[sgmb id=”1″]
Marko Miniti solli në Tiranë një dosje të detajuar, me të dhëna konkrete për kokat e trafikut të drogës nga brigjet shqiptare drejt Italisë. Fatmir Xhafaj preferoi ta presë i vetëm në zyrë homologun italian. Informacioni u mbajt i fshehtë për Haki Çakon.
Mosbesimi për Policinë e Shtetit nuk është risi. Ra në sy edhe në aksionin e Babicës, kur u godit magazina e kanabisit të Habilajve. Përgjimet iu dërguan ekskluzivisht Prokurorisë.
Mbetet për t’u parë si do të reagojë qeveria shqiptare pasi u njoh me materialet që solli Marko Miniti në Tiranë.
Dilema për t’i goditur apo jo kokat e trafikut të drogës, që mbushën Italinë me kanabis u vu re edhe në fjalimin e Fatmir Xhafajt sot. Ministri ynë i Brendshëm i tha italianëve se fajin për trafikun e miliona eurove drogë, e kishin fermerët e gënjyer dhe policët që heshtën.
Vetë Edi Rama nuk preferoi të njihet me materialet që solli Marko Miniti në Tiranë. Kryeministri fluturoi në Marok, për “në edicionin e 10-të të Konferencës së Politikave Botërore”.
Por mungesa e Ramës ka qenë e parashikuar. Lulzim Basha u ftua në rezidencën e ambasadorit italian në Tiranë. Një kopje e dosjes ishte përgatitur edhe për kreun e Partisë Demokratike.
Marko Miniti para policëve shqiptarë tha se “në Europë, Itali, Shqipëri, nuk ka të paprekshëm”.