Kuvendi i Dukatit nepermjet nje statusi ne facebook jep sqarime ne lidhje me kete organizim. Me poshte statusi i plote:
Kuvendi Krahinor (Orikum Dukat Tragjas Radhimë) është organizim i banorëve të Krahinës i krijuar me vullnetin e lirë të banorëve të Krahinës, për të identifikuar, mbrojtur, ruajtur dhe zhvilluar, shëndetin, jetën, vlerat intelektuale e karakteriale, traditat dhe pasuritë e Krahinës Dukat Tragjas Radhimë Orikum, të banorëve të saj dhe të mbarë kombit shqiptar kur është nevoja.
Kuvendi i Krahinës është zëri publik i banorëve të Krahinës dhe punon për të zgjidhur problemet individuale dhe komunitare që shqetësojnë Krahinën Orikum Dukat Tragjas Radhimë dhe banorët e saj.
Kuvendi Krahinor nuk ndikohet partiakisht dhe nuk pranon brenda vetes njerëz që synojnë ta përdorin organizimin krahinor për interesa partiake.
Aktualisht Valltoja po kthehet në problem të rëndë për shëndetin e banorëve të krahinës sepse ka nisur përhapja e malaries përmes shtimit të mushkonjës së malaries e cila mund të udhëtojë deri në 30 km larg. Ne duhet të ngremë zërin që kjo të parandalohet duke e çkënetizuar Vallton si për parandalimin e sëmundjeve vdekjeprurëse si për të future përsëri në efiçencë 450 hektarët e tokës pjellore që ajo zonë përmban.
Djegia pa kriter e plehrave e kthen krahinën e sidomos Orikumin në një zonë të mbindotur dhe të rrezikshme për shëndetin. Për këtë duhen marrë masa sa më parë, por pa ngritur zërin banorët e krahinës askush nuk e ndryshon këtë gjendje.
Energjia elektrike paguhet prej secilit ose në rast të kundërt personi arrestohet dhe dënohet, por kur vjen puna tek shërbimi që ofrohet nga shteti, të gjithë e dimë që gjendja është skandaloze. Dritat ikin pa kriter dhe askush nuk jep llogari për këtë. Kjo duhet të ndryshojë, ne duhet të kërkojmë të drejtën tonë për shërbim cilësor dhe për mos heqje të energjisë sepse ne e paguajmë shërbimin e ofruar.
Të moshuarit nuk kanë një vend ku të mblidhen e të takohen. Duhet ta kenë. Të rinjtë nuk kanë një kënd sportiv, nuk kanë një biblotekë. Duhet ti kenë. Por kush do ti kërkojë, kush do ti bëjë nëse nuk kërkohen? Askush përveç Kuvendit Krahinor.
Këto janë probleme që godasin si të majtin ashtu edhe të djathtin, probleme që nuk njohin parti dhe na cënojnë të gjithëve njësoj, ndaj krahina jonë duhet të ketë një zë publik të pavarur dhe asnjanës që të shprehet dhe të transmetojë vullnetin e banorëve të krahinës tek instancat e pushtetit, te media e tek opinioni publik. Ky zë është Kuvendi Krahinor dhe çdo banor i krahinës është pjesë e tij e duhet të japë mendimin e tij rreth çështjeve të rëndësishme krahinore.
Ky material eshte marre nga statusi i faqes se Kuvendit te Dukatit ne facebook .