një karrocerie kamioni rrangallë, me ato pak plaçka, në Gramsh, si punëtor në ofiçinën e SMT – së.

Mirëpo, dikush ka thënë se “Fati i përbashkët i të gjithë makiavelistëve është ky: I bëjnë planet e tyre kaq hollë, sa thyhen vetë nga hollësia e tyre.” Hierarkët komunistë, pavarësisht zellit të tepruar për të ndëshkuar të tjerët, u bë vetë viktima.

Kështu, kur kryeministri vrau veten me dy plumba, ose siç shprehet Kadareja, kur e vetëvranë, u kujtuan se kuadrot e Brigadës së Parë, i paskej shpëtuar ai nga burgu, prandaj “o burra, edhe këta rrufjanë t`i këllasëm brëna!” I bënë kontroll në shtëpi Abaz Fejzos ata të sigurimit dhe u xhindosën, kur ai nga buza e plasur kishte shkruar një poezi, ku ndër të tjera shkruante:

“Dyshimet e Zeusit, ambicjet pa fund / Aq shum` e tërbojnë, sa sofrën e shkund / Dhe pse Zot mbi Zotat, në mendjen e vet / Nuk rrinka pa bërë, veç luft` për pushtet.” Duke e thënë hapur e paturpësisht se te ne, në krye të punëve, kudo ishte partia, vendimi merrej po atje. Pastaj kryetari i Gjykatës së Lartë ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror.

-Ai e dinte se verdiktin e kishin dhënë qysh atje ca leshko e servilë dhe natyrisht që nuk ishte aq budalla. A s`kishte vepruar po kështu edhe kryetari i gjykatës me komplotin e Shtaufenbergut të 20 Korrikut 1944 në Gjermani, duke i varur mbështetësit e tij në tela pianoje?

Po a e dini se ç`drama shpirtërore pësuan ata që nuk u pushkatuan si Balluku, Dumja e Çakua? Një miku im mjaft i nderuar, dr. i shkencave Lutfi Isufi më ka treguar se kur kishte shkuar me shërbim për dezinfektimin e burgut në Burrel, qe llahtarisur nga britmat e Vaskë Gjinos (që kishte qenë Shef Operativ i Forcave të Traktatit të Varshavës e këtu komandant Korpusi), ngaqë i kishin prerë mishin me gërshërë dhe i kishin hedhur kripë.

Pikërisht në këtë burg dhe në këto kondita të tmerrshme vdiq gjeneral Abaz Fejzo. Ishte vetëm 62 vjeç. E varrosën në një fshat aty pranë por nuk i vendosën as pllakë apo shenja të tjera.

Dicka më shumë nga karriera e gjeneralit kur drejtonte brigatën e Durrësit.
Abazi ishte një ushtarak i aftë dhe i zoti por ndërkohë ishte edhe shumë njerëzor. Herë – herë dukej i ashpër me vartësit në detyrë, por sapo e kuptonte se e kalonte cakun nuk mënonte të të kërkonte ndjesë.

Ka një ndodhi me Pjetër Gacin, kompozitori që e kishin shpënë për të kryer ushtrinë dhe kamandant Abazi pa e njohur, e pa të zbërthyer në bulevard. E transferoi në një bateri bregdetare andej nga Ishmi. Por kur vajti atje për kontroll dhe dëgjoi ca tinguj violine nga krijimtaria e Antonio Vivaldit, pyeti se kush i binte asaj vegle.

Kur i thanë se është ushtari që e kishte sjellë ai për ndëshkim, e thirri Pjetrin dhe kur mësoi se ai vinte nga “Çajkovski” dhe se gruan e kishte ruse dhe të vetme në Tiranë, menjëherë e anulloi vendimin e marrë dhe e solli pranë të shoqes. Dhe ata tingujt madhështorë të opusit 3,4, dhe 8 që kishte krijuar gjenia e atij priftit nga Venecia, nuk i ndaheshin atje në qelinë e burgut, teksa kujtonte Filloretën e tij.

-A mund ta kujtosh atë historinë e toger Mahmutit, atij bashkëfshatarit injorant të Abazit? Kjo histori është treguar shumë në ushtrinë e asaj kohe.

Nuk ishte aq injorant ai, sa ishte i poshtër. Ose më drejtë, i indoktrinuar, tamam si një monstër e atij sistemi. Aeroplani anglez që po sillte ndihma për partizanët shqiptarë, u godit diku nga deti dhe pasi mori flakë, u përplas në malin e Bidoshit përballë Tragjasit.

Nëntë vetë me gjithë pilotin, gjetën vdekjen. Fshati i varrosi me nderime të mëdha, siç e donte zakoni, por pas disa ditësh, Mahmuti, një çoban shkon e i hap varret për të vjedhur ç`të mundte.

Ndërkohë, këshilltari anglez që po vinte për të vendosur një tufë me lule para se të largohej nga Shqipëria, e sheh këtë skenë dhe nxjerr pistoletën. Mahmuti i trembur dhe i turpëruar, ia mbath dhe bashkohet me partizanët.

Ata s`dinin se ç`kishte ndodhur dhe e pranojnë në radhët e tyre. Pas çlirimit Mahmuti bëhet toger, por më vonë u lirua si i pa shkollë që ishte. Kur Abazi ishte në Gramsh i internuar, i vdes e ëma Rabija, ndaj ai shkon në fshat.

Në dhomën ku qenë mbledhur burrat, ish toger Mahmuti i hidhte thumba se partia jonë do t`i groposë ata që ja kanë me hile. Abazi duke e njohur, por edhe duke ditur hallin që e kishte zënë, nuk e pa të udhës që t`i përgjigjej. Le që ishte dhe në pozitë politike të vështirë, si i përjashtuar nga partia dhe ushtria.

Por toger Mahmuti përsëri në të tijën: “Armiqtë, në varr të gjallë do t`i fusim.” Atëherë, nuk duroi më Abazi dhe ia ktheu se “Ka edhe më keq, se duke i futur në varr, duhet të jenë të kënaqur, se del ndonjë lugat dhe i nxjerr nga varri. Se kanë ngjarë edhe këto o Mahmut. Dhe mbeten fare pa varr pastaj.”

Si u gjetën eshtrat e gjeneralit pas vendosjes së demokracisë? 
Shumë familje ende nuk i kanë gjetur njerëzit e tyre.

Pas vendosjes së demokracisë,bashkëshortja dhe vajzat së bashku me disa miq të familjes shkuan në Burrel. Atje fatmirësisht takuan një banor të zonës i cili e kishte parë skenën e varrimit të gjeneralit. Sapo ishin larguar ata që e futën në gropë trupin e gjeneralit ai vendosi një shenjë në varrin e tij. Ai i çoi ata në vendin e varrimit dhe ata me ç’të mundnin hapën varrin dhe gjetën eshtrat e njeriut të tyre. Eshtrat eLuanit që u mbyll në hekura pa asnjë faj i identifikoi e shoqja ngaqë i mungonte një kockë në shpatull sepse ishte plagosur në luftë.

Më pas eshtrat e gjeneralit u varrosën në Tiranë…

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com