[sgmb id=”1″]
Me kalimin e moshës ngritët rreziku nga sëmundja Alchajmer, e cila kryesisht paraqitet pas moshës 65-vjeçare. Shpesh ndodh që simptomat nuk vërehen me kohë dhe pacientët vonohen t’i nënshtrohen terapisë.
Nga kjo lloj sëmundje vuajnë rreth 25 milionë njerëz dhe numri i personave të prekur nga demenca për dy dekada mund të dyfishohet.
Sëmundja përveç te të moshuarit, mund të paraqitet më rrallë edhe te të rinjtë. Ajo zhvillohet gradualisht dhe nuk ka të njëjtin progres te të gjithë. Të sëmurit në fillim nuk kujtojnë ngjarjet nga e kaluara e afërt. Kjo shpesh ndërlidhet me plakjen dhe nuk kërkohet ndihma e mjekut. Harresa mund të jetë shenja e parë e sëmundjes Alchajmer.
Nëse nuk përkeqësohet gjatë vitit dhe nëse nuk shkakton pengesa në jetën e përditshme, atëherë me siguri se nuk bëhet fjalë për sëmundjen Alchajmer. Në praktikë, shpesh ndodh që simptomat e demencës nuk vërehen me kohë, pasi që harresa i përshkruhet plakjes dhe atëherë pacientët vonohen me terapi, e cila është më efikase në fazën e hershme të sëmundjes.
Ekspertët për këtë paralajmërojnë se diagnoza e hershme është e rëndësishme për kontrollin e suksesshëm dhe ngadalësimin e progresit të sëmundjes, por nuk ekziston një test i veçantë me të cilin mund të zbulohet kjo sëmundje.
Për demencën e Alchajmer nuk ka njohuri të mjaftueshme as shkenca moderne, por është e njohur se pas moshës 65-vjeçare nga kjo lloj sëmundjeje preket pesë për qind e popullsisë dhe pas moshës 80-vjeçare madje 20 deri 30 për qind.
Demenca e Alchajmer me kohë përparon dhe dallohen tri faza të sëmundjes: E para- është faze e parë e butë fillestare dhe karakterizohet me dëmtim të kujtesës, dëmtimi i orientimit në hapësirë, të sëmurit kanë probleme në komunikim dhe gjejnë me vështirësi fjalët e nevojshme. E dyta- është faza e mesme e sëmundjes kur të sëmurit e kanë të vështirë të përkujdesen për vetveten dhe kanë probleme me kontroll.
Në këtë fazë ata mund të harrojnë edhe aftësitë, të cilat i kanë ditur, si për shembull që të bëjnë gjella, të mbathen, apo të kthehen në shtëpi, pasi që kanë humbur në hapësirë. E treta- kjo është faza më e rëndë e demencës, ku të sëmurët nuk janë në gjendje të njohin as të afërmit e tyre.