Loading...

Kur Tirana sfidonte Ajax-in e madh pa mjek dhe izolohej në Beograd prej presidentit amerikan

[sgmb id=”1″]

Ndeshja e kthimit, ajo e 30 shtatorit 1970 në Amsterdam ka tjetër histori. Interesim, kuriozitet i madh i gazetarëve holandezë që e ndjekin skuadrën deri në hotel. Nuk udhëtojnë disa titullarë, skuadra është pa mjek dhe marrja surprizë e portierit Koço Dinella. Pse Kazanxhi refuzoi këpucët e dhuruara, udhëtimi i paharruar me skaf, pastaj kthimi në Beograd në të njëjtën ditë me presidentin amerikan Nikson. Si e kujton Frashëri atë 90-minutësh, Krujf dhe historia numrit 14. Nëse Ajaksi e nisi ciklin e madh nga Tirana, për 17 Nëntorin fillon rrënimi, deri në “kërcënimin” për të rënë në Kategorinë e Dytë.

NISJA ME MUNGESA DHE PËRFORCIME

17 Nëntori u nis për në Amsterdam me katër përforcime, tre që luajtën në Tiranë: Zhega, Çeço e Xhafa dhe bashkë me ta u mor dhe portieri Koço Dinella, i Skënderbeut dhe Kombëtares, të cilin e njoftuan kur korçarët po luanin në Vlorë ndaj Flamurtarit në fundjavë ndeshjen e kampionatit. U bashkua me grupin dhe në Holandë është nisur pa asnjë ditë stërvitje me skuadrën. Për arsye biografie, nuk udhëtojnë dhe nuk janë pjesë e aventurës holandeze portieri Konomi e Habibi, por as Bytyçi, si dhe zv/trajneri Enver Shehu.

Skuadra përbëhej nga Dinella, Tafaj, Frashëri, Dhales, G. Kasmi, A. Mema, A. Nurishmi, A. Çela, P. Bukoviku, N. Xhaçka, I. Çeço, G. Xhafa, J. Kazanxhi, S. Hyka, M. Zhega, B. Ishka. Trajner M. Alla, përgjegjës ekipi Jovan Bardhi dhe Medi Agolli. Sapo i gjithë stafi zbret në aeroportin e Amsterdamit, një foto së bashku në grup është i vetmi imazh fotografik që e shoqëron skuadrën gjatë mbërritjes.

INTERES I MADH I MEDIAS VENDASE

Shumë gazetarë në aeroportin holandez kanë qenë të pranishëm dhe kanë pritur ardhjen e 17 Nëntorit, madje duke e ndjekur e shoqëruar deri në hotel ku skuadra do të akomodohej. Interesimi dhe kurioziteti ishte jashtë imagjinatës. Rezultati i ndeshjes së parë kishte provokuar e nxitur mjedisin sportiv vendas, duke i shtyrë ata për t’i parë nga afër protagonistët e sfidës tiranase, rezultati i së cilës ishte surprizë për ta. Ka tentativa, këmbëngulje për intervista dhe fotografi nga ana e tyre, por që refuzohen nga futbollistët e stafi shqiptar, pasi kështu ishte dhënë orientimi.

KËPUCËT QË KAZANXHIU NUK I MORI

Interesimi i veçantë ishte për Josif Kazanxhiun, “gjigantin tiranas”, që luajti në pjesën e dytë të ndeshjes së parë duke realizuar golin e parë. Fillimisht e konsideruan si një veprim taktik mosaktivizimin e tij në fillim të sfidës, pasi ishte lojtar formacioni në protokollin e arbitrit, por kur orë më vonë u informuan se cili ishte motivi, kanë shtangur duke mos e besuar plotësisht shkakun.

Për këto arsye, ndërsa skuadra ishte në hotel, nga recepsioni Kazanxhiut i thonë se dikush e priste poshtë: “Ishim në dhomë me Xuxin, – tregon Bukoviku, – kur e njoftuan se një person i ka sjellë një palë këpucë futbolli dhe e pret në holl për t’ia dhënë. Dëshira për t’i marrë ishte e madhe, por frika sundonte mbi të gjithë, veçanërisht tek ai. Dhe Xuxi nuk zbriti, edhe për faktin se do t’i kërkonin të bënte edhe një foto me këpucët e dhuruara”, kujton Bukoviku.

SHËTITJA ARGËTUESE ME SKAF…

Jo vetëm ndeshje, por edhe një argëtim specifik e ka shoqëruar stafin kryeqytetas kur nga organizatorët vendas, gjatë qëndrimit në Amsterdam, ishte programuar një shëtitje me anije në liqenet e bukura artificiale të Amsterdamit. Fillimisht, një foto në grup bashkë me përkthyesen bionde italiane, ku skuadra është fokusuar në bordin e anijes. Shëtitja kishte për qëllim edhe njohjen me disa pika turistike. Pas kthimit, në mjediset e hotelit është organizuar një kokteil dhe drejtues të klubit holandez u kanë dhuruar shqiptarëve nga një kravatë zyrtare të Ajaksit, disa prej të cilëve i kanë ruajtur edhe sot si një relikë e rrallë me shumë vlerë sportive.

NDESHJA, PA SURPRIZA

Një ditë përpara, ishte programuar një stërvitje njohëse në stadium, por vendasit i kishin caktuar një tjetër fushë. Lym Alla nuk ka pranuar dhe i ka kërkuar që t’i dërgojnë në stadiumin ku do luhet takimi. Të vënë para këtij fakti, i kanë orientuar aty, pasi kanë hequr mbulesën e fushës, kanë hapur dritat dhe aty është zhvilluar seanca rreth 90 minuta. Pastaj ndeshja. 17 Nëntori e humbi takimin me rezultatin 2-0, i cili u dominua nga vendasit, ndonëse nga protagonistët kujtohet se është zhvilluar një lojë e mirë, duke rivalizuar në mjaft minuta lojë. Edhe në këtë sfidë, Krujf nuk luajti.

Bukoviku kujton për “Panorama Sport”: “Ndonëse isha titullar në një dekadë të plotë me këtë skuadër, shpirti dhe kapiteni saj deri me Standardin, nuk aktivizohem në ndeshjen e parë në Tiranë dhe as në të dytën në Amsterdam edhe sot nuk e di motivin”. Ndërkohë, edhe në këtë takim Krujf nuk u aktivizua, por qëndronte në këmbë në bordurën e fushës i veshur me një kostum të zi. “Në atë takim, Ali Memës i kam dhënë këpucët e mia që m’i kishin sjellë nga Italia, me ato ka luajtur”, kujton Bukoviku.

Ndeshja e Amsterdamit u shoqërua me një shkrim në gazetën “Sporti”, me titull të thjeshtë: “Kupa e Kampioneve. Ajaks i Amsterdamit- 17 Nëndori 2-0 (1-0)”. Në atë takim, 17 Nëntori luajti me fanellën tradicionale siç e tregon edhe foto para fillimit, ku janë dy kapitenët, Frashëri e Vasovic, bashkë me arbitrat e sfidës (Arkiv i PMBKD-së).

NË BEOGRAD BASHKË ME NIKSONIN

Kthimi për në Tiranë është programuar me avionin e linjës dhe në Beograd, pas një qëndrimi të shkurtër, do të merret ai i linjës për në Titograd. Por, sapo avioni u ngrit nga pista beogradase, fillon një furtunë e madhe dhe në pamundësi për të vijuar fluturimin, e detyrojnë të ulet, duke e shtyrë udhëtimin për ditën tjetër. Por në Beograd ka një ngjarje jo të zakontë. Pikërisht më 1 tetor 1970, në vijim të turit europian, pas qëndrimit në Itali, vjen për vizitë zyrtare në Jugosllavi Riçard Nikson, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke qenë se ishin marrë masa tejet rigoroze, në veçanti për kontrollin dhe lëvizjen e të huajve, një veprim i tillë “izolues” u aplikua edhe për shqiptarët, në këtë rast skuadrën e futbollit. Bujar Tafaj tregon për “Panorama Sport”: “Për këtë arsye, na dërguan në një hotel 70 km larg Beogradit, madje kemi qëndruar dy futbollistë në një krevat, ndërsa poshtë ishte kazino plot zhurmë. Kur mbërritëm, u lajmëruan edhe dy këngëtare e ahengu nuk pushoi deri në mëngjes. Unë me Dinellën nuk fjetëm gjithë natën. Të nesërmen u nisëm”.

FILLIMI I NJË RRËNIMI PA KTHIM

Pas kthimit nga Holanda, për skuadrën fillon një fazë e vështirë. Në takimet vijuese regjistrohen disa humbje radhazi, me Skënderbeun në javën e dytë, Dinamon, Labinotin, Flamurtarin duke barazuar 1-1 me Lokomotivën. Në atë sezon, Partizani shpallet kampion, ndërsa 17 Nëntori renditet në vendin e shtatë. Nisur nga disa orientime absurde partie, “se ka përfunduar cikli i kësaj skuadre dhe kërkohet rinovimi”, për disa futbollistë, drejtues, shpërthen një furtunë largimesh.

Për pasojë, edhe kampionatet që vijojnë janë zhgënjyese të shoqëruar me rezultatet jo pozitive, me paraqitje të dobët dhe renditje kritike në klasifikim. Në sezonin 1973-1974, skuadra është parafundit me 21 pikë, aq sa Luftëtari i fundit. Për t’i ardhur në ndihmë skuadrës me traditë, FSHF shpik një “play-off” duke vënë përballë 17 Nëntorin me Apoloninë e vendit të parë në Kategorinë e Dytë. 0-0 në Fier në takimin e parë dhe 2-0 në Tiranë në atë të kthimit, rezultatet që i garantojnë 17 Nëntorit qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

Ish-kapiteni bardheblu Frashëri: Kundër Ajaksit, ndeshja e karrierës

Në Holandë, skuadra mbërriti dy ditë para takimit dhe u sistemua në “Muze Hotel” në Amsterdamin e vjetër. Si e rikthen për “Panorama Sport” Fatmir Frashëri, kapiteni i skuadrës, atë përballje, ato 90 minuta.

Çfarë atmosfere gjetët në Amsterdam?

Kishte interesim të madh nga të gjithë, por veçanërisht nga gazetarë, dhe në opinion kishte njëfarë pasigurie nisur nga rezultati i ndeshjes së parë që ishte intrigues. Madje, kur më pyetën “si e mendoni përballjen”, iu përgjigja “ne e pamë Ajaksin në Tiranë dhe nuk kemi frikë, ndërsa ai ende nuk na ka parë në fushën e tij”, sigurisht duke buzëqeshur. Kujtoj se përkthyese ishte një vajzë bionde holandeze që fliste italisht dhe komunikonte me trajnerin Alla, ndërsa unë flisja në anglisht.

Jeni dëmtuar në atë takim?

Kam luajtur me gjurin e fashuar, pas një dëmtimi kohë më parë. Por gjatë 90 minutave ndaj Ajaksit u godita dhe më pas u gjakosa në mjekër. Nuk kishim mjek, as masazhator, ishte menduar të udhëtonte nga Parisi Panajot Boga, pasi ishte atje me studime, por nuk mundi të vinte. Ishin mjekët holandezë që më mjekuan.

LEGJENDA Krujf, ai që mungoi dhe historia e numrit 14

Lojtar i jashtëzakonshëm, vështirë të gjesh një përcaktim në aspektin taktik… Një interpretues i vërtetë i futbollit universal. “Il profeta del goal” e ka quajtur Sandro Cioti filmin kushtuar atij. Jo një sulmues i mirëfilltë, por që ka realizuar në pafundësi, jo një mbrojtës, por nuk ka humbur asnjë dyluftim, jo një regjisor, por komandonte gjithë organizimin e lojës si askush tjetër. Ka luajtur me fanellën me numër 14 që tashmë është simbol i klubit.

Ka qenë shoku i tij i skuadrës tek Ajaks, Gerrie Muhren, që e ka treguar zgjedhjen e numrit. “Zakonisht unë përdorja fanellën me numër 6 dhe Johan atë me numër 9. Para një takimi në transfertë nuk gjenim ku ishte fanella ime dhe Johan më ofroi të tijën, duke veshur vetë atë me 14. Ndeshja ishte më shumë se një triumf dhe nga ai moment unë mbaja gjithmonë atë me numër 9, ndërsa ai me numër 14. Këtë fanellë ai e mbante edhe me kombëtaren, ndërsa te Barcelona jo, pasi federata spanjolle lejonte numrat nga 1 deri te 11. Krujf zgjodhi numrin 9, por nën të ai mbante gjithmonë atë me numër 14”.

NJË CIKËL QË FILLOI NGA “QEMAL STAFA”…

Nga Tirana ka startuar historia e lavdishme e Ajaksit të Johan Krujfit dhe “ushtarakut të hekurt”, trajnerit Rinus Mishel. Në vitin 1968, Ajaksi arrin deri në finale, por mundet thellë në Madrid 4-1 nga Milani. Ndërkohë, i kishte dhënë shenjat e një skuadre me kualitet të lartë, që e kishte filluar kohë më parë ciklin për një futboll total bazuar në përgatitjen fiziko-atletike. Pasi ka kaluar dy turet e para, ndaj 17 Nëntorit e zviceranëve të Bazelit, luan me Sëlltik që një edicion më parë ishte mundur nga Fejnord në finalen e trofeut. 3-0 në Amsterdam dhe 0-1 në Gllazgou.

Pastaj, 1-0 në Madrid për Atletikon dhe 3-0 në Holandë me gola të Keizer, Suurbier e Neeskens. Në finale ka përballë grekët e Panathinakos që drejtohen nga Pushkash dhe kanë Antoniadis, golashënuesin më të mirë të turneut me dhjetë gola. Gjatë 90 minutave, publiku anglez në “Wembli” mbeti i befasuar nga taktika ofensive e aplikuar nga holandezët, një revolucion i vërtetë futbollistik. Ndeshja ishte një monolog, kur ata realizojnë me Van Dijk golin e parë pas pesë minuta lojë. Nuk luan i dëmtuar Rud Krol, një mbrojtës i majtë i talentuar dhe protagonist i sezonit, por me spostimet e vazhdueshme te lojtarëve holandezë tri minuta para përfundimit, Han realizon golin e dytë dhe Kampionë të Europës.

Tashmë epoka triumfuese ajaksiane ka filluar dhe nëse do të kthehemi pak muaj më parë, nga Tirana e ka startin Ajaksi legjendar, i shoqëruar me tre titujt radhazi. Pikërisht pas barazimit 2-2 me 17 Nëntorin, të mërkurën e 16 shtatorit 1970, për ta mbyllur atë sezon në finale e Londrës: Ajaks-Panathinakos 2-0. Ajaks: Stuy, Suurbier, Neeskens, Vasovic, Rijnders (Blankenburg), Hulshoff, Sjuart (46 Han), Van Dijk, Krujf, Muhren, Keizer, Tr. Mishels. Shumë prej tyre ishin protagonistë edhe në “Qemal Stafa”.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com