Loading...

Nano: Një palo ministër hapej b*thësh e kërcënonte se “s’kemi parë gjë akoma”

[sgmb id=”1″]

Gazetari Mustafa Nano thekson se Saimir Tahiri e kishte bërë baltë me sjelljen e tij si edhe tejkaloi çdo limit duke kërcënuar maxhorancën se nëse iki unë do të marr edhe të tjerë me vete, por provat e publikuara sipas tij deri më tani nuk janë argumente që ai të përfundoj në burg.

Sipas Nanos, as Berisha nuk do që Tahiri të hyjë në burg. Përkundrazi ai kërkon që të vijojë kjo klime mos ndëshkueshmërie në mënyrë që të shpëtojë edhe vete nga akuzat e mëdha që ka mbi supe.

Shkrimi i plotë

Ne njerëzit e zakonshëm kemi nevojë të thithim a perceptojmë një sens drejtësie. Nevoja për drejtësi është bazike për njeriun. Ca drejtësi më shumë është një ngushëllim i madh edhe për njerëzit më të dëshpëruar. 

Të gjithë të varfrit s’do ta kishin për gajle edhe një varfëri më të madhe, nëse në këmbim do të kishin ca drejtësi më shumë, nëse në këmbim do të përfundonin në burg ata që kanë abuzuar me përunjësinë, durimin, pushtetin, paratë e pasuritë publike. Unë personalisht nuk do të ndieja asnjë çikë keqardhje për Saimir Tahirin, nëse do të rezultonte që ky, nga posti i ministrit të Brendshëm, të kishte bashkëpunuar me kriminelë gjithfarësoj. Madje, nuk kuptoj se si mund t’iu vinte keq atyre që do t’u vinte keq në një rrethanë të tillë. Por në të njëjtën kohë do doja që Saimirin, edhe sikur të ishte me faj, ta gjente e keqja prej drejtësisë, e jo prej një bande të organizuar për të bërë goditje politike me armën e drejtësisë. Nëse nuk është drejtësia që vepron, edhe dënimi më i drejtë bëhet i padrejtë.

Po le të ndalemi pak te çështja “Tahiri”. Unë nuk e kam hiç të zorshme që të them se Tahiri ka qenë një palo zyrtar. Këto ditë, kur tha se “nuk keni parë gjë akoma”, m’u duk edhe palo burrë, pasi la të kuptohej se, nëse do të rrëzohej, do të merrte edhe të tjerë me vete, ndoshta edhe gjithë mazhorancën. Sikur ta bënte këtë “premtim” nga pozitat e një të penduari, do të ishte i mirëseardhur, dhe i dobishëm për të gjithë, por kjo e tij ishte një kanosje e bërë me logjikën e një banditi.

Por le të mbetemi te palo zyrtari një copë herë. Për këtë nuk ka pse të presim prova nga prokurorët. ǒështë e vërteta, në vitin e parë të ushtrimit të detyrës së ministrit ishte i suksesshëm (këtij i takon merita për një rregull në trafikun urban, respektimin e semaforëve, që tani është bërë një rregull për të gjithë, penalizimin edhe të njerëzve me pushtet për kundërvajtje urbane, shkanabizimin e Lazaratit, largimin prej rrugëve të policëve gjobëvënës, estetizimin e figurës së policit, gjë që u bë e mundur edhe nëpërmjet pranisë së vajzave police etj). Por më pas Tahiri u hap bythësh. Ju kërkoj ndjesë për termin, por është një term që e shpjegon mjaft mirë dukurinë “Tahiri”. Njerëz si ky hyjnë në një zyrë të rëndësishme, dhe kujtojnë se e gjithë bota është nën këmbët e tyre. Interesi publik iu duket si një çikërrimë pa vlerë.

Në qendër të vëmendjes vënë qejfet e trillet e tyre. Të kuptohemi, nuk është Tahiriqë e përfaqëson më së shumti këtë dukuri. Ka të tjerë që kanë pasur e kanë poste më të rëndësishme sesa ai. Por Tahiri bën pjesë te kjo tipologji politikani. Dhe është kjo arsyeja që në tri vitet e tjera të qeverisjes “Rama” rendi publik mori të tatëpjetën. U bë lazaratizimi i gjithë territorit (por për këtë, përgjegjësia është e Ramës para se të jetë e Tahirit), u bë politizimi i policisë, më saktë tepelenizimi i saj, bandat e gangove u bënë protagoniste të jetës urbane shqiptare (eskortat e tyre nëpër rrugë ishin spektakël më vete), dhe kështu krimi i hyri shoqërisë e politikës në rrënjë. Imazhin e palo zyrtarit e plotëson edhe gjesti i shitjes së makinës me gjysmë çmimi një personazhi të njohur të botës së krimit; sikur të mos mjaftonte kjo, këtë makinë e përdornin me turne: ca kohë Saimiri, e ca kohë ai tjetri.

Ish-ministri bëri një mea culpa për këtë gjë. Por duhet thënë se as një mijë mea culpa nuk janë mjaft për të na bërë ta harrojmë atë që ka ndodhur. Kjo historia e makinës mbetet, për mua, një gjë absolutisht e çuditshme. Nuk ka asnjë shpjegim që mund të më lërë të qetë. Kjo mund të mos shërbejë si provë në kuptimin juridik të fjalës, por nuk ka ndonjë rëndësi, pasi unë jam ende duke folur për Tahirin si palo zyrtar e jo për Tahirin që duhet arrestuar.

Saimir Tahirin, ç’është e vërteta, e akuzojnë për shumë më tepër se kaq. Fillimisht, unë mendova se patën të drejtë akuzatorët. Zhurma mbi përgjimet, emri i tij në bisedën mes dy trafikantëve, kërkesa e prokurorëve për arrestimin e tij, reagimi negativ ndaj Tahirit edhe nga brenda partisë, paniku i vetë Tahirit, gjë që u duk sidomos në programin Opinion, më mbushën mendjen se Tahiri e kishte bërë baltë dhe i kishte hak prangat.

Mirëpo ballafaqimi i tij me prokurorët në këshillin parlamentar të mandateve tregoi se në ngarkim e në dëm të tij nuk kishte asnjë provë serioze. Kish vetëm dyshime të arsyeshme. Të vetmet elemente që e komprometojnë Tahirin mbeten: 1. Dy trafikantët i kanë përmendur emrin, dhe kanë lënë të kuptohet një lloj konfidencialiteti mes tyre e tij, dhe 2. një ish-oficere policie në kohën e Tahirit që ka pranuar të flasë, ka dëshmuar mbi lidhje të Tahirit me Habilajn, për të cilat ajo ka dëgjuar nga ky i fundit. Këto janë gjëra të rënda që peshojnë gjithë ditën mbi Tahirin, e që neve të tjerëve mund të na kallin në kokë idenë se Saimir Tahiri është fajtor që çke me të, por nuk bartin forcën e provave në një proces penal. E prandaj, kërkesa për arrestimin e tij është një zhurmë për interesa politikë.

ǒështë e vërteta, edhe sikur të kishte prova – dhe këtu po e çoj arsyetimin tim një shkallë më tutje – ai nuk do arrestohej. Sepse në Shqipëri nuk mund të arrestohet asnjë politikan në një kohë që ca politikanë të tjerë, me bëma ku e ku më kriminale, e me prova që janë sheshit, janë jashtë dyerve të burgut. Përndryshe, do të krijohej një lloj asimetrie, të cilën asnjë prej politikanëve nuk ka interes ta lërë të zhvillohet.Sidomos ata politikanë që janë më fajtorë se Saimiri.

Po ra ky i fundit në burg, dijeni se në këtë mënyrë do të vendosej një standard ndëshkimi ndaj abuzimit me pushtetin, dhe prej këtij standardi do t’iu ngushtohej laku edhe të tjerëve. Shkurt, do të hapej loja e shumëpritur prej ne të tjerëve. E kush e do këtë? Duhet sikur Berisha, njeriu, të cilit, më shumë se kujtdo tjetër, i kanë hije prangat e burgu, dhe ai e di këtë gjë, duket sikur Berisha pra po bën çmos që Tahiri të arrestohet. Por e gjitha është një luftë shtinjake. I pari njeri i painteresuar që të mos bjerë një eksponent i rëndësishëm i politikës në burg është pikërisht ai. Po të ishte i interesuar që kjo të ndodhte, gjatë këtyre ditëve do të rrinte në shtëpi duke fërkuar duart e duke pritur që kamikazët e tij të radhës të bënin ç’kishin marrë përsipër. Mirëpo, ai nuk ka bërë këtë. Ai zgjodhi të vihej në krye të një histerie publike kundër Tahirit. Tok me të ka folur këto ditë edhe i biri. Pas tij, ishte biri putativ, Basha. Nuk kanë pasur asnjë arsye ta bënin këtë, pasi kështu vunë edhe prokurorët nën presion e në siklet. Por ata i ndezën motorët. Dhe me këtë Saimirit iu dha arma më e mirë për t’u mbrojtur. Iu lehtësua edhe Ramës puna në mbrojtje të ish-ministrit të vet. Nuk është se Rama do ta dorëzonte. Jo, nuk besoj se kjo do ndodhte. Saimiri u pa i trembur të enjten në programin “Opinion”, por ka qenë kot i trembur. Ndoshta nuk ka kuptuar teatrin e Ramës, kur ky i fundit foli për dru të shtrembër.

Ai qëndrim i Ramës, në fakt, ishte një marifet për të përcjellë idenë se ai, ndryshe nga Berisha, nuk përzihet me drejtësinë, dhe i lë të akuzuarit që janë bashkëpunëtorë të tij, t’i dalin zot vetes. Por me mendje, Rama ka qenë i qartë qysh në krye të herës se Saimirin nuk do ta dorëzonte (edhe sikur të jetë fajtor). Rama afërmendsh nuk e do në burg Tahirin. Nuk e do për të njëjtën arsye që nuk e do edhe Berisha. Sepse kjo do të bënte të ngrihej perdja njëherë e mirë për një spektakël të drejtësisë, dhe Saimir Tahiri do të ishte kukulla më e vogël e matrioshkës ruse në këtë histori. Dhe Rama është pjesë e set-it të matrioshkës.

Nga ana tjetër, sikur Berisha e Co., ta donin njëmend Tahirin në burg, sikur të kishin sigurinë se provat që e implikojnë ish-ministrin e Brendshëm, janë shumë të qarta, nuk kishin pse ta bënin gallatë e estradë këtë proces, duke caktuar tre tropojanë në krye të tij. Kjo gjetje ishte përtej imagjinatës. Mund t’i gjenin nga Tepelena, nga Himara, nga Shkodra, e nga të donin, mund t’i gjenin fare lehtë, sepse janë të shumtë prokurorët që e kanë qejf e zanat shërbimin e nënshtrimin, mund të gjenin qoftë edhe një jo tropojan, një të vetëm, sa për të krijuar idenë se në këtë mes nuk ka ndonjë gjë që nuk shkon, por jo, u është dashur që kjo punë të duket kështu siç është, d.m.th. një mobilizim tribuje, sepse vetëm kështu bëhet zhurmë e madhe politike, sepse vetëm kështu procesi mbahet i kontrolluar në çdo detaj, për t’u pilotuar për qëllime që veç me drejtësinë nuk kanë të bëjnë. E ç’është më e rëndësishmja – përsëris – vetëm kështu Saimir Tahiri e ka fare të lehtë të vetëmbrohet, e të merret në mbrojtje nga të tjerët. Edhe nga unë.

Halli i Berishës nuk është që Saimiri të futet në burg. Halli i tij është që atij vetë, edhe të birit, të mos u vihen prangat, gjë që edhe mund të ndodhë, nëse Saimiri arrestohet e dënohet. 

Sepse kjo asimetria, për të cilën fola, nuk mund të mbajë gjatë. Po ra njëri në burg, të tjerët do shkojnë pas tij. Gjatë mund të mbajë veç simetria, d.m.th. situata në të cilën “të dyja palët kanë bërë ç’kanë dashur, dhe njëra palë mbron tjetrën, duke bërë sikur e sulmon”. Kjo është një simetri që ekziston prej 27 vitesh në këtë vend. Dhe është kjo simetri panciri më i mirë mbrojtës i bandës politike.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com