[sgmb id=”1″]
Në këtë botë asgjë nuk është e sigurt përveç taksave dhe vdekjes. Një thënie lapidare që merr një këndvështrim alarmant, nëse do të thoshim se vdekja na vjen nga taksambledhësit. Pak ditë më parë në një shkollë të Pukës, dhjetëra nxënës u helmuan dashur pa dashur nga punonjës të shtetit. U helmuan për një qëllim të mirë, që të mësonin në një mjedis të pastër, pasi ai ishte dezinfektuar me klor. Pak ditë më parë po ashtu, një shkresë e mbërritur në Ujësjellësin e Tiranës raportonte se në magazinat e Brarit është gjetur klor “i skaduar”, i cili fatmirësisht nuk është përdorur në depot e ujit. Pra, për të njëjtin qëllim të mirë, për të konsumuar ujë të pastër, për fije të perit nuk përfunduam të shtruar në spital, apo qoftë të larg, më larg. Shkresa e firmosur në fund të muajit shtator për dijeni të Ujësjellës-Kanalizime, Tiranë citon se “pas analizimit të kampionit të hipoklorit të kalciumit, ka rezultuar se përqindja e lëndës aktive është 46.45 për qind”. Më tej, pas shpjegimeve teknike në të thuhet se “lënda aktive në hipokloritin e kalciumit duhet të jetë 60-70 për qind. Në këtë mënyrë iu bëjmë me dije se hipokloriti i kalciumit, i cili është gjendje në magazinën Brar nuk duhet të përdoret dhe të lejohet furnizimi për asnjë Depo apo Stacion Pompimi të UKT-së, për dezinfektim të ujit të pijshëm…”. Kjo është vetëm një shkresë në dosjen voluminoze të një institucioni, dhe si kjo ka me qindra në të gjithë Ujësjellësit e vendit. Por, natyrshëm lind pyetja: Po sikur shkresa të tilla mos jenë hartuar dhe klori të ketë kaluar “pa doganë” në depot e ujit? Për specilistët, një lëndë e tillë shkakton sëmundje fatale, nga çrregullimet hormonale deri te kanceri. Ndërkohë, për UKT-në, në magazinë kishte mbetur vetëm një sasi minimale,Shekulli.
Klori
Duke iu referuar shkresës në fjalë studiuesi dhe eksperti i ujit, Bilbil Daci tregon për parametrat dhe përdorimin e hipokloritit të kalciumit në depozitat e ujit. Sipas tij, ai hipokloriti i kalciumit me formulë kimike Ca (ClO)2 përdoret për dezinfektim dhe klorinim të ujit. “Nëse përdoret për dezinfektim, uji nuk konsumohet në as një mënyrë. Nëse përdoret për klorinimin e ujit, mbidoza e lejuar e Cl është 0,5 mg/l. Meqenëse hipokloriti i kalciumit ka disa të meta të cilat dëmtojnë shëndetin e njeriut, për klorinimin e ujit përdoret hipoklorit natriumi, NaOCl tretësirë. Hipokloriti i kalciumit Ca(ClO)2 në prani të ujit ose lagështisë nxehet dhe kalon nga hipoklorit në kripëra hipoklorate Ca(ClO)3. Këto kripëra janë shumë toksike dhe shkaktojnë dëme të pariparueshme në trupin e njeriut. Për këtë arsye, aty ku hidhet hipokloriti i kalciumit në ujësjellës është me dhoma me ndarje që uji të mos nxehet e të mos krijohen këto kripëra toksike. Nëse mbidoza e klorit në rastin e Hipokloritit Ca(ClO)2 është mbi 0.5 mg/l kur gatuan gjellë, çaj, kafe, në furrat e bukës, pra kur kalon në temperaturë të lartë, kthehet në kripëra hipoklorati (ClO)3 toksike. Kur ndihet prania e klorit në ujë mbidoza e Cl është më shumë se vlera e lejuar. Me mbidozë 0.5mg/l nuk ndihet era e pështirë e Cl”, thotë Daci, duke iu referuar lëndës në fjalë, duke shtuar se në këtë rast ka ndodhur që një pjesë e Ca(ClO)2 është kthyer në kripë hipoklorati Ca(ClO)3 dhe do të ishte e tmerrshme në qoftë se do të hidhej në ujin e pijshëm.
Sëmundjet
Shumë prej qytetarëve në Tiranë, të bindur se uji i çezmës nuk pihet, e blejnë atë. Por, shumë të tjerë, madje dhe ata që e blejnë, ujin që del nga çezma e përdorin për gatim. Kur e pyesim Dacin për efektet anësore, ai tregon se edhe pas zierjes, ky ujë nuk pastrohet tërësisht.“Kur gatuajmë me këtë ujë me mbidozë Ca(ClO)2 krijohen edhe më shumë komponime të klorit organik tepër toksike. Dëmet që shkaktojnë komponimet e Cl dhe mbidoza e Cl në ujin e pijshëm në trupin e njeriut. Trupi i njeriut i pranon komponimet e klorit vetëm në forme kripërash NaCl, CaCl2 , MgCl2, KCl etj., dhe në formën e HCl, HOCl nën 0.5mg/l”. Sëmundjet që shkakton ky ujë janë të tmerrshme. Të paktën, me argumentet që sjell studiuesi Daci, duke iu referuar literaturës gjermane, tregon se toksinat dëmtojnë sistemin nervor, imunitar, sistemin e qarkullimit të gjakut, shkaktojnë kancer, shterpësi, çrregullime hormonale, pra këto toksina dëmtojnë pothuajse të gjitha organet në formën e kancerit të gjirit, kancerit të qafës së mitrës dhe asaj vaginale te femrat. “Ndërkohë te burrat dëmton sistemin riprodhues, shkakton kancerin e testit dhe keqformime, diabet, anemi (anemi akute e menjëhershme). Te femrat shtatzëna çon deri në vdekjen e fëmijës në bark”. Ka ndodhur edhe në Shqipëri, – thotë ai.
Ka ndodhur!
Kur e pyesim, nëse gjatë punës së tij ka hasur në situata të ngjashme apo konkrete të përdorimit, Daci pohon se ka pasur helmime nga mbidoza e klorit dhe komponimeve të tij. “Në Qytetin Studenti, Poliçan, Vlorë, Kukës etj., qytetarët janë helmuar dhe janë shtruar në spitale pa u mjekuar me serumin e duhur për këtë punë, por janë trajtuar si të helmuar nga ushqimet. Dëmin më të madh këtu në Shqipëri e ka shkaktuar në sistemin imunitar, pasojat besoj se i dini, viti ka 12 muaj dhe në kemi 24 viroza, 24 gripe etj. Mjafton vetëm një detaj për të kuptuar problemin, aty në material thuhet qartë se kjo lëndë përdoret për dezinfektim. Dezinfektimi nuk bëhet nga ujësjellësit, por nga organe të tjera të specializuara, Instituti i Shëndetit Publik apo Drejtoritë e varësisë. Kjo vërtetohet se në organikën e UKT-së nuk ka dezinfektues, por klorinues. Klorinimi me dezifektimin janë dy gjera te ndryshme”.
Reagimi UKT: Klori në magazinë, në sasi të vogël
“Klori që përmendet në shkresën tonë të brendshme, i referohet një sasie minimale të mbetur nga porositë e mëparshme, e cila ka përqindje të ulët të lëndës aktive, për këtë arsye nuk është në përdorim”. Është ky shpjegimi zyrtar i UKT-së, pas interesimit të “Shekulli”-t në zyrat e këtij institucioni. Në përgjigjet e dhëna, duke iu referuar rastit, UKT tregon edhe procedurën që ndiqet, për furnizimin e magazinave deri në përdorimin final.
Pse klori në magazinën e Brarit, pas analizave ka rezultuar me përmbajtje jashtë normës?
Në Brar magazinohet klori që përdoret nga UKT për depot e zonave të ish-komunave, impianti i përpunimit të ujit si dhe depot e tjera të qytetit furnizohen direkt nga furnitori. Klori i magazinuar ruhet brenda të gjitha kushteve të përcaktuara dhe parametrave të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Kontrolli i cilësisë së klorit që ne përdorim është një proces rutinë dhe i rëndësisë maksimale. Ndërkohë, klori që përmendet në shkresën tonë të brendshme, i referohet një sasie minimale të mbetur nga porositë e mëparshme, e cila ka përqindje të ulët të lëndës aktive, për këtë arsye nuk është në përdorim.
Sa është sasia e këtij materiali dhe në rast se do të ishte përdorur, sa për qind e rubineteve në Tiranë do të nxirrnin ujin e “kontaminuar”?
Në asnjë rast nuk bëhet fjalë për ujë të “kontaminuar”, dhe për më tepër kjo sasi klori nuk është në përdorim. Klori që përdoret për klorinim nga institucioni ynë është hipoklorit i natriumit i konservuar dhe përdoret sipas kushteve të lejuara dhe miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Gjithashtu ka një procedurë të brendshme që rregullon të gjithë procesin e klorinimit, specialistët tanë janë rigorozë në ndjekjen e të gjitha hapave, për më tepër në impiantin e trajtimit të ujit të Bovillës si dhe një pjesë të mirë të burimeve tona kemi në funksion klorinimin automatik. Pjesë e procesit rutinë të punës është edhe kontrolli periodik i përqindjes së lëndës aktive të klorit të përdorur. Rol të rëndësishëm në kontrollin e përqindjes së lëndës aktive të këtij klori luan dhe Drejtoria e Higjienës, e cila kryen kontrolle periodike në të gjitha depot e ujit.
Ka rezultuar më herët një problem i tillë i ngjashëm dhe lind pyetja, mund të jetë futur në përdorim?
Pikërisht për këtë arsye komunikimet e brendshme të institucionit rregullojnë dhe përcaktojnë procesin e përdorimit të tij në mënyrë sa më efikase. Kimistët tanë kujdesen që klori në përdorim të jetë i cilësisë së duhur përmes marrjes së kampioneve dhe analizimit periodik të tij.
Kush është kompania që furnizon UKT-në me klor?
Lënda që përdoret për dezinfektimin e ujit të pijshëm merret nga subjekte të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe çdo sasi malli shoqërohet me fletë-analizën përkatëse nga Instituti i Shëndetit Publik. Procesi i përzgjedhjes së kompanisë që furnizon me klor institucionin tonë, kalon përmes një procedure të hapur dhe ligjore, të kontrolluar nga Agjencia e Prokurimeve Publike – për më tepër e gjithë procedura është e publikuar online në portalin e tyre për transparence maksimale.
Rregullorja
Ja si veprohet për klorinomin e ujit Sipas rregullores së brendshme të UKT-së, për rolin që ka klorinuesi, neni 275 e përcakton në organikën e vet me rigorozitet se si duhet të veprojë ai që nga koha kur merr turnin në punë e deri në çastin e zëvendësimit. 1. Klorinuesi i stacionit të Pompimit merr dhe bën dorëzimin e detyrës me proces-verbal, duke nënshkruar rregullisht në të; b) me marrjen e turnit duhet të kontrollojë prurjet e ujit, pajisjet e dezinfektimit, dozën e caktuar, sasinë e klorit, raportin e përqindjes së klorit, inventarit fizik etj.; c) Doza që duhet të përdoret për dezinfektim përdoret prej tij vetëm pasi të jetë dhënë me shkrim nga përgjegjësi i laboratorit të shoqërisë. d) Klorinuesi ka për detyrë të vijë në punë 15 minuta përpara fillimit të turnit për t’u njohur më mirë me marrjen dhe zbatimin e detyrës ditore. e) Punonjësi klorinues nuk mund të largohet gjatë shërbimit pa u zëvendësuar nga përgjegjësi. f) Gjatë shërbimit, ai është i detyruar që klorinimin ta bëjë të pandërprerë dhe të njëtrajtshëm, duke pasur parasysh që me ndryshimin e prurjeve të ujit, të ndryshojë sasinë e hipoklorit. g) Të mbajë të pastër vendin e punës për të mos sjellë asnjë ndotje në depo gjatë procesit të dezinfektimit. h) Të mos bëjë dorëzimin e detyrës te persona të tjerë të paautorizuar i) Përpara përdorimit të dezinfektuesit duhet të bëjë kontrollin edhe në fuçitë e hapura e të përdorura, me anë të Hortolidinës, për identitetin dhe cilësinë e tij. Në rast se klorinuesi konstaton fakte të kundërta nga ato që janë shënuar në librin e objektit, është i detyruar të mos përdorë dezinfektuesin në atë fuçi dhe urgjentisht duhet të njoftojë Dispecerinë, për të marrë urdhër se si duhet të veprojë. j) Mban me shkrim klorin mbetës, për çdo orë në librin e objektit, dhe i ruan me kujdes të madh j) Nuk lejohet që klorinuesi të ndryshojë grafikun e shërbimit pa dijeninë dhe aprovimin me shkrim të Përgjegjësit.