Loading...

Si po e çmonton Fatmir Xhafaj “klanin” e Saimir Tahirit

[sgmb id=”1″]

8 ditë më parë Ministria e Brendshme anuloi një tender për uniformat e policisë, në vlerë 1.3 miliardë lekë.  Në pamje të parë duket një procedurë normale, një vendim rutinë, i argumentuar me faktin se “asnjë nga ofertat nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentat e tenderit”.

Një vendim i publikuar pa zhurmë në buletinin e Agjenisë së Prokurimit Publik, por që tërhoqi vëmendjen e medias; së pari për faktin se tenderat e mëparshëm të uniformave janë përfolur dhe hetuar për korrupsion dhe së dyti, pasi procedura që anulohet është iniciuar në kohën kur këtë ministri e drejtonte Saimir Tahiri.

Edhe tenderi që prokuroria hetoi për korrupsion vitin e kaluar, me të njëjtën vlerë 1.3 miliardë lekë, i përket periudhës së Tahirit.

Në media, vendimi i Ministrisë së Brendshme i shpallur më 2 tetor, u komentua si goditja më e fundit që Fatmir Xhafaj po i jep asaj çfarë gjeti nga Saimir Tahiri, si një hap i hedhur për të mos pasur më nëpër këmbë asnjë fije që e lidhte me Tahirin, si një prerje me thikë që ndan dy administratat.

Në stafin e Ministrisë së Brendshme Fatmir Xhafaj nuk ka bërë ndryshime të mëdha. Por të besuarit e Tahirit janë lënë pa punë. Atyre u kërkohet thjesht të respektojnë oraret zyrtare.

Është një ndër rastet tipike ku në një ministri që drejtohet nga e njëjta forcë politike nuk flitet për vazhdimësi të politikave apo “për të çuar përpara arritjet”, por për ndryshime rrënjësore.

Me këtë filozofi Fatmir Xhafaj u distancua nga Saimir Tahiri menjëherë sapo i zuri vendin.

Sa për të treguar ndryshimin mes tyre aq edhe edhe për të vënë me kujdes në dukje të gjithë gabimet e paraardhësit, Xhafaj i dha atij një prej atyre goditjeve që do ta kishte ëndërruar edhe vetë opozita që e kishte shpallur Tahirin shenjestër të betejës së saj politike, duke e akuzuar për lidhje me trafikantët e drogës e me grupe të rrezikshme të krimit të organizuar.

Më 8 maj ai deklaroi publikisht në emisioni Top Story se drejtuesit e policisë vendore kishin heshtur për trafikun e drogës, se kultivimi nuk mund të ndodhte pa dijeninë e policisë, se individë të veçantë të policisë ishin paguar nga grupet kriminale ose ishin pjesë e tyre.

“Një pjesë e ndryshimeve (në polici) është e lidhur me nevojën e luftës kundër kultivimit të kanabisit. A mund të ndodhë kjo pa dijeninë e policisë? Absolutisht që jo…. Individë të veçantë të policisë janë paguar për heshtjen e tyre, ose kanë qenë pjesë e këtij presioni që është ushtruar nga grupet kriminale. Është blerë, ose heshtja, ose bashkëveprimi i tyre në territor. Mendoj që edhe disa nga drejtuesit e policive vendore kanë heshtur për këtë gjë”.

A kishte akuzë më të rëndë që i bëhej nga pasardhësi i të njëjtës familje politike, i cili nuk po kursjehej t’i nxirrte të palarat në shesh?

Por para disrektitimit publik, Fatmir Xhafaj kishte ndërmarrë veprime konkrete për të çmontuar rrjetin drejtues që Saimir Tahiri kishte ngritur në Policinë e Shtetit.

Në fillim të prillit, me të marrë detyrën, ai largoi 12 drejtorët e Policisë në qarqe, për shumë prej të cilëve opozita kishte vite që i kërkonte Tahirit me këmbëngulje t’i largonte nga postet drejtuese, teksa i akuzonte si të lidhur me grupet e narkotrafikut dhe përgjegjës për mbjelljen e Shqipërisë me hashash nga cepi në cep.

Iku Ervin Hodaj nga policia e Tiranës, një prej njerëzve më të besuar të Tahirit, që shfaqej krah tij edhe në takime informale jashtë orarit zyrtar të punës. U largua Jaeld Çelaj nga drejtimi i policisë së Vlorës, i akuzuar nga opozita për mbrojtje të “Habilajve”, kushërinjtë e Saimir Tahirit që sipas PD kishin përdorur edhe makinën e ministrit për të trafikuar drogë dhe përdornin po lidhjet me të për të mbjellë kanabis të pashqetësuar. Pak ditë përpara se të shkarkohej Arianit Arapi nga policia e Gjirokastrës, Krimet e Rënda kapën 12 ton drogë në Përmet.

Në Beratin e Fatmir Lleshit, një tjetër drejtor policie i besuar i Tahirit u kapën 2 ton kanabis 3 pas largimit të tij.

Afro 30 ton drogë u kapën në total nga policia pas largimit të drejtorëve të Tahirit, pak javë pasi ai deklaronte se policia e tij kishte krehur të gjithë Shqipërinë, me bunkerë, magazina e shtëpi të braktisura, kodra e shtrate lumenjsh. Ishin sasi të prodhuara në kohën e tij, në atë kohë kur ai së bashku me Edi Ramën u thonin shqiptarëve se kanabisi ishte fantazi e opozitës.

Po përse kjo strategji e Xhafajt për të nxjerrë zbuluar një ish –ministër të partisë së tij dhe një prej më besnikëve të kryeministrit Rama?

Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se si largimi i Tahirit ashtu edhe emërimi i Xhafajt iu kërkuan Edi Ramës nga partnerët ndërkombëtarë, si një lëvizje për të goditur trafikantët e drogës dhe për ta shkëputur policinë nga lidhja me krimin.

Por zelli i madh që Xhafaj tregoi për të nxjerrë zbuluar Tahirin ka të bëjë edhe me marrëdhëniet personale mes tyre dhe kjo është arsyeja e dytë.

Ato s’kanë qenë ndonjëherë të mira, por që u përkeqësuan shtatorin e vitit 2014 kur një patrullë policësh me maska ndaloi makinën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve (Xhafajt) dhe ushtroi kontroll të imtësishëm brenda saj. Pavarësisht kundërshtimeve, policët e Tahirit nuk e përfillën rezistencën e Xhafajt, madje e rritën kontrollin sa herë që ai kundështonte.

Në pak muaj si Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj po tenton ta shkundë policinë, atë polici që donte Tahiri dhe e ndërtoi sipas vizionit të tij. Ai ka vendosur të kalojë në vetting të gjithë policët.

Është një iniciativë që ndërmerret për herë të parë në historinë e uniformave blu. Ndoshta nuk është goditje e drejpërdrejtë për Saimir Tahirin, por në vetting do të kalojë policia që ndërtoi ai për 4 vjet, si nevojë për t’ia pastruar asaj radhët nga të inkriminuarit, efektivë të gradave të ulta apo drejtues të dyshuar për lidhje me narkotrafikun e që i kanë shtuar pasuritë përmes aktiviteteve të paligjshme, sidomos në 4 –vjeçarin e fundit ku trafiku i drogës ka njohur kulmin. 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com