[sgmb id=”1″]
Dorëzohet në Polici i arratisuri me pranga në duar ndërsa po shoqërohej për në Komisariatin e Sarandës. Ermir Idrizllari, pasi qëndroi tri ditë i fshehur, vendosi të vetëdorëzohej.
26-vjeçari u arrestua pas një denoncimi të një qytetari me inicialet F.M., se Idrizllari bashkë me fqinjin e tij, Kosta Pashaj, i kishin marrë 30 mijë lekë të rinj me forcë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në fshatin Vrinë të Konispolit dhe pas denoncimit, policia ndaloi dy të rinjtë.
Ndërkohë, gjatë shoqërimit Idrizllari shfrytëzoi një pakujdesi dhe mungesë vëmendjeje të policisë për t’u arratisur nga mjeti me pranga në duar. Pas rreth tri ditësh në arrati dhe kur në kërkim të pandërprerë të tij ishte vënë Policia e Sarandës, por edhe FNSH-ja, 26- vjeçari u bind që të vetëdorë- zohej pas konsultimit me avokatin e tij.
Dorëzimi i tij u bë në prani të prokurorit Ilir Hoxha dhe avokatit të tij, Gjergji Imeraj. I riu mbante në duar ende prangat dhe për këtë arsye efektivëve iu desh vetëm shoqërimi i tij për në ambientet e paraburgimit. Pak para dorëzimit i riu tregoi për gazetën se si mundi të arratisej dhe ku qëndronte i fshehur.
Ermir, keni qenë personi më i kërkuar në Sarandë këto ditë… Çfarë ndodhi konkretisht?
Ditën e diel, ndërsa po rrija në shtëpi, erdhi policia dhe më arrestuan pa ditur asgjë. Isha vetëm me babanë tim. Pasi më vunë prangat, më futën në makinën e Policisë…
Si arrite të arratiseshe? Sa policë ishin në makinë me ty?
I kisha të lidhura të dyja duart. Me mua në makinë ishte vetëm një polic. Në një moment, kur ai doli nga makina, arrita t’ia mbathja. Ika nga frika. U largova dhe u fsheha në një stan afër Konispolit. Atje kam qëndruar këto ditë. Sot erdha t’i dorëzohem drejtësisë.
Pse vendose që të dorëzoheshe në Polici pas tri ditësh?
Duhej patjetër të dorëzohesha. U lidha me avokatin dhe i kërkova të më ndihmonte për t’u dorëzuar. Nuk jam aspak person problematik, siç më paraqet policia.
Si qëndron çështja për tëcilën akuzohesh bashkë me Kosta Pashajn?
Personin që ka bërë denoncimin se i kam marrë 30 mijë lekë me dhunë nuk e njoh fare. Nuk e di se kush është, por unë nuk i kam marrë askujt para me forcë. Kosta Pashaj është fqinji im. Nuk di pse akuzohemi, ne nuk kemi lidhje fare me ngjarjen që thotë policia.