[sgmb id=”1″]
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim një 54-vjeçar, i cili u shpall fajtor për veprën penale të “mashtrimit”. Vendimi është dhënë me 5 tetor të këtij viti, ndërsa ngjarja ka ndodhur në tetor të vitit 2014, shkruan “Panorama”.
Gjykata e Tiranës
Sipas vendimit të Gjykatës, Adem Sh. i ka marrë motrës, me anë të mashtrimit, 25 mijë euro dhe jo vetëm që nuk ia ka kthyer mbrapsht borxhin, por ka pretenduar sikur nuk ia ka marrë kurrë ato para.
Pas shumë seancash gjyqësore, Adem Sh. e ka pranuar fajin dhe është dënuar me 5 vjet burgim, por që më pas i konvertohet në 3 vjet e katër muaj burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Sipas dosjes hetimore, më datë 24 tetor të vitit 2016, motra e të pandehurit, V.Xh., ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë, pasi i ka dhënë një borxh vëllait të saj, me një vlerë monetare prej 25 mijë eurosh.
Vëllai, Adem Sh. kishte pretenduar se paratë i nevojiteshin për të rinovuar banesën dhe për nënën e sëmurë, e cila duhet të shtrohej në spital. Borxhi është dhënë në vitin 2014, ndërsa kallëzimi është bërë pas dy vjetësh përpjekje për të rimarrë paratë. Sipas dëshmisë së motrës në Prokurori, ajo i ka kërkuar vëllait shumën e dhënë, por ai, jo vetëm që nuk ia ka kthyer, por ka mohuar t’i ketë marrë para.
Madje, ai e ka kërcënuar motrën e tij, duke i thënë se do ta çonte te “17-ta (Spitali Psikiatrik” dhe se do t’ia nxirrte qumështin e nënës. Motra e të pandehurit ka bërë të gjitha përpjekjet edhe me persona të tjerë të familjes për të marrë mbrapsht paratë, por Adem Sh. e ka mohuar gjithnjë marrjen e saj shume.
I pyetur në Prokurori, Adem Sh. ka thënë se nuk ka marrë kurrë para nga motra e tij dhe se të vetmet para që ka marrë borxh, kanë qenë të marra në formë kredie në një bankë. Në Gjykatë është bërë edhe një ballafaqim mes të pandehurit dhe dy motrave të tjera të tij dhe ato kanë mbajtur të njëjtin qëndrim me motrën që dha paratë.
I ndodhur në këto kushte, i pandehuri ka pranuar fajin dhe se ka marrë 25 mijë euro nga motra e tij, jo për qëllimet e pretenduar në fillim. Ai ka kërkuar nga Gjykata e Tiranës gjykim të shkurtuar dhe ka shfaqur pendesë. Në këto kushte, Gjykata e dënoi atë me 3 vjet e katër muaj burgim, për veprën penale të “mashtrimit”.