Dy vëllezër, të cilët ishin kthyer në tmerrin e banorëve të Shijakut për shkak të vjedhjeve të kryera, janë vënë në pranga.
Përveç sendeve të vjedhura, dy të rinjve, banues në fshatin Karpen, në momentin e arrestimit u janë gjetur dhe arsenal armësh. Hamita Bala, 28 vjeç dhe E. Bala, 16 vjeç, vepronin duke përdorur metoda të ndryshme, deri te maskimet si efektivë policie. Sipas burimeve policore, grupi vepronte duke u maskuar me makinë me fenelinë me qëllim që të mos pikaseshin dhe të mos binin në sy teksa kryenin vjedhjet.
“Ata shkonin për të vjedhur me një makinë, së cilës i kishin vendosur një fenelinë me qëllim që të shkaktonin çoroditje pasi kryenin vjedhjet. Kemi dokumentuar të gjithë aktivitetin e tyre me prova dhe fakte dhe jemi duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tyre”, sqaruan burime nga Policia.
Nga ana e Policisë bëhet e ditur se 28-vjeçari Bala rezulton person me precedentë penalë. Ai është dënuar më parë për veprat penale “plagosje”, “armëmbajtje pa leje” dhe “vjedhje të energjisë elektrike”.
Gjithashtu, edhe vëllai i tij adoleshent rezulton i dënuar më parë. Në përfundim të operacionit “Rakordimi”, grupi hetimor ka zbardhur dhe dokumentuar me prova shkencore dhe procedurale se dy vëllezërit janë autorë të dyshuar të disa vjedhjeve, mes të cilave një magazinë, një servis, si dhe një çantë marsup, duke arritur të përvetësojnë vlera monetare, sende të ndryshme dhe telefona celularë.
Në momentin e arrestimit të tyre, si edhe gjatë kontrollit të kryer në banesë, u janë gjetur një pistoletë tip “Ecol”, një armë gjahu tipi shutgan, armë gjahu me grykë, pushkë sportive, një automjet tip “Benz” CLK 230, kompresor së bashku me dokumentacionin dhe të instaluara një palë fenelina policie, 6 palë targa dhe disa sende të vjedhura.
Në dy grabitjet e fundit, dy vëllezërit kishin marrë një palë dylbi; 3 telefona smartphone; 11 karta telefoni të kompanive të ndryshme celulare; 1 kamerë të markës “JVC COMPACT VHC”.
Ndaj tyre, përveç akuzës së vjedhjes, do të rëndojnë dhe tri akuza të tjera, prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “mbajtje pa të drejtë e uniformës dhe simboleve”. Sipas Policisë, ata dyshohen për një sërë vjedhjesh të tjera, kryesisht banesash.