[sgmb id=”1″]
Adriatik Llalla po bën përpjekje titanike për të shtyrë mandatin dhe për dy vitet e ardhshme. Të paktën deri në momentin kur ti ketë dhënë rrugë Vettingut dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Deri kur të ketë shpëtuar miqtë e tij në Prokurori dhe Gjykatë nga “sita” e Vettingut dhe politikanët Berisha dhe Meta nga “dara” e reformës në drejtësi.
Dhe për këtë qëllim ka marrë dhe një mbështetje totale nga PD dhe LSI, koshientë se dosjet e Berishës dhe Metës janë të parat që do të kalojnë në “sitën” e Vettingut. Pasi si dosje që përmbajnë elementët më kriminalë të mundshëm, nënvizojmë dosjen e “Gërdecit”, “21 janarit”, “Rrugën e Kombit” dhe “Afera CEZ” në veçanti për Berishën, përgjimi i të ndjerit Dritan Prifti për Metën, bllokun dhe 7 përqindshin, “rrëfimi pendues” i ish sekretarit të Metës në MPJ Almir Rrapi në SHBA, afera e CEZ dhe DIA, por dhe dosja e “Supertrafikantit të drogës Klemend Balili”, për Metën këto, janë në radhë.
Dhe nëse rigjykohen dhe njëherë dërgojnë prapa hekurave në burg as më pak dhe as më shumë por Sali Berishën dhe Ilir Metën, ish kryeministra të vendit. Prandaj Adriatik Llalla po e kërkon deri në përgjërim zgjatjen e mandatit të tij në krye të Prokurorisë dhe për dy vitet e ardhshme, dhe në këtë ndërmarrje ai mbështetet dhe nga Berisha e Meta. Thjeshtë dhe vetëm se kanë të njejtin përfitim për të njejtin hall, pavarësisht se PS në mazhorancë është e vendosur që Llalla të ikë më 4 dhjetor nga drejtimi i Prokurorisë. Asnjë ditë më tepër, madje dhe kaq ka qëndruar shumë, pasi mjaft zullume i ka krijuar Prokurorisë shqiptare me përdorimin e thellë politik që i ka bërë. Por dhe me paaftësinë për të zgjidhur situata në shërbim të një drejtësie reale për qytetarët. Por ata që i kanë vënë ‘vulën’ kësaj pune kanë qënë ekspertët e FBI-së amerikane të thirrur nga qeveria shqiptare për pastrimin e drejtësisë dhe politikës shqiptare.
Ekspertët e FBI që kanë ardhur në Tiranë për Vettingun dhe Reformën në Drejtësi, kanë kërkuar në mënyrë të prerë: Adriatik Llallën dhe njerëzit e tij në Prokurori nuk i duan nëpër këmbë dhe të mos përzihen tek puna e Vettingut dhe Reformës në Drejtësi. Argumenti i paraqitur nga FBI është përdorimi politik i Llallës sa herë i është dashur politikës, duket se kanë marrë informacion të bollshëm dhe nga ambasada amerikane në Tiranë. Nuk ka ardhur kot juristi shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj që prej një viti e gjysëm në Tiranë. Njëherësh FBI ka qënë e prerë se nuk mund t’i besojnë një njeriu, aq më tepër kryepokurori që me gjithë kupolën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurorëve kryesorë në vend, janë të padëshirueshëm për SHBA. Pra për shtetin e tyre. Në këtë mënyrë kërkojnë që Llalla të qëndrojë larg, ndryshe kanë paralajmëruar se do të hapet dosja reale pse Llalla është shpallur nga ambasada e SHBA një person i padëshiruar. Ndërkohë ekspertët e FBI i janë vënë pas dhe parave të paligjshme, ku bashkë me ekspertët gjermanë, britanikë dhe holandezë po “sondojnë” bankat ku kanë depozituar para shtetarët, zyrtarët dhe drejtësia shqiptare. Por dhe ato offshore.