Loading...

Gazetari i njohur kërcënohet nga drejtori i Emergjencave Civile: Do të tërheq zvarrë, e vazhdojmë personalisht! Ja si nisi sherri

Gazetari dhe analisti Dritan Hila mbrëmë ka bërë të ditur se është kërcënuar nga drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi.Sipas tij ky kërcënim ka ardhur pas një statusi të publikuar në rrjetet sociale ku gazetari Hila shkruante në kontekstin e përmbytjeve në Greqi se në rast se kjo do të kishte ndodhur në vendin tonë, do ishin mbytur 1600 persona.

“Pavaresisht inateve qe mund te kemi, mendoj se ka ardhur koha qe t’iu çojme Shemsiun grekeve per ndonje parashikim. Kjo qeveri duhet ti ndaje asetet e saj me aleatet dhe jo vetem per vete. 
(Shyqyr qe Zoti nuk na ve ne prove dhe budallalleku jone mbetet brenda kufijve pasi po te kishim te tilla drama, do te na ishin mbytur 1.600”, shkruante Hila.

Sakaq, dje në mbrëmje ai shkruan duke pretenduar se Shemsi Premçi e ka kërcënuar në telefon me fraza të tipit “të tërheq zvarrë” apo “e vazhdojmë personalisht” pas publikimit të statusit. Madje gazetari ka vazhduar më tej duke shkruar se do të paralajmërojë kryeministrin personalisht për kërcënimin që i ka ardhur.

SHKRIMI I PLOTË në dritare. Net:

Sot në orën 15.35 më telefonon numri 0696067755. Në krahun tjetër më prezantohet një person me emrin Shemsi Prençi. Shkaku ishte një status në profilin tim personal ku sensibilizoja përmbytjet që po ndodhnin në Greqi dhe kanë humbur jetën 15 persona dhe jo pa ironi kujtoja se kë kemi në drejtim të Emegjencave Civile. Është njeriu që në mes të verës në vend se të merrej me zjarret që po përvëlonin vendin, shkaktoi valë kombëtare gazi dhe humori me deklaratën se në vjeshtë do të kemi tërmete. Në fakt ky tipi nuk është shumë humorxhi. Është nga tipat e fortë të veshur me pushtet i përdorur nga demokratët dhe tani përdoret nga rilindasit. Kush ka marrë pjesë në zgjedhjet e Fierit të 2009-ës e njeh mirë.

Nuk dua të ndalem në diskursin e tij një minutësh të mbushur me fjalët “unë i kam shërbyer partisë tënde mor qen kur ishte në pushtet” (siç duket ose më kujton anëtar të PD-së ose e kishte fjalën për periudhën që kam qenë zv/ministër), “po më përmende prapë, të tërheq zvarrë mor zagar”, dhe “jam malësor dhe po e zgjate prapë me mua do ta vazhdoj personalisht”.

Ajo që më bën përshtypje nuk ka lidhje me personin tim, por me fenomenin që mendonim se ishte harruar, ku një zyrtari i lartë i shtetit të marrë në telefon një gazetar dhe njeri publik dhe ta kërcënojë. Muajt e fundit kam dy kërcënime nga zyrtarë të shtetit dhe nga një gangster i famshëm. Për hir të së vërtetës, ky i fundit ishte me takt dhe m’u lut që të mos publikoja në Dritare.net një lajm që fliste për të, pasi nuk ishte i vërtetë.

Tashmë askush nuk i druhet pushtetit të katërt, por vërehet një ndërsim i zyrtarëve dhe të fortëve madje edhe për një status në fb. Dhe kjo nuk ka si të mos ketë lidhje me kryeministrin, sjelljet e tij dhe klimën që ka krijuar. Mendoj që nuk është ai që urdhëron kërcënimet. Paralelisht besoj se kënaqet, kur dëgjon sesi shahen njerëz që e kritikojnë. Por në vazhdoftë këtë aleancë që ka me krimin dhe injorancën, do të vijë edhe ajo ditë kur do të kemi viktima edhe gazetarë. E përballë vrasjes, pak ka rëndësi se kryeministri dha urdhërin apo e stimuloi me heshtjen e tij. Madje shumica e krimeve shtetërorë janë të tillë, ku indiferenca stimulon gjysmakët për të goditur kundërshtarët.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com