Kreu i Partisë Demokratike,Lulzim Basha, ka deklaruar mbrëmjen e sotme se Edi Rama është i vdekur politikisht, ndërsa është munduar të justifikojë faktin pse nuk mund të bëjnë një opozitë normale.
Basha u shpreh në Top Story:
Kjo qeverisje është politikisht e vdekur! Ky kryeministër është politikisht i vdekur. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Rama të mbrojë veten dhe ministrat e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin, si Saimir Tahiri, pa kapur institucionet me vendime ekstraligjore, ekstrakushtetuese.
E keqja ka kapluar sot edhe institucionet e pavarura. Kjo është një krizë e thellë e vendit. Ne nuk mund të jemi një opozitë europiane, normale kur ne nuk kemi zgjedhje normale, kur shkelja e Kushtetutës është një precedent që zor se e qenë në diktaturat afrikane dhe aziatike”.
Duke folur sërish për Ramën, ai u shpreh se Kryeministri do të kapë reformën në drejtësi. Basha përmendi edhe dosjet kriminale, të cilat, sipas tij, kryeministri do t’i shkatërrojë.
Ndër të tjera, kryedemokrati tha:
Po përpiqen të shkatërrojnë shpresën tjetër të shqiptarëve, që është reforma në drejtësi duke e kapur atë dhe duke mbrojtur krimin, duke shkatërruar dosjet e krimit, të ndalimit apo komprometimit të dosjeve të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Balilajt dhe Habilajt, që janë konfirmuar si shtyllë dhe aleatë të pushtetit të Ramës”.