Salvatore Riina do të varroset me një ceremoni private në varrezat e komunës së tij të vendilindjes në Korleone të Sicilisë. “Kapo i kapove” i organizatës mafioze “Cosa Nostra” pritet të dërgohet nga spitali i burgut të Parmës, ku ndërroi jetë, për në Sicili.
Në varrezat e Korleones gjëndet hiri i bosit mafioz Bernardo Provenzano, si dhe janë varrosur mafiozët Michele Navarra, Luciano Liggio , miqtë e Toto Riinas kur ky i fundit ishte i ri.
Po në varrezat e Korleones prehen dhe eshtrat e sindikalistëve socialistë Bernardino Verro e Placido Rizzotto që gjatë jetës së tyre e luftuan me kurajo deri sa u vranë barbarisht nga mafiozët korleonezë.
Kisha katolike italiane ka ndaluar zhvillimin e një ceremonie publike të varrimit të Totto Riinas bazuar në nenit 3 të Kodit të së Drejtës Kanonike i cili thotë se ; “Nëse para vdekjes nuk ka asnjë shenjë pendimi, mëkatarët e qartë duhet të privohen nga varrimi kishtar.”
Gjatë orëve të fundit në varrezat e Korleones janë mbledhur gazetarë e trupa televizive nga e gjithë bota në pritje të zhvillimit të ceremonisë së vdekjes.
Gjatë ditës së sotme pritet autorizimi i Prokurorisë së Parmës për lejimin e zhillimit të varrimit.