[sgmb id=”1″]
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, tha dje para trupit gjykues se kërcënimin e Mynyr Konit, në prill të vitit 2016, e kishte marrë vesh nga rektori i atëhershëm, Dhori Kule
Ai tha se pasi u vu në dijeni për kërcënimin, njoftoi ministren e Arsimit, Lindita Nikollën dhe zhvilloi një takim me të. Më pas, ai takoi edhe Dhori Kulen, që e njoftoi për kërcënimin. Sipas Çakos, Kule i tha se Koni u kërcënua nga disa persona pranë Universitetit të Tiranës, që i kërkuan të tërhiqej nga gara “për të mirën e tij”. Çako tregoi për takimin me Nikollën dhe më pas, takimin me ministrin e atëhershëm, Saimir Tahiri për të diskutuar çështjen në fjalë.
DËSHMIA E ÇAKOS
Prokurori: Kush ju ka vënë në dijeni për kërcënimin e zotit Koni?
Haki Çako: Jam vënë në dijeni nga rektori i atëhershëm, Dhori Kule. Gjithashtu, më ka telefonuar ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, dhe më kërkoi takim. Jam takuar me të në afërsi të Gjykatës Kushtetuese dhe pasi kemi biseduar, detajet i kam marrë nga zoti Kule, me të cilin jam takuar më pas. Me Kulen biseduam për kanosjen e Mynyr Konit. Ai më tha se kanosja ishte bërë nga disa persona dhe mes tyre më përmendi Emiljano Shullazin. Në lidhje me këtë problematikë, kam thirrur në takim Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodajn, dhe Drejtorin e Krimeve, Ardian Çipën. Të dy morën informacionet e nevojshme dhe më pas u takuam me ministrin e atëhershëm të Brendshëm, Saimir Tahirin. Pasi kryem të gjitha veprimet e nevojshme, kontaktuam edhe me zotin Koni dhe i kërkuam që të bënte kallëzimin në Polici.
Prokurori: Kush e kishte njoftuar ministren e Arsimit, Koni apo Kule?
Haki Çako: Nga bisedat, mësova se në fillim ka qenë vetë zoti Koni dhe më pas edhe zoti Kule.
Avokati: Ju vetë keni pasur kontakte me zotin Koni?
Haki Çako: Jo, nuk kam patur asnjë kontakt.
Avokati: Kur kishte ndodhur kanosja, ditën kur ju njoftuan apo më përpara?
Haki Çako: Kanosja kishte ndodhur ditë më përpara se të njoftohesha.
Avokati: Deri sa u takuat ju, a kishte patur kallëzim në Polici për këtë çështje?
Haki Çako: Jo, nuk ka patur.
Emiljano Shullazi: Cili nga këta më implikoi mua në kanosje?
Haki Çako: Identifikimin e ka bërë deklarimi në Polici. Nuk u bë ballafaqim
Emiljano Shullazi: Po pra, ajo ndodhi pas…
Haki Çako: Në fillim, më ka thënë Dhori Kule se kanosja erdhi nga Emiljano Shullazi.
Gjyqtari: A ju tha Dhori Kule se përse bëhej kjo kanosje? Cili ishte objekti apo përmbajtja e saj?
Haki Çako: Që të tërhiqej nga kandidimi si rektor i Universitetit të Tiranës. Detaje të tjera mund t’i merrni nga oficerët që morën kallëzimin e zotit Koni. Mua kaq më lejonte detyra.
Gjyqtari: Ku ndodhi kanosja?
Haki Çako: Me sa kujtoj, ka ndodhur pranë Korpusit. Kërcënuesi i tha të tërhiqej nga gara, ndryshe ‘nuk do t’i kishte punët mirë’.