Prej një kohë shumë të gjatë, ishulli arktik i Groenlandës ka pretenduar se është atdheu i plakut të shëndoshë me mjekër të bardhë, i veshur me të kuqe dhe me gjyslyke të rrumbullakta, i cili njihet si Babagjyshi i Vitit të Ri apo botërisht si Santa Klaus.
Por, pretendimi se Santa Klausi, të cilit miliona fëmijë i dërgojnë listën e dëshirave, nuk e ka origjinën nga Groenlanda mund të ndryshojë, pikërisht një ditë përpara shkëmbimit të dhuratave, sipas televizionit publik danez, DR.
“Në Danimarkë është rrënjosur ideja se Babagjyshi i Vitit të Ri na përshëndet nga Groenlanda, ndërkohë që në vende të tjera kjo ide lidhet me Finlandën. Dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë”, thotë Lykke Geisler Yakaboylu, shefe e agjencisë turistike ”Visit Greenland”.
Sipas folklorit finlandez, shtëpia e vërtetë e Santa Klausit ndodhet në zonën malore finlandeze të Korvantunturi, në Laplandin Lindor. Megjithatë, ai shpesh mendohet ta ketë patur shtëpinë në fshatin Santa Claus, pranë Rovaniemit, në Rrethin Arktik, i mbushur me dyqane, restorante, pista rrëshqitjeje dhe atraksione të tjera.
”Gjatë viteve ’90 u bënë përpjekje që ta përcaktonin zyrtarisht Groenlandën si shtëpinë e Babagjyshit të Vitit të Ri, por nuk pati asnjëherë sukses, megjithatë edhe sot ne themi se ai është nga Groenlanda”, thekson Yakaboylu.
Shtete të tjera që pretendojnë origjinën e Babagjyshit të Vitit të Ri janë edhe Turqia dhe Rusia.