Loading...

Tragjedia e Gjirokastrës/ Flet gruaja e autorit, zbulohen fakte tronditëse

[sgmb id=”1″]

Tragjedia e dy ditëve më parë në familjen Kosta në Gjirokastër mund të ishte parandaluar nëse Policia do të kishte ndërhyrë dhe Gjykata të kishte dhënë një vendim të drejtë.
Kështu u shpreh dje bashkëshortja e autorit të krimit të rëndë, Apostol Kosta, i cili qëlloi për vdekje çiftin Aleko dhe Afërdita Kosta. 69-vjeçarja Fotini Kosta kërkon dënimin maksimal të të shoqit, i cili sipas saj nuk duhej ta kishte kryer atë veprim të rëndë që u mori jetën dy njerëzve të afërt të familjes së tyre. Sipas saj, muri që ndante pronësinë e dy familjeve ishte ndërtuar me lejen e vetë viktimës.

Por më vonë ai kishte ndërruar mendje, çka kishte sjellë më pas mosmarrëveshjet mes tyre. Fotini Kosta tregon edhe një deklaratë noteriale në të cilën vetë vëllai i Aleko Kostës, Mihal Kosta, kishte firmosur se ky mur ishte ndërtuar me lejen e familjarëve të tij.

Znj. Fotini, si ndodhi ngjarja ku bashkëshorti juaj vrau me armë zjarri djalin e xhaxhait të tij me bashkëshorten?

Ka qenë me sekonda që ka ndodhur. Por nuk ia fal vetes sime që nuk arrita ta ndaloja këtë tragjedi që shkaktoi im shoq tek ajo familje. Ka qenë ora 07:00 ose pesë minuta më parë se kjo orë, sepse zakonisht në këtë orë vjen qumështi. Coli (Apostoli) ishte ngritur nga gjumi si ngahera. Edhe unë gjithashtu. Djali ishte lart te dhoma e tij në kat të dytë. Vajza te dhoma e saj këtu në kat të parë. Erdhi ai që na shpërndan qumështin e la te dera. Coli ma solli dhe unë e hodha në tenxhere për ta zier.

Pas këtij momenti, ku shkoi Apostoli?

Mendova se qëndronte jashtë, por ai paskësh shkuar te shtëpia e Alekos.

Porta e shtëpisë së tij ishte e hapur apo Apostoli kërceu nga gardhi për t’u futur?

Jo, jo, ai hyri nga porta hyrëse e tyre dhe në këtë moment kur unë hodha qumështin në tenxhere, dëgjoj krisma. Uau thashë me vete ç’të ketë qenë vallë? Dola nga kuzhina për në oborr përjashta që të gjeja Colin dhe ta pyesja se çfarë kishte ngjarë, por kur dëgjoj dhe një breshëri të zgjatur automatiku dhe menjëherë e çova vështrimin te porta, e cila ishte hapur. Vura ulërimën sepse mendova më të keqen. Sa shkova te porta, shikoj Colin që erdhi me armë në dorë dhe i fola ashpër dhe me të qarë “Po çfarë bëre kështu more? Çfarë bëre?”. Ai më pa me një vështrim tepër kërcënues, gati sa nuk më vrau edhe mua.

Po pastaj si rrodhën ngjarjet?

Pastaj i fola djalit nga poshtë të vinte, ndërsa Coli ia hoqi vetes me automatik dhe ndërkohë Ladi (i biri) shkoi menjëherë dhe ia hoqi automatikun. Ai u shtri përdhe dhe mendova se vrau veten se ishte tërë gjak. Por më vonë mësova që ishte gjallë.

Jeni në dijeni ju se si ka ndodhur momenti i krimit?

Ai sapo ka hyrë në derën e tyre që e kishte lënë hapur personi që sjell qumështin tek ata (Aleko dhe Afërdita), ka vazhduar në brendësi të apartamentit. Aty është ndeshur fillimisht me Afërditën, e cila vuri ulërimën kur pa Colin me automatik në dorë. Ajo e shkreta ishte me tenxhere në dorë, sepse hodhi qumështin për ta zier. Ky imi diçka i foli dhe pastaj e qëlloi me breshëri. Kjo ka ndodhur në kuzhinën e tyre. Pastaj Aleko doli i frikësuar nga dhoma e gjumit se çfarë kishte ndodhur dhe m’u në derë Coli e goditi me breshëri automatiku.

Po djali i Afërditës, dini gjë ku ishte?

Mesa mora vesh që djali doli nga dhoma e tij i frikë- suar dhe kur u ndesh me Colin, ky i fundit i tha “Nuk kam asgjë me ty” dhe u largua, duke ardhur këtu te ne. Pra kjo ishte ngjarja brenda shtëpisë së tyre dhe këtu te ne.

Nga erdhi ky konflikt?

Për shkak të padrejtësive gjyqësore, mor bir. Janë haqet e padrejtësisë që futi në dhe të gjallë ata të dy. Por dua të theksoj se burri im duhet të dënohet maksimalisht për aktin që bëri se nuk duhet ta bënte. Por edhe duhet të dalin disa fakte pasi viktimat kishin një vit e gjysmë që na poshtëronin, injoronin, tallnin dhe shanin nga territori i tyre drejt nesh. Vetë Aleko bënte veprime shumë të turpshme karshi meje, që unë jam e moshuar dhe vajzës sime apo dhe djalit tim. Dhe këto veprime i bënte kur fituan gjyqin për prishjen e murit. Për këto gjëra ne kemi njoftuar Policinë dhjetëra herë dhe ata kanë ardhur dhe nuk kanë bërë asgjë. Kjo ishte pasoja e indiferencës së tyre pas denoncimeve që kishim bërë ne, por ja ku përfunduam dy familje në një fis. Dua të bëj të ditur me fakte se ky mur që kërkonin ata ta prishnin, nuk u prishte punë. Madje, Aleko e kishte monitoruar ndërtimin e tij disa vite të shkuara dhe na kishte dhënë lejen.

Duke ditur se njeriu e ha fjalën, Apostoli kishte marrë deklaratë noteriale të vëllait të Alekos, që dëshmonte se nëna e Alekos Sofia, e paskish lënë amanet që muri mos të prishej dhe t’i krijoheshin favore për këtë ndërtim Colit. Mirëpo Aleko ndërroi mendje që kur krijoi familjen e re. 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com