Loading...

Rrëfimi i dhimbshëm i Granit Xhakës për “The Guardian”: Ju tregoj vuajtjet e babait tim, e kanë rrahur në burg

Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka po shkëlqen në Angli te skuadra e Arsenalit. Futbollisti i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Kombëtaren e Zvicrës është duke kaluar formën më të mirë në karrierën e tij.

Xhaka ka dhënë një intervistë për të përditshmen angleze “The Guardian” para derbit londinez Arsenal-Tottenham që zhvillohet të shtunën.

Ai kujton me dhimbje kohën kur babai i tij ishte një i burgosur politik në ish-Jugosllavi.

Babai i tij, Ragipi kishte marrë pjesë në protestat kundër Qeverisë Qendrore Komuniste të Beogradit. Në vitin 1986 ka qenë student në Universitetin e Prishtinës, që atëherë ishte krahinë autonome në Jugosllavi. Ragip Xhaka u arrestua dhe u dënua gjashtë vjet.

“Me sa e di unë, në muajt e parë në burg nuk kishte probleme, por më pas e kanë rrahur. Historia e tij është diçka që më prek shumë thellë në zemrën time. Është e vështirë për ta përshkruar atë siç duhet. Ndonjëherë e pyes ‘Më trego përsëri’, pasi mendoj se ende ka diçka për të zbuluar.

Mendoj se ende nuk e ka treguar historinë e tërë, pasi ka dashur të kursejë fëmijët nga pikëllimi. Ai ishte një kosovar krenar dhe mendonte se ata kishin të drejtë të ekzistojnë. Ai ka luftuar për të drejtat më themelore demokratike. Nuk ishte vetëm ai. Kishte edhe të arrestuar të tjerë, përfshirë edhe xhaxhain tim, i cili ishte burgosur kohë më parë. Ai u dënua me 15 vjet”, tregoi Xhaka.

Familja e tij ka vuajtur dhe punuar shumë për të jetuar si tani, ashtu si babai dhe nëna e tij, Eli.

“Ata janë bashkuar vetëm tre muaj para arrestimit të babait tim. Kam respekt të madh për nënën time. Nuk kam dëgjuar kurrë që një grua të jetë kaq besnike me një burrë. Nëna ime është një person i mrekullueshëm”, theksoi mesfushori i Arsenalit.

Xhaka i detyrohet gjithçka Zvicrës dhe mundësitë që i ka ofruar, megjithatë ai nuk harron rrënjët shqiptare, të cilët e përkrahin atë në Londër.

“Kam gjetur disa njerëz me të vërtetë të mirë shqiptarë. Disa prej tyre drejtojnë autolarje. Më flasin shpesh edhe në rrjete sociale, kryesisht për futboll. Disa e mbështesin Liverpoolin, Manchester United, por ka edhe shumë me Arsenalin”, thekson ai.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com