Loading...

Drejtori i Rendit para mediave: Ja çfarë do bëjmë me porosi të Ramës e Xhafajt

[sgmb id=”1″]

Pas shkarkimeve të bujshme në policinë e Gjirokastrës lidhur me ndërtimet pa leje në grykën e Këlcyrën, drejtori i rendit Albert Dervishaj ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka pohuar se në gjithë Shqipërinë, me porosi të Ramës e ministrit Xhafaj do nisë një analizë.

“Në zbatim të porosive të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, në të gjitha drejtoritë vendore të policisë, do të nisin analiza të detajuara mbi problematikat e shfaqura dhe marrjen e masave për reflektimin ndaj tyre”, tha Dervishaj.

FJALA E PLOTË E DERVISHAJT:

U njohët sot paradite përmes një njoftimi për shtyp me masat e marra në fund të një analize të hollësishme, lidhur me mos veprimet e disa strukturave të Policisë së Shtetit, për një tentativë për ndërtim pa leje në grykën e Këlcyrës.

Veç përjashtimit të një punonjësi policie të rolit bazë, i cili është përgjegjës direkt për kontrollin e territorit, janë shkarkuar nga detyra edhe eprorët e tij, drejtues të policisë lokale.

Masat përfshijnë edhe 2 drejtuesit vendore të Policisë së Gjirokastrës, pasi mbi bazën e konkluzioneve të Drejtorisë së Standardeve nuk kanë ushtruar përgjegjësinë ndaj strukturave në varësi për raportimet për kontrollin e teritorit.

Theksojmë këtu se kontrolli i territorit, në të cilin përfshihet edhe ruajtja e mjedisit nga çdo lloj krimi mjedisor, është detyrë dhe përgjegjësi e strukturave të Policisë Vendore.

E masat e ashpra justifikojnë përmasën e problematikës së shfaqur me ndërtimin në zonën e Këlcyrës.

Por ky nuk është rasti i parë, e pa dyshim nuk do të jetë as i fundit, i ndëshkimit të strukturave policore dhe çdo strukture tjetër të implikuar, nëse nuk reagojnë apo heshtin përballë paligjshmërisë, kudo qoftë ajo.

Në javët e kaluara janë marrë masa edhe për 2 drejtues të Komisariateve të Policisë në kryeqytet. Ndërtimi pa leje është dhe konsiderohet një krim mjedisor dhe Policia e Shtetit do të vijojë të jetë në krye të kësaj lufte.

Në zbatim të porosive të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, në të gjitha drejtoritë vendore të policisë, do të nisin analiza të detajuara mbi problematikat e shfaqura dhe marrjen e masave për reflektimin ndaj tyre.

Duke përfituar nga ky komunikim publik, gjej rastin të apeloj në emër të Policisë së Shtetit dhe të kërkoj nga të gjithë institucionet, organizata joqeveritare, shoqëri civile dhe mediat padyshim, të angazhohen dhe të jenë në krah nesh, duke i garantuar se Policia e Shtetit do të vazhdojë me përkushtim dhe profesionalizëm, të përmbushë me përgjegjësi detyrat në zbatim të ligjit e shërbim të qytetarëve.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com