Shtohet edhe më misteri i zhdukjes së avokatit Besnik Muço. Kur pritej të identifikohej kufoma e gjetur në Itali, që dyshohej se i përkiste atij, mësohet se kufoma e gjetur në det është pa kokë, e gjymtuar dhe pa rroba.
Mediat italiane shkruajnë sot se po kryhen hetime në Puglia për zhdukjen misterioze të avokatit Besnik Muço, pasi në det, pranë Castro-s, në provincën e Lecce, u gjet një trup i pajetë. Kufoma ishte zbuluar në 5 nëntor nga një kalimtar, në vijën bregdetare të qytetit në pjesën jugore të gadishullit puljez, por kushtet e këqia të motit i ndaluan operacionet për tërheqjen e saj nga deti ose nga qielli.
Kështu që kufoma u kap vetëm ditën tjetër, pasi dallgët e kishin përplasur pas shkëmbinjve. Kufoma është shumë e gjymtuar dhe duket se nuk ka kokë. Po ashtu nuk ka as rroba.
Duke qënë e pamundur për autoritetet në Lecce që t’i japin një emër, ato e kanë vendosur kufomën në frigoriferin e morgut të qytetit pa asnjë ide për identitetin e saj.