Loading...

‘Zbardhen’ 100 vrasjet më të bujshme të shtetit shqiptar, Roland Qafoku: Nako Spirun e vranë, trupi u gjet…

[sgmb id=”1″]

Mund të kishin qenë edhe më shumë se 100, por këto ishin ato më të bujshmet, që kanë mbetur në mendjen e shqiptarëve. Janë vrasje “të vjetra” e vrasje “të reja” dhe, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë shënjuar historinë e Shqipërisë. Janë vrasje politike, vrasje për pushtet, vrasje për pasion, por edhe për një llaf goje. Viktimat ishin politikanë, biznesmenë, luftëtarë e njerëz publikë. Nuk ka rëndësi nëse kishin poste ose jo, eliminimet e tyre kanë bërë shumë bujë.

Me pistoletë, me thikë, me helm… format janë nga më të ndryshmet dhe skemat nga më të çuditshmet. Gazetari Roland Qafoku sjell për adhuruesit e historisë e më së shumti të ngjarjeve të mistershme, librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”. Një vepër voluminoze, që i ka kushtuar autorit vite kërkimi në arkiva, shfletime dhe takime me dëshmitarë, e cila na sjell për herë të parë historinë e Shqipërisë përmes vrasjesh, që zënë fill që me Shpalljen e Pavarësisë, deri në ditët tona. Autori sjell fakte të reja për çdonjërën nga ngjarjet, që vërtiten rreth personazhesh të famshëm.

Nëse nuk e dini si është vrarë Isa Boletini, Ismail Qemali, Bajram Curri, amerikanët e Mamurrasit, Qemal Stafa, Margarita Tutulani, Vojo Kushi, Bardhok Biba, Adem Jashari, Azem Hajdari e deri te vrasjet e viteve të fundit të bankierit Artan Santo e komisari Artan Cuku, mund të gjesh informacione, të thëna e të pathëna, në librin e Qafokut. “Përjashtova nga lista vetëvrasjet, aksidentet ose vdekjet në incidente, fatkeqësitë natyrore dhe ato të ndodhura në rrethana të këtij lloji. Nuk kam përfshirë në këtë listë asnjë pushkatim ose varje që është kryer me vendim gjykate. Natyrisht, ka shumë pushkatime të padrejta në historinë e Shqipërisë, por ama nëse ato kanë pasur një vendim gjykate, sado i padrejtë të ketë qenë, atëherë ato nuk mund të ishin pjesë e kësaj liste”, shprehet autori. Ama në libër gjejmë edhe emrat e Nako Spirut e Mehmet Shehut, vdekja e të cilëve është futur në histori si vetëvrasje.

“Me qëmtime dhe një punë prej dy dekadash kam mundur të sjell një variant të besueshëm, që ato jo vetëm kanë qenë vrasje të pastra, por që vetë shteti ka qenë ideator, pjesëmarrës dhe autor në to. Për mua është e rëndësishme të themi mjaft më me teoritë zyrtare se Mehmet Shehu dhe Nako Spiru vranë veten. Ekzaktësisht ata janë vrarë dhe në këtë libër ka shumë fakte e dëshmi që e vërtetojnë këtë”, thotë ai.
“Rolandit i do njohur merita që ia ka dalë të bëjë bashkë ata për të cilët Fishta thosh se ‘është më kollaj të bësh bashkë një grusht me miza sesa 5 shqiptarë’, paçka se për t’ia dalë kësaj pune i është dashur të punojë njëzet vjet mbi dosje dhe të presë të ndërrojnë jetë më parë. Duke qenë gazetar i kronikës, në shumicën e vrasjeve të pas vitit ’90, Rolandi i ka ndjekur ato gati në kohë reale, ka qenë në vendngjarje ku ndoshta ende nuk ishte përtharë gjaku, ka pyetur njerëz ende të freskët nga ndodhia dhe kjo e bën edhe më të besueshëm analizën e tij.

Për ngjarjet e mëparshme, aha, ka arritur ‘me vonesë’ në vendngjarje, diku 30 e 40 e diku edhe 100 vjet me vonesë, ndaj analiza i është dashur të bëhet veç mbi dokumente dhe dëshmi të shkruara. Dhe si për të plotësuar këtë prekje të vendngjarjes, shërbejnë skicat e momenteve të fundit që shoqërojnë secilin rast, skica që të fusin gati brenda ambientit të zymtë ku, trokitja e hapave të fundit shoqërohet me zhurmën e të shtënave. Edhe nga kjo pikë- pamje, ky libër është kontribut për kujtimin e gjithë këtyre njerëzve që nuk janë më”, nënvizon Artan Lame në parathënien e librit të Roland Qafokut, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”.

ROLAND QAFOKU
Në atë terren armiqësor të Shqipërisë komuniste të Pasluftës së Dytë Botërore kishte vetëm dy rrugë: ose të të vrisnin si armik, ose të vrisje veten. Nako Spirut i ndodhën të dyja. Të enjten e 20 nëntorit në orën 20:00, ministri i Ekonomisë dhe kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit në qeverinë e Kryeministrit Enver Hoxha u gjet i plagosur, i ulur në kolltukun e zyrës së tij dhe – në orën 02:00 të mëngjesit të ditës tjetër ndërroi jetë në spital.

SKENA E KRIMIT
Në orën 20:00 të 20 nëntorit, ministri i Ekonomisë dhe kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Nako Spiru, duhet të ishte në sallën e mbledhjeve në Komitetin Qendror për mbledhjen e thirrur enkas për të. Por i ulur në kolltukun e zyrës së tij, dy plumba të dalë nga një revolver e qëlluan në trup duke i shkaktuar vdekjen. Ata që kanë dëgjuar krismat kanë rendur me vrap në zyrën e tij. E kanë parë shefin e tyre të larë në gjak dhe kanë nisur të ndihmojnë. Kanë lajmëruar një ambulancë dhe menjëherë e kanë nisur në spital. Por atje Nakoja nuk u mbijetoi plagëve dhe gjashtë orë pas përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë.

ARSYET E ELIMINIMIT TË NAKO SPIRUT
Në vitin 1947, Shqipëria jo vetëm që ishte nën ndikimin jugosllav, por po ravijëzohej një projekt i zi për kthimin e saj në republikë të shtatë të saj. Brenda qeverisë së Enver Hoxhës kishte një kundërshtar të fortë: ky ishte Nako Spiru. Ministri i Ekonomisë dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit kishte kohë që e kundërshtonte me forcë planin që ekonomia shqiptare do të mbështetej në të ardhmen vetëm në ndihmën e Jugosllavisë.

Savo Zllatiç, i ngarkuari i Titos, në një takim me Enver Hoxhën më 6 nëntor 1947 ka derdhur një lumë akuzash ndaj Nako Spirut: “Ne kemi bindjen që Nako Spiru e kryen këtë veprimtari antijugosllave e antishqiptare si agjent i imperializmit. Ai punon për shërbimet e huaja kundër vendeve tona… Shoku Tito më porositi që t’i shihni mirë këto çështje, veçanërisht çështjen e Nako Spirut. Që aty nis edhe e keqja, andej duhet të fillojë edhe shërimi. Revolucioni i ka këto”. Por, i ndodhur në një situatë të vështirë, Kryeministri dhe Sekretari i Parë i PK të Shqipërisë, Enver Hoxha, e quante më shumë zbulimin e Titos për veprimtarinë e Nako Spirut si sulm ndaj vetes. Në këtë mënyrë e kritikoi fort anëtarin e kabinetit të vet dhe anëtarin e Byrosë Politike. Ndikim në këtë kryqëzim kishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm, Koçi Xoxe. Vetëm tri ditë pas bisedës me të dërguarin e Titos, Koçi Xoxe shkoi në shtëpinë e Hoxhës dhe i tha këto falë: “Gjithë e keqja nis nga Nakoja dhe nga mbështetësit e Nakos. Ata duhet t’i spastrojmë”.

Se si duhet ta bënte spastrimin ministri i Brendshëm që ka në kurriz shumë krime, këtë e dinte vetëm ai. Për dy ditë me radhë, më 18 dhe 19 nëntor, Spiru u kritikua rëndë në Byro dhe një ditë më pas pritej diskutimi i tij. 20 nëntori ishte dita më e ngarkuar, më e rëndësishme për fatin dhe jetën e tij. Në pjesën e parë të kësaj dite Nako Spiru zhvilloi dy takime: të parin me ambasadorin e Bashkimit Sovjetik në Tiranë, A. Gagarinov, të cilit i kërkoi ndihmë për këtë situatë, por ai nuk i premtoi. Ja raporti i diplomatit rus për takimin me Spirun.

“Tiranë/ 19 nëntor 1947/ Sekret. Sot mua më bëri vizitë Nako Spiru, i cili erdhi me iniciativën e vet. Është vështirë ta quash këtë bisedë, më saktë, më drejt, kjo mund të quhet monolog. Pasi u përshëndetëm, ai direkt filloi të thotë se do të dëshironte të fliste për mbledhjen e djeshme të Byrosë Politike të KQ-së”. Takimin e dytë e pati me Enver Hoxhën, të cilit i kërkoi 5 ditë kohë. “Desha t’ju lutem edhe një herë, – më tha, – Kuptoni situatën time të rëndë. Influenconi që të më jepen 5 ditë kohë”. Por kryeministri dhe njëkohësisht shef i tij e refuzoi duke i thënë se duhet të fliste hapur për gjithçka që ka mbetur e mbuluar prej vitesh. Për këtë takim, Enver Hoxha shkruan në kujtimet e tij: Mbledhja e Byrosë Politike ishte lënë në orën 20:00. Por, pikërisht në këtë orë Nako Spiru qëllohet me dy plumba në trup. Pas 6 orësh në spital, ai ndërroi jetë.

U VRA APO U VETËVRA?
Versioni zyrtar i vdekjes së Nako Spirut edhe sot është ende në fuqi: ai ka vrarë veten. Por janë shumë fakte, detaje, dëshmi që hedhin dritë për të kundërtën, se gjithçka ka qenë një vrasje e pastër. I pari që jep versionin pa u zhvilluar asnjë veprim hetimor është Kryeministri Enver Hoxha. “Mbasandaj pak minuta pas orës tetë, d.m.th. 20:00, në të cilën ishte caktuar mbledhja, ai vrau veten si një armik, si një tradhtar i Partisë”. Çudia është se edhe lajmin për ngjarjen Enver Hoxhës ia dha Koçi Xoxe: “Të kam thënë – thirri ai, ai është armik i poshtër. Ia hoqi vetes dhe mbaroi si qentë. Tani vërtetohet se ka qenë armik e shkuar armikut… Fliste me një zemërim të tillë ku s’ishte e vështirë të dalloje një gëzim të brendshëm, të thellë. Kishte ikur nga skena e komplotistëve pengesa e vetme për t’u drejtuar shigjetat ndaj meje”.

Miku i Nako Spirut, i luftës dhe i pasluftës, Ramiz Alia, e quan vrasje duke i vënë thonjëzat falës. Në fakt, në versionin që ai jep thonjëzat janë pa kuptim. “Një natë të nëntorit të vitit 1947, Nako Spiru vrau veten. Sapo e dëgjova këtë lajm të hidhur, nuk kisha dyshim se Nakon e “vranë” jugosllavët, se ai ishte viktima e parë e tyre. Kur u vetëvra Nako Spiru, unë punoja në Organizatën e Rinisë, si sekretar i përgjithshëm i saj. E njihja mirë Nakon, ashtu siç njihja edhe familjen e tij, nënën, motrën dhe vëllanë, të cilët banonin në Durrës. E mbaj mend mirë… Kishte kaluar mesnata, kur më njoftojnë të paraqitesha menjëherë në zyrat e KQ të Partisë. Shkova atje dhe, Manush Myftiu, i cili atëherë drejtonte Sektorin e Agjitacionit e Propagandës në Parti, më tha: Nakua u plagos rëndë aksidentalisht dhe më pas ka vdekur. Si aksidentalisht? – e pyeta. Ai më përgjigjet: Duke e pastruar, i kishte shpërthyer arma që mbante në dorë. Vetëm kaq. Asgjë më tepër. Më porositi që të nisesha menjëherë për në Durrës dhe të njoftoja për këtë gjëmë familjen e Nakos”.

Por bindja dhe dyshimet ua kanë lënë vendin provave. Edhe pse eksperti mjekoligjor, Bardhyl Çipi, në një analizë të posaçme për këtë ngjarje, mbështet tezën e vetëvrasjes, ai gati dorëzohet përpara trajektores që ka përshkuar plumbi në trupin e Nako Spirut: “Nga pikëpamja mjekoligjore dhe kriminalistike, argumenti kryesor që dëshmon për versionin e vrasjes, pa dyshim që është drejtimi i pjerrët që duhet të ketë pasur kalimi i predhës në trupin e viktimës, sipas dëshmisë së Dr. Hoxhës, që përputhet me atë të marangozit të kolltukut ku duhet të ketë qenë ulur Nako Spiru, në momentin që është qëlluar me armë zjarri.

Zakonisht, një vrasës më këmbë, që qëllon në trup nga përpara një viktimë të ulur në karrige apo kolltuk, duke qenë se është në një pozicion më lart se viktima, i shkakton një plagë arme zjarri me drejtim të pjerrët, sikurse duhet të ketë qenë edhe ajo e rastit të Nako Spirut. Ndërsa në një qitje të zakonshme me qëllim vetëvrasjeje të kryer nga viktima me dorën e saj, zakonisht duhej të ishte shkaktuar një plagë arme zjarri horizontale”.

Por gjetja e plumbit në kolltukun e Nako Spirut, është prova më e fortë se Nako Spiru është vrarë dhe jo vetëvrarë. A mund të vrasë veten njeriu në pozicion të pjerrët? Dëshmia e Vath Jeshilit, specialist në Komisionin e Planit të Shtetit, përmbys plotësisht versionin e vetëvrasjes. “E ja kështu, Ahmeti thërret një ditë marangozin Spiro që ta modifikonte kolltukun. Duke punuar, Spiroja gjen plumbin në dërrasën e kolltukut. Ahmeti më thërret menjëherë: “Hajde se ç’kemi gjetur!” Po, ai ishte plumbi që kishte vrarë Nakon. Unë nuk jam specialist kriminalistike, por ajo që më bëri përshtypje, ishte pozicioni i plumbit. Nakoja ka qenë ulur në kolltuk kur ka vrarë veten. Në atë pozicion, plumbi duhej të ishte horizontal. Jo, ai ishte në pozicion të pjerrët, rreth 45 gradë, në një dërrasë në shpinë të kolltukut. Më shkoi mendja se mund të kishim të bënim me një vrasje. Por këtë nuk ia thashë njeriu. Mora plumbin dhe e futa në një qese plastmase, që e mbajta në tavolinë për aq kohë sa punova në Komisionin e Planit të Shtetit. Pastaj kalova specialist i ekonomisë për plan-bilancin në Ministrinë e Shëndetësisë, në vitet 1989-91. Atyre që më vinin në zyrë, shpesh u thosha se ja, “ky është plumbi që i mori jetën Nako Spirut”.

PËRSE-TË E VRASJES
Projugosllav dhe më pas kundër i tyre, i pambështetur nga diplomatët e Bashkimit Sovjetik në Tiranë dhe i braktisur nga Enver Hoxha pas kritikave të rënda që kishte bërë, Nako Spiru duhet të ketë qenë në një gjendje terrori ato ditë nëntori. Më mirë se kushdo, situatën e tij e jep Ramiz Alia, por duke llogaritur këtu që vetëvrasja gjatë regjimit komunist ishte veprim i dënueshëm edhe pas vdekjes, Alia e gjen me mjeshtëri justifikimin.

“Ai (Nako Spiru) vërtet gjatë Plenumit të Beratit ishte radhitur me tezat jugosllave që godisnin Enver Hoxhën dhe vijën e PKSH gjatë luftës, por nuk ishte as projugosllav, as antishqiptar. Ai ishte komunist dhe në të njëjtën kohë, patriot i vendit të tij. Është e qartë se Nakua, pas çlirimit të vendit, kur jugosllavët kërkuan që të vërë në praktikë planet e tyre për nënshtrimin e Shqipërisë, u “zgjua” dhe refuzoi të zbatonte kërkesat e tyre. Nga rrethanat që u krijuan, si rrugë shpëtimi ai zgjodhi vetëvrasjen, pa gjetur forcën që të denonconte të gjitha veprimet antishqiptare të jugosllavëve, si gjatë Plenumit të Beratit, ashtu edhe pas çlirimit të vendit”.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com